E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Koha e kometës”, sonte në “Millenium”

Filmi “Koha e Kometës” i regjisorit Fatmir Koçi mbërrin në kinema “Millenium”. Bashkëprodhimi shqiptaro-gjerman do të shfaqet për publikun e kryeqytetit, që nga data 10 tetor, ditën e premte. Pas itinerarit në disa kinema të Shqipërisë dhe pjesëmarrjes në festivalin veror të filmit në Durrës, Koçi zbret filmin e tij në Tiranë.

Shqipëria 1914. Princi Vidi bëhet mbret i Shqipërisë. Ai merr një letër nga fanatikët myslimanë, të cilët i kërkojnë të bëhet synet, por ai refuzon. Shestani, një mysliman dhe katër miqtë e tij nisen për luftë. Por rrugës, Shestani takon Agnes, një vajzë katolike që po e çojnë në manastir për ta bërë murgeshë kundër dëshirës së saj. Ata bien në dashuri. Shestani dhe shokët e tij vazhdojnë të kërkojnë luftën pa e gjetur atë. Aktorët që luajnë janë Masiela Lusha, Blerim Destani, Cun Lajci, Thomas Heinz Ralf Moeller, Luan Jahja, Xhevdet Ferri.

Një serb në Raum

Një situatë e re artistike i është shtuar këto ditë qytetit të Tiranës. Raum (gallery bar), është hapësira më e re alternative për ekspozimin e veprave të artit bashkëkohor dhe jo vetëm. Raum ndodhet në qendër të ish-bllokut, dhe frekuentohet nga grup-mosha të ndryshme dashamirës të artit dhe kulturës. Raum nuk është thjesht një bar i rëndomtë, por një pikë takimi i artit me të rinj plot koncepte dhe shprehi interesante. Është vend që rrit interesin ndaj kulturës bashkëkohore si një ekzigjencë tanimë e kohës në ndryshim, duke lënë prapa vakumin e akumuluar prej vitesh.

Stafi artistik ka vendosur të çelë sezonin vjeshtë-dimër me një ekspozitë fotografie. E ftuar është Andrea Palasti, një artiste e re nga viset e Vojvodinës (Serbi). Ajo edhe pse është e re në moshë, ka një pjesëmarrje tepër aktive në veprimtari të ndryshme ndërkombëtare dhe një sërë çmimesh i atribuohen veprës së saj. Seria me të cilën ajo prezantohet përbën një moment kulminant të perceptimit vizual të natyrës, përkundrejt qenies njerëzore. Ajo vjen me 8 fotografi të realizuara bardh e zi, teknikë kjo që e bën akoma më të lexueshme dialogun mistik midis natyrës dhe njeriut, gjë të cilën ajo e ka shprehur me goxha mjeshtëri ekzekutuese.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë dy javëve në vazhdim, kohë në të cilën do të ketë leksione mbi filozofinë e dimensioneve dhe raportit të njeriut me natyrën dhe shfaqje të dokumentarëve në lidhje me këtë çështje.

H.P

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›