E Diel, 1 Nëntor 2026

Sidni Hoxha, sportisti më i ri shqiptar në Pekin

Autori i Lajmit: Fatiola Kurteshi
Të gjitha vështirësitë e Sidnit me federatën e notit, deri në konfirmimin e ftesës nga Pekini

Emri: Sidni
Mniemri: Hoxha
Gjinia: mashkull
Data e lindjes: 06.01.1992
Vendi i lindjes: Shkodër
Sporti: Not 50 m stil i lirë
Gjatësia: 188 cm
Pesha: 63 kg

Mban rekordin kombëtar në pishinën 25 metra, në 50 m stil i lirë me kohën 24 86 ( Manchester)

Në 100 m stil i lirë me kohën 55 30 (Manchester)

Në 50 m stil shpinë me kohën 30 18 (Manchester)

Në 50 m stil bretkose me kohën 32 69 (Manchester)

Edhe pse është 16 vjeç, Sidni Hoxha do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike të Pekinit. Ndryshe nga adoleshentët e tjerë që pëlqejnë të dëfrejnë lokaleve apo pub-eve të kryeqytetit, Sidni ka zgjedhur një tjetër formë argëtimi. Që nga mosha 9-vjeçare ai është lidhur shumë ngushtë me sportin e notin, duke i kushtuar atij pjesën më të madhe të kohës. Duket se lodhja dhe përkushtimi ka filluar t i shpërblehet atij me medaljet e marra dhe së fundmi me pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të Pekinit edhe pse është sportisti më i ri që përfaqëson vendin tonë, ndoshta më i riu edhe në olipiadë ai vazhdon të stërvitet me një regjim të fortë për të arritur maksimumin e tij dhe për të treguar kudo në botë se edhe Shqiprëia ka notarë të zotë. Edhe pse ftesa e tij për të marrë pjesë në evenimentin më të rëndësishëm të sportit në botë u rikonfirmua disa herë për hir të burokracive, 16-vjeçari nga Shkodra nuk e humbi shpresën se do të ishte pjesë e sportistëve përfaqësues shqiptarë. Me punën e tij dhe të trajnerit të tij, Shkëqim Hoxha, njëkohësisht edhe babai i tij, ai i tregoi të gjithëve që është notar me më shumë rekorde në vend dhe që me të vërtetë meriton të shkojë në Lojërat Olimpike. Konfliktet e zgjatura mes Sidnin dhe federatës së notit u dukën qartë në rezultatet e tij, para se të merrte ftesën për në Pekin. Gjendja e tij psikologjike u reflektua në kohën e garës, e cila nuk ishte ajo e pritura edhe pse ishte kohë shumë e mirë. “Sidni nuk duhet të përzihet me burokracinë që e karakterizon sportin shqiptar, ai ka talent dhe punon shumë ndaj s duhet të dekurajohet, nëse nuk do shkojë mirë këtu, ai mund ta provojë edhe jashtë vendit”, thotë trajneri dhe babai i tij njëkohësisht, i cili ndihet mjaft i zhgënjyer nga federata për faktin se nuk do ketë mundësi të shoqërojë Sidnin në Pekin.
Jeni vetëm 16 vjeç, si e keni pritur ftesën për në Pekin?
Nuk di si ta shpjegoj gjendjen në të cilën kam qenë kur kam marrë ftesën për në Pekin, më dukej e pabesueshme edhe pse kisha punuar aq shumë për të arritur rezultatt e duhura. Loja e federatës me fatin tim, do iki s do iki më bëri të kem luhatje edhe në rezultatet e mia. Prisja ta thyeja rekordin me kohë më të shkurtër, por kjo situatë më tensionoi shumë.
Cila ishte arsyeja që jua kanë rikonfirmuar disa herë për të shkuar në Pekin?
Besoj se nuk kishte asnjë arsye për tu diskutuar veç burokracive në federatë, unë isha një nga sportistët që kisha arritur rezultatet më të larta deri atëherë dhe ftesa ime nuk ishte e rastësishme, pavarësisht se u bë shumë zhurmë. Edhe pse federata vendosi të bënte gara për të nxjerrë notarin më të mirë unë e ndjeja që do t ia arrija qellimit dhe do të realizoja ëndrrën që po mundoheshin të ma prishnin, pa të drejtë. Ftesa u rikonfirmua nga federata ndërkombëtare e Lojërave Olimpike dhe kështu unë u bëra pjesë e këtij evenimenti të rëndësishëm.
