E Diel, 1 Nëntor 2026

FSHF-Kuzhe, bashkëpunimi zgjatet deri në 2011

Autori i Lajmit: Redaksia
Tiranë - Një ditë më parë kishte shfaqur shqetësimin për mosrinovimin e kontratës, gjë që iu premtua publikisht nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, para ndeshjes së fundit eliminatore të Botërorit 2010 me Suedinë. Trajneri kroat i kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, ka marrë përgjigje një ditë më pas, pikërisht dje, teksa vetoja e kreut të futbollit shqiptar në të tilla raste, është përkthyer në kontratë financiare e ligjore nga Komiteti Ekzekutiv, në mbledhjen e së martës. Më konkretisht, FSHF-ja ka rinovuar kontratën e bashkëpunimit me Josip Kuzhen deri në dhjetor të vitit 2011, që koincidon edhe me përfundimin e fazës kualifikuese të Euro 2012. Kontrata e Kuzhes skadonte në maj të vitit 2010, por të drejtën për të bërë rinovimin ose jo e ka pasur vetëm pala shqiptare. Ky institucion ka vendosur që ta zgjasë bashkëpunimin me kroatin edhe për një vit e gjysmë tjetër, ndërkohë që për trajnerin nuk do të ketë asnjë rritje rroge. Ai do të paguhet me të njëjtën shifër, rreth 10 mijë euro në muaj, ndërkohë që do të vazhdojë të jetojë në Shqipëri. Kroati në kërkesën e tij ka sqaruar se ka pasur oferta të tjera, duke qenë se me FSHF-në ligjërisht mund ti mbyllë marrëdhëniet majin që vjen, kështu që nuk dëshiron ti humbasë rastet e mira, nëse FSHF nuk ka ndër mend tia rinovojë kontratën. Çështja e rinovimit të Josip Kuzhes kaloi pa debate në mbledhjen e KE-së, pasi puna e deritanishme e kroatit ka qenë bindëse. Në fillim të janarit, në Turqi do të zhvillohet “zbori” i radhës me lojtarët më të mirë dhe të perspektivës së kampionatit shqiptar, që do të kalojnë në “lupën” e kroatit për të paktën 7 ditë. Të mërkurën e kaluar (u luajtën ndeshjet e kthimit të turit të dytë të kupës) dhe në fundjavë Kuzhe ndoqi disa ndeshje në vendin tonë, ndërsa dy ditë më parë ka udhëtuar drejt Gjermanisë, ku do të vëzhgojë dhe bisedojë me Mërgim Mavrajn, futbollist shqiptar me pasaportë gjermane (ka luajtur me Shpresat e Gjermanisë), i cili luan me Bohumin në Bundesligë. Fakti që kroati është i impenjuar maksimalisht për gjetjen e elementëve cilësorë për kombëtaren shqiptare, tregon se ai dëshiron të vijojë me projektin e tij edhe pas muajit maj. Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar 6 ndeshje brenda 8 muajve të parë të drejtimit të Josip Kuzhes. Kroati e nisi aventurën e tij në krye të kuqezinjve në ndeshjen e vështirë me Portugalinë (1-2) në “Qemal Stafa”, për eliminatoret e Botërorit 2010. Me Kuzhen Shqipëria ka luajtur tri ndeshje eliminatore dhe tri miqësore. Për botërorin afrikan kuqezinjtë kanë marrë një barazim dhe dy humbje, ndërsa në tri miqësoret e zhvilluara dy barazime dhe një fitore tenistike me Qipron (6-1). Golaverazhi i përgjithshëm: 10/9. Ndër vendimet e tjera të Komitetit Ekzekutiv ka qenë ai për rikonstruksionin e fushave të stadiumit “Flamurtari” në Vlorë dhe “Loro Boriçi” në Shkodër. Një tjetër vendim ka qenë ai për licencimin e klubeve sipas kërkesave të UEFA-s, por edhe heqja e detyrimeve për futbollin amator.

Ky lajm është publikuar: 16/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›