Argjentina e Shqipëria, gati t’i masin ‘forcat’
Çdo gjë është gati për ndeshjen miqësore ndërmjet Argjentinës dhe Shqipërisë, e cila do të zhvillohet të hënën mbrëma (sonte) nga ora 23:15 në stadiumin “Monumental”. Argjentinasit e shohin këtë takim si provë të mirë para Copa Americas, e cila do të fillojë më 1 korrik.
Kurse, selektori Josip Kuze do ta ketë mundësinë që t’i provojë disa lojtarë të rinj, të cilët nuk e kishin rastin ta vishnin fanellën kuq e zi në të kaluarën. Kjo do të jetë miqësorja e 10-të për trajnerin kroat. Me Shqipërinë, ai ka shënuar 5 fitore, 3 barazime dhe vetëm një humbje.
Kombëtarja shqiptare është vendosur në rajonin Kardales, ku ka zhvilluar tri seanca stërvitore, para ndeshjes së sontme. Kuqezinjtë do të kenë punë të vështirë ta ndalin ekipin jug-amerikan, i cili ka një sulm ‘vrasës’.
Lionel Messi do ta udhëheq ekipin argjentinas. Ylli i Barcelonës, për të cilin kjo do të jetë ndeshja e 57-të për Argjentinën (16 gola deri tash), synon që ta shënojë një gol ndaj Shqipërisë, të cilin do t’ia kushtonte babait të tij, Jorge.
Ndërkohë, tek Argjentina në portë pritet të jetë Sergio Romero, ndërsa mbrojtja do të ndërtohet nga Javier Zanetti, Nicolas Burdisso, Gabriel Milito e Marcos Rojo.
Në mesfushë është konfirmuar mungesa e Esteban Cambiassos, kështu që ajo do të përbëhet nga treshja Éver Banega, Javier Mascherano e Lucas Biglia. Ndërsa, në sulmin e frikshëm do të luajnë Ezequiel Lavezzi e Angel Di María, përkrah futbollistit më të mirë në botë, Lionel Messi.