E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha e zbulimeve të mëdha

Autori i Lajmit: red.
Zbulimet më të rëndësishme të shekullit të XIX, zbulimi i qelizës dhe formulimi i teorisë qelizore, ligji i ruajtjes dhe shndërrimit të energjisë dhe teoria e evolucionit e Darvinit dhanë ndihmën e tyre në zhvillimin e mjekësisë. Zbulimi i qelizës dhe teorisë qelizore është lidhur ngushtë me zbulimin dhe perfeksionimin e mikroskopit. Huku ishte i pari që i dha asaj këtë emër. Mikroskopet e tij ai i provonte duke parë sende të ndryshme. Në shekullin XIX u zhvilluan mjaft degët e shkencës mjekësore si rezultat i zhvillimit të përgjithshëm të matematikës, fizikës, kimisë, biologjisë etj. Në këtë kohë ndryshoi rrënjësisht diagnostika dhe mjekimi i sëmundjeve. Lainek (1781- 1826) zbuloi stetoskopin me anë të të cilit ai dëgjoi tonet e zemrës shumë më qartë sesa me anë të vendosjes së veshit në kraharor.
Zbulimi i anestezikëve dhe përdorimi i gjerë i tyre në praktikë zhdukën njëherë e përgjithmonë dhimbjen gjatë operacioneve kirurgjikale, duke hapur përpara saj mundësi të mëdha. Jozef Listeri (1827-1912) duke u mbështetur në punimet e Pasterit, futi për herë të parë në kirurgji përdorimin e antiseptikëve duke ndihmuar në uljen e ndjeshme të infeksioneve pas operacioneve. Roli i Pasterit ka bërë që historia Mjekësisë të ndahet në dy periudha; para dhe pas- pasteriane. Mikrobiologjia ndihmoi në studimin e sëmundjeve ngjitëse, kirurgjisë, vuri bazat shkencore të kërkimeve epidemiologjike, veçanërisht në fushën e higjienës.
Paul Elrih (1845-1915) qënjihet si themelues i kimioterapisë ishte një eksperimentues i talentuar. Preparati 606 ose salvasani i zbuluar prej tij luajti një rol të madh në mjekimin e sifilizit dhe hapi rrugën për zbulimin e preparateve të tjera kimike për t u përdorur kundër sëmundjeve bakteriale e parazitare.
box
Rrezet X, metoda të reja diagnostikimi
Zbulimi i rrezeve X nga Vilhelm Konrad Rentgeni dhe i radioaktivitetit nga Mari dhe Pjer Kyri sollën në mjekësi metoda të reja diagnastikimi dhe mjekimi. Zbulimi i penicilinës dhe pas saj, një sere antibiotikësh të tjerë sollën një revolucion të vërtetë në mjekimin e shumë sëmundjeve, që dikur ishin vdekjeprurëse.
Kështu, shekulli i XX solli një revolucion të vërtetë në mjekësi në të gjitha fushat dhe degët e saj. Degët ekzistuese u thelluan dhe u zhvilluan në mënyrë të mahnitshme, por njëkohësisht lindën dhe degë të reja si virusologjia, imunologjia, gjenetika, dhe një sërë degësh të tjera që së bashku me numrin e pafund të metodave të reja të diagnostikimit dhe të mjekimit, japin një ndihmë të madhe në shëndetin e shoqërisë. Megjithatë, zhvillimi nuk mbaron këtu, sepse dhe problemet që dalin para saj për t u zgjidhur shtohen sikurse është sëmundja e re e rëndë e SIDA-s.
Përgatiti për botim D. Kona

Ky lajm është publikuar: 28/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›