E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Korrupsioni dhe ndërhyrja në gjyqësor, probleme serioze

Problemet në luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe në veçanti ndaj trafiqeve të ndryshme priten të jenë problematike sërish në raportin e ardhshëm të departamentit të Shtetit të SHBA-së. Ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, ka përmendur dje një seri shkeljesh dhe problemesh, me të cilat përballet shoqëria shqiptare, shqetësime që ai paralajmëroi se do të përfshihen në dokumentin e vitit të ardhshëm. Diplomati kryesor i Uashingtonit në Shqipëri i ka bërë thirrje të fortë ekzekutivit që të heqë dorë nga ndikimi në pushtetin e gjyqësorit. Withers ka përmendur direkt çështjen e Gërdecit, ku qeveria ka ndërhyrë për të ndikuar në vendimin e saj. Ambasadori i SHBA-së tha se Shqipëria po vuan ende nga korrupsioni në shumë nivele të saj, ka mungesa të pavarësisë në gjyqësore dhe ka shkelje të rënda të lirisë së medias. "Raporti më i fundit i të drejtave të njeriut paraqet një listë problemesh ende aktuale në Shqipëri. Për herë të parë, administrata Obama ka kërkuar që të adresohet në këtë raport mbi situatën e korrupsionit në një mënyrë që nuk është folur më parë. Në shumë raste, siç kanë thënë kolegë të mi ambasadorë të tjerë, korrupsioni ende mbetet një nga problemet më serioze, në shumë nivele të tij", theksoi Withers. Një çështje tjetër e rëndësishme, shtoi ai, është pavarësia e institucioneve demokratike, veçanërisht e gjyqësorit. Më specifikisht, vijoi ai, çështja e Gërdecit dhe ne do të shpresonim që s‘do të ketë një ndërhyrje të tillë siç e kemi vënë re. "Një çështje tjetër është liria e medias. Kohët e fundit kemi dëgjuar mbi dhunën që është ushtruar ndaj një gazetari, për shkak të pikëpamjeve që ai shprehu përmes shtypit. Kjo situatë nuk mund të tolerohet. Problem mbetet trafikimi i qenieve njerëzore, pasi i privon ato nga dinjiteti dhe liria. Dhuna brenda familjes është një problem serioz", u shpreh Withers. Presidentja e Qendrës për të Drejtat e Njeriut, Kozara Kati, tha se në vend problemet njihen, por mbeten vetëm në hapat e evidentimit. "Do t‘i referohesha korrupsionit, pabarazisë së qytetarëve para ligjit që krijon edhe precedentë të mozbatimit të ligjit", u shpreh Kati. Përfaqësuesit e shoqërisë civile brenda datës 15 dhjetor do të hartojnë një raport përfundimtar, ku evidentohet me raste konkrete shkelja e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Y.Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›