E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha e skaduar e Sali Berishës

Xhovalin Delia, piktor, Itali  

“Boll he tu rrit ndera e djali o Sali Berisha”! Të jemi  mirënjohës për gjithçka të vyer që keni bërë për Shqipëri, por tani boll! utakon të rinjve të gabojnë, në  të kundërt, kur do të mësojnë? Zotni Berisha, uroj  të rrosh sa malet, por na thuaj: A e ke menduar  kush do na prijë kur të mos jesh më ti? Nuk e di nëse Berisha e ka kryer misionin e tij politik,  por koha që shqiptarët i kanë vënë në dispozicion  ka skaduar.

Edhe nëse sovrani, me votën e lirë do  t’i japë atij kohë “shtesë”, nuk do të thotë domosdoshmërisht se misioni i tij vazhdon. Jo, do të thotë  se sovrani shqiptar preferon të durojë, në vend që  të ndryshojë e të prosperojë. Ndoshta keni harruar,  por në 1990, edhe pse komunizmi kishte rënë plotësisht, ne shqiptarët e nënshtruar, të liruarit e fundit  në Europë, rivotuam diktaturën, rizgjodhëm Ramiz  Alinë, jo Salinë.

Nuk e patëm me Berishën, por na  trembte ndryshimi. U desh të derdhej akoma gjak  (2 prill -Shkodër) që shqiptarët të përmendeshin për  të votuar me dyshim demokracinë. Mungesa e besimit është një nga cenet e kulturës shqiptare dhe  një nga shkaqet kryesore të mos-mbarëvajtjes tonë.  Sido që të jetë, kushdo qoftë fituesi më 24 qershor  2013, sikur edhe me një votë më shumë, do njohur e  respektuar, pasi është gjykimi i sovranit.

Demokracia këtë bylmet ka. 23 qershori 2013 nuk është dita për të dyshuar, por për të votuar, duke besuar  në atë që keni zgjedhur. Dy janë rrugët: e vjetra e  shkelur ose e reja e panjohur. Në demokraci, çdo  gjë varet nga Sovrani, pra nga Ju bashkatdhetarë  të dashur. Natyrisht po të jeni aktivë, pjesëmarrës, jo spektatorë e tifozë, e mbi të gjitha, po të  jeni të vetëdijshëm për fuqinë që  keni në dorë.

Kur Antonio Gramshi  shkruante: “Indiferenti është më  i rrezikshëm se fajtori” nuk kishte  për qëllim të ndërsente spiunët  kundër armikut të klasës, (siç e  aplikuan shqiptarët e pabesë e  frikacakë në komunizëm). Qëlli-mi i tij ishte të ndërgjegjësonte  shoqërinë civile për rolin determinues dhe përgjegjësinë e saj në  jetën politike.

Aktualisht epidemia korruptive “jep e  merr”, ka prekur gjithë shoqërinë shqiptare, nga nxënësit e shkollave “për të nxënë”, studentët “për t’u  diplomuar”, pacientët, “për t’u shëruar”, të papunët  “për t’u punësuar” e deri tek biznesmenët e pasur  “për të fituar”.

E thënë më thjeshtë, rrogëtarët e  shtetit, politikanët, qeveritarët, mësuesit, profesorët,  mjekët, (ata që kërkojnë të paguhen për së dyti nga  ata që i kanë paguar njëherë) janë si putanat e ekspozuara në trotuare, ndërsa shoqëria civile, klientët  e tyre, (ata që japin për së dyti lekë), ndonëse më  shumë se ata që marrin, nuk janë të përfolur, përkundrazi, trajtohen si gjyhnaqarë, e janë për t’u qarë  hallin... por jo të larë.

Diferenca midis atij që merr  e atij që jep, është se njërit i hyn e tjetrit i del, (leku  nga xhepi), pra i pari fiton e i dyti humbet, por të  dy janë imoralë e të paligjshëm.  Një tjetër aspekt i rëndësishëm  në zgjedhjet e 23 qershorit është  përdorimi me nikoqirllëk i votës  së lirë. Nëse votoni partiçka parazitare e klane kriminale nuk bëni  gjë tjetër veçse shtoni hajdutët  e përligjni me dorën tuaj korrupsionin e krimin shtetëror.

Sa më  pak parti, aq më pak hajdutë, sa  më pak hajdutë aq më shumë lekë  në portofolin tuaj. Për t’u bindur për këtë, vëreni  ç’ndodh përtej Atlantikut e Adriatikut: - Amerika me  dy parti është shembulli i demokracisë, jo në perfeksion, por që funksionon. Në çdo tetë vjet, amerikanët zgjedhin në krye një president të ri.

Italia me  njëqind e dy parti, ndërron çdo javë qeveri, pa ndry-shuar asgjë, po me ato fytyra, po me atë politikë të korruptuar, tamam si në Shqipëri, (Silvio e Salì). Më  thjesht akoma: nëse votat nuk do të fironin në klanet  korruptive kriminale, por do të shkonin në kutitë e  njërit pol, në masën e duhur për të qeverisur e realizuar programin e tyre, liderët politikë nuk do të  ishin të detyruar të komprometoheshin në “aleanca  politike” që në Shqipëri, (si në Itali) degradojnë në  kurthe, intriga, pazare e matrapazllëqe.

Mos e çoni  dëm votën e lirë! Një aleancë e dyshimtë politike  parazgjedhore mund të arrijë të ndërrojë qeverinë,  por jo qeverisjen e mbi të gjitha, nuk mund të garantojë qeverisje të mirë e aq më pak ndryshimin.  është folur e përfolur shumë aleanca parazgjed-hore PS – LSI, si “imorale”.

Që PS-ja nënë i ka hapur  derën “djalit plangëprishës” LSI nuk ka asgjë imorale, është thjesht normale. Në demokraci, atë  që nuk bën politika, shteti e drejtësia mund ta  bëjë Sovrani me votën e lirë. Ky është një tjetër  avantazh i demokracisë. Që kjo e fundit të funksionojë, sovrani duhet të ushtrojë të drejtën e të  kryejë detyrën. Rilindja e Shqipërisë është ide dhe  angazhim i madh.

Për t’u bërë realitet nevojitet  vullneti gjithë shqiptar, një prijës i mbarë me  mendje të kthjellët, këmbëngulës e me vizion.  Edi Rama duket i qartë dhe i vendosur për të filluar veprën e tij më të madhe kulturore, politike  ekonomike. Më 23 qershor ju takon ju bashkatdhetarë të dashur të vendosni për të vazhduar  avazin e vjetër, ose për të nisur një histori të re. Le  të besojmë për një Shqipëri më të mirë!  


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›