Si keni filluar të merreni me këtë sport dhe cili ju ka shtyrë drejt tij?
Kam filluar të merrem me sportin e notit, që në moshën 9-vjeçare. Ka qenë im atë që më ka shtyrë drejt këtij sporti të veçantë dhe shumë të bukur, dhe vazhdon të jetë trajneri im. Mendoj se është merita e tij që unë jam sot këtu, pasi të merresh me not në Shqipëri është një sakrificë shumë e madhe dhe një shpenzim që jo çdokush do të mund ta përballonte. Kam spikatur që në fillimiet e mia me rezultatet, që kam dhënë dhe deri tani kam mundur të thyej një pjesë të mirë të rekordeve shqiptare, në të gjitha stilet.
Për çfarë stili do të garoni në Lojërat Olimpike?
Unë do të garoj për 50 m stil i lirë, por kam kërkuar që të marr pjesë edhe në 100 m stil i lirë, sepse e ndjej veten mirë, kam përmirësime në kohë, ndaj shpresoj të marr pjesë edhe këtu.
Çfarë synoni të arrini në Pekin?
Nuk mund të pretendoj ndonjë gjë të madhe, do të jetë idiotësi të flas për medalje, duke qenë se në Shqipëri ka vetëm 1 vit që ka një pishinë dimërore, ku ne të stërvitemi edhe në dimër, pasi më parë stërvitja jonë ishte e përcaktuar vetëm në verë. Duke pasur këto kushte pretendoj të kap normën olimpike dhe të përmirësoj kohën e rekordeve shqiptare.
Ku studioni aktualisht?
Jam gjimnazist në vitin e tretë në shkollën “Ismail Qemali”. Të them të drejtën nuk jam nxënës shumë i mirë, sepse i kushtoj shumë kohë notit dhe stërvitjes, por më pëlqen të studioj, sidomos lëndët shkencore. Nuk jam shumë i prirur për lëndët shoqërore, ndaj kam zgjedhur që të studioj për lëndët ekzakte.
Çfarë fakulteti do të zgjidhni pasi të mbaroni gjimnazin?
Dëshiroj të studioj për Inxhinieri Ndërtimi, pasi mendoj se kam aftësi të mira për këtë degë. Sporti në Shqipëri nuk ka të ardhme ndaj është e nevojshme të zgjedhësh një profesion që të të sigurojë jetesën. Ndaj kam zgjedhur edhe këtë degë, sepse mendoj se në Shqipëri ka të ardhme.
Si e kalon kohën e lirë?
Nuk kam shumë kohë të lirë, sepse merrem me stërvitjen, por atë pak që kam e shfrytëzoj për të marrë informacione në internet për notarët e huaj që janë kampionë sot në botë. Ndjek me vëmendje ecurinë e tyre për të qenë sa më koherent me garat ku do marr pjesë. Nuk lexoj shumë libra, sepse jam pak dembel, por besoj se do ta rikuperoj në të ardhmen.
E frekuentoni jetën e natës?
Të them të drejtën nuk dal pothuajse fare natën, sepse nuk më bën mirë për mbarëvajtjen e stërvitjes. Duke qenë se i jam përkushtuar këtij sporti, dua të jap maksimumin tim, sepse askush nuk fal të paktën në sport, duhet të jesh më i miri për të arritur diçka, sepse ndryshe askush nuk do të kujtohet për ty.
Ju vjen keq që nuk argëtoheni njëlloj si bashkëmoshatarët tuaj?
Jo aspak, ndihem shumë mirë edhe pse nuk kam mundësi të argëtohem si bashkëmoshatarët e mi. Por, unë kam mundësi të përjetoj emocionet e tjera, siç janë garat, apo medaljet, për mos të folur për përfaqësimin e kombit, kënaqësi këto që shumë nga shokët e mi nuk kanë mundësi t i përjetojnë. Jam shumë i kënaqur që merrem me sport dhe nuk bëhem aspak pishman, që nuk jam njëlloj si moshatarët e mi.
Si i shprehni emocionet e një gare?
Jam tip i mbyllur dhe çdo gjë e mbaj brenda vetes, madje edhe emocionet e një gare fituese.
Çfarë muzike pëlqeni?
Më pëlqen të dëgjoj muzikë të bukur, nuk ka rëndësi se çfarë rryme i përket ajo.

Ky lajm është publikuar: 28/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›