Tre celularë me Android nga “HTC”
Përfaqësuesi i kompanisë HTC-së, gjatë një interviste të dhënë, ka konfirmuar se deri në fund të vitit do të prezantohen edhe së paku tre celularë me Android. Në një intervistë për gazetën prestigjioze amerikane “Wall Street Journal”, ai tha se i pari në radhë është HTC Magic, trashëgimtar i modelit G1 të T-Mobile, i cili në treg vjen gjatë pranverës. Gjatë vitit të parë HTC ka shitur mbi një milion modele G1, ku është tejkaluar qëllimi i përcaktuar fillimisht. Për specifikat e celularëve të rinj me Android nuk është bërë fjalë, ndërsa është e mundur që disa prej tyre mund të paraqiten vetëm në tregje të caktuara. Këtë vit, HTC më shumë do të orientohet në tregun kinez dhe vetëm 20 telefona të mençur do të paraqiten.
“Sony Ericsson C905” me defekte
Për shkak të shkallës së lartë të kthimit të modelit C905 në Britaninë e Madhe, Sony Ericsson u kërkon falje blerësve, ndërsa operatorët kërkojnë dëmshpërblim. Blerësit janë të pakënaqur me celularin C905 të kompanisë Sony Ericsson dhe prodhuesi ka lëshuar një komunikatë në të cilën u kërkon falje blerësve, mirëpo operatorët kërkojnë dëmshpërblim si kompensim për humbjet dhe dëmin e shkaktuar në imazhin e tyre. Si arsye e pakënaqësisë me telefonin më së shpeshti përmenden “ngrirjet” e softuerit dhe problemet me zmadhuesit. Sipas deklaratës nga Sony Ericsson, është goditur dërgesa e parë e celularëve dhe versionet e fundit janë riparuar nga defektet. Modeli C905 është celulari rrëshqitës me fotoaparat të rezolucionit prej tetë megapikselash.
21 Mars 2009