E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha e Ardianit

Ardian Bujupi ka prezantuar në faqen e tij zyrtare në Facebook demon e këngës së tij të parë. Ajo quhet “This is My Time”. Është një stil i përzier, në mes popit, repit dhe teknos. Analistët presin që kënga të jetë një hit. Nga Ardian Jasiqi më 20 qershor 2011 në ora 14:07

Ardian Bujupi i ka mbushur bateritë. Pas një paraqitjeje të suksesshme në “Gjermania kërkon Superyllin”, ku arriti në gjysmëfinale, Ardiani ka filluar edhe incizimin e këngës së tij të parë që quhet “This is My Time”.

Kënga për herë të parë është prezantuar në faqen zyrtare të Ardianit në Facebook, përderisa këngëtari këndon një këngë të një stilit të muzikës së përzier me pop, rap dhe tekno. Analistët gjermanë kanë vlerësuar se kënga e Ardianit pritet që të këtë një sukses të madh në Gjermani, aq më pak kur shumica e adhuruesve të Ardianit janë tinejxherë gjermanë. Por, adhuruesit e tij nuk mungojnë edhe në Kosovë. Madje shumica e komenteve poshtë këngës janë nga Kosova.

Ylli kosovar i Gjermanisë paraqitet shumë “cool” në video dhe ka të vendosura ca syze që e bëjnë atë shumë simpatik.

Mediat gjermane kanë shkruar të dielën se kënga është njëra prej stileve më të mira, kurse shihet edhe një frymëzim dhe këndim me tërë shpirt i Ardianit në të. Ai tregon se ka pasur nevojë që të krijojë një këngë, ku do të këndonte vetë dhe normalisht kur një këngëtar jep shumë nga vetja, atëherë suksesi është i garantuar.

Pas kësaj kënge priten edhe risi të tjera të Ardianit, pasi që ajo nuk do të jetë e vetmja. Për këtë Ardiani ka folur edhe në Facebook, ku ka shkruar se deri në fund të vitit, do të punojë shumë që në vitin e ardhshëm të lansojë edhe një album.

Sipas RTL’së, televizion që edhe e transmeton emisionin “Gjermania kërkon Superyllin”, hiti i Ardianit pritet që të dalë në fund të gushtit, eventualisht në fillim të shtatorit. Televizioni ka paraparë se në bazë të zhanrit të këngës, por edhe adhuruesve të shumtë të Ardianit anekënd Evropës, ajo do të jetë një hit në vendet e Evropës Perëndimore.
Bujupi, po ashtu ka filluar që të konsiderohet si zemërthyes i femrave në Gjermani, ndërkaq ai ka thënë së është i lumtur me suksesin që ka arritur. Pasi të përfundojë “single” e tij, ai do të fillojë një turne në qytetet gjermanofolëse në Zvicër, Austri dhe Gjermani.

Pas Ardianit, edhe Pietro edhe Sarah

Nga ana tjetër, mediat gjermane kanë thënë se Pietro Lombardi dhe Sarah Engels nuk kanë filluar që të punojnë diçka, ndërkaq mësohet se ata kanë pritur që të Ardiani të fillojë i pari me krijimin e muzikës së tij. RTL’ja shkruan se Ardiani është treguar shumë serioz dhe i përkushtuar për punë, kështu që albumi i tij pritet që të dalë së shpejti.

E ngucin kosovaret

Nga ana tjetër, shumë komente të vajzave kosovare duket se kanë vërshuar edhe në faqen e fansave, e edhe në faqen personale të Bujupit. “Kqyrni çika, çka ka rritë nana”, ka shkruar një adhuruese e tij, në Facebook, me emrin Rajmonda, kurse komentet për Ardianin se e ka “zërin e bukur” dhe “je shumë i bukur”, nuk kanë munguar. Bujupi, zyrtarisht ende është “beqar”, edhe pse më parë është thënë se është në lidhje me Zuzu Mall.

Demo e këngës “This is My Time”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›