E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Duhet të nisë dialogu politik

Bashkimi Europian ka reaguar dje në një linjë edhe me përfaqësuesit e tjerë të ndërkombëtarëve në Tiranë. Në Bruksel është zhvilluar dita e parë e takimit të çështjeve të përgjithshme të ministrave të Jashtëm të BE-së, që u mblodhën nën Presidencën suedeze. Edhe dje, BE-ja ka shprehur me forcë shqetësimin e saj për situatën politike në Shqipëri dhe ka hartuar një deklaratë të përbashkët, e cila është miratuar nga 27 shefat e diplomacive të Europës së Bashkuar. Në këtë deklaratë, "Bashkimi Europian bën thirrje për një dialog konstruktiv politik në Shqipëri, duke përfshirë këtu edhe Parlamentin". Për të parën herë, në deklaratat e Brukselit jepet një theks i rëndësishëm i dialogut mes forcave politike, duke e marrë të mirëqenë situatën e krijuar nga bojkoti i opozitës. Kjo thirrje u drejtohet të gjitha partive politike në vend nga Këshilli Europian për Çështjet e Përgjithshme. Në përfundim të mbledhjes, ku u diskutua mbi strategjinë e zgjerimit me vendet e Ballkanit, ministrat europianë dolën me deklaratën e përbashkët përfundimtare, ku për Shqipërinë renditën si sfida urgjente për vendin forcimin e shtetit ligjor, luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, funksionimin e duhur të institucioneve shtetërore dhe pavarësinë e gjyqësorit. Ndërsa pret opinionin e komisionit mbi dhënien e statusit kandidat ndaj Shqipërisë, këshilli vlerëson se Shqipëria duhet të rrisë kapacitetet administrative, të garantojë pavarësinë e administratës dhe të përmirësojë kushtet për lirinë e medias. Ministrat europianë vlerësojnë progresin e arritur në disa fusha, veçanërisht për reformën elektorale, por përsërisin se duhen parë me vëmendje rekomandimet e ODIHR-it për parregullsitë e vërejtura në zgjedhjet e fundit parlamentare. Reagimi i Bashkimit Europian ka ndodhur pas zhvillimesh tepër të vrullshme në Tiranë, ku temperatura politike është rritur në maksimum, duke ofruar edhe skenat e para të një përplasjeje të fortë mes qeverisë dhe opozitës. Përplasje që mbrëmë ka pasur si protagonistë fadromat e policisë ndërtimore, që ka prishur një pallat, i cili, sipas qeverisë, është i një deputeti socialist. Por qëndrimi i ministrave të Jashtëm të BE-së ka ardhur edhe pas një deklarate për shtyp të Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, që përgënjeshtroi Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha.

Bëhej fjalë për një deklaratë të kreut të qeverisë që akuzoi deputetët e PS-së se kanë folur negativisht për Shqipërinë me përfaqësuesit e BE-së. Siç nuk ka ndodhur shpesh, përfaqësia e Brukselit në Shqipëri, me anë të një deklarate për shtyp i thoshte Kryeministrit se "Për të shmangur çdo paqartësi, Komisioni Europian deklaron se më 24 nëntor në rezidencën e shefit të delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë u mbajt një darkë për t‘i krijuar zotit Mirel mundësinë të takohet me politikanë nga Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe parti të tjera. Zoti Ditmir Bushati nuk ka marrë pjesë në këtë darkë. Asnjë nga pjesëmarrësit nuk ka thënë asgjë që mund të interpretohet se mund të jetë kundër interesit të Shqipërisë për të arritur sa më parë heqjen e vizave me Bashkimin Europian apo që mund të jetë në kundërshtim me qëllimin e saj për integrim europian".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›