E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha për kapitull të ri në marrëdhëniet Kosovë – Serbi

Mbledhja që ka shënuar edhe përpjekjen e parë publike të Serbisë që të zbusë rëndësinë e faktit që opinioni ka vlerësuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, i ka shërbyer ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni, që të kërkojë nga Këshilli i Sigurimit që ta zëvendësojë Rezolutën 1244.

Në një debat që ka zgjatur më shumë se dy orë ministri i jashtëm i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, dhe homologu i tij serb, Vuk Jeremiç, kanë shfaqur interpretimet e tyre të ndryshme për opinionin e GJND-së, kanë replikuar rreth interpretimit të Mendimit, dhe kanë kërkuar që të bisedohet. Jeremiç ka kërkuar që të bisedohet për statusin, ndërkaq Hyseni ka kërkuar që të bashkëpunohet si dy shtete.

Përderisa ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka thënë se Serbia dëshiron që t`i shkrijë marrëdhëniet me Kosovën dhe të gjejë zgjidhjen e përbashkët, ministri kosovar, Skënder Hyseni, ka kërkuar nga Serbia që të respektojë Mendimin që “vetë e ka kërkuar nga GJND-ja dhe të fillojë bashkëpunimin me Kosovën si dy shtete”.

Shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit kanë kërkuar që të dyja vendet të shfrytëzojnë rrethanat e krijuara pas opinionit për të biseduar. Përderisa shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës kanë deklaruar se bisedimet nuk duhet të “prekin integritetin territorial të Kosovës dhe as statusin e saj”, shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë kanë kërkuar vetëm bisedime, pa e precizuar natyrën e tyre.

Ambasadorët e disa shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, si Brazili, Meksika, Gaboni dhe Libani, kanë thënë gjatë adresimit në këtë mbledhje se qeveritë përkatëse janë duke e shqyrtuar opinionin e GJND-së dhe implikimet që dalin nga ai.

Duke u bërë thirrje vendeve që kanë pritur vendimin e GJND-së për të vendosur për njohjen ose jo të Kosovës, që ta marrin vendimin për njohje, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, ka thënë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk ka lënë vend për paqartësi dhe se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.

"Ka ardhur koha që Kosova dhe Serbia të fillojnë një kapitull të ri, kapitull të bashkëpunimit shtet me shtet. Bashkëpunimi midis vendeve tona në çfarëdo çështjesh që mund të identifikohen si çështje të interesit për të dyja vendet është thelbësore për të ardhmen tonë evropiane. Dëshiroj që edhe një herë në mënyrë të qartë të nënvizoj gatishmërinë e Republikës së Kosovës për bashkëpunim me Republikën e Serbisë. Bashkëpunimi në çfarëdo fushe duhet të zhvillohet mbi baza krejtësisht të barabarta dhe mund të ndodhë vetëm mbi bazë të bashkëpunimit shtet me shtet", ka thënë Hyseni.

"Kemi një thirrje për të bërë sot. Edhe një herë i bëjmë thirrje Serbisë. Le të fillojmë të bashkëpunojmë si dy shtete fqinje për të mirën e vendeve tona. Kjo është e vetmja rrugë që duhet ndjekur. Mos hidhni më tepër postblloqe diplomatike në këtë rrugë. Këtë po e kërkon bota, këtë po na e kërkojnë miqtë e përbashkët. Le të bëhemi të përgjegjshëm", ka shtuar ai.

Ministri Hyseni ka përsëritur kërkesën sipas së cilës ka ardhur koha që Rezoluta 1244 të zëvendësohet me një rezolutë të re, e cila do të reflektonte realitetet e krijuara me pavarësinë e Kosovës dhe me Mendimin e qartë të GJND-së në favor të saj. “Kërkesa jonë për zëvendësim të 1244 është në linjë me objektivin e Kosovës për t'u bërë anëtare e OKB-së. Anëtarësimi në OKB është objektiv të cilin synojmë ta arrijmë sa më shpejt që të jetë e mundshme, si një hap i natyrshëm pas Mendimit të GJND-së “, ka thënë Hyseni. Ai i ka quajtur kriminale strukturat paralele në veri dhe ka thënë se po bëjnë kërcënime dhe presion ndaj anëtarëve të komuniteti serb, të shumicës serbe të cilët janë të gatshëm të integrohen dhe të punojnë me shqiptarët dhe fqinjët e tjerë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për gjithë Kosovën.

Ministri i Jashtëm i Kosovës ka rikujtuar se para më pak se dy vjet, me kërkesë të Serbisë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kërkoi nga GJND-ja të ofrojë një mendim këshillëdhënës për pavarësinë e Kosovës. "Atëherë pata theksuar se `është për keqardhje që një kërkesë e tillë është paraqitur'. Jo pse kisha dyshime në legjitimitetin dhe të drejtën e Kosovës për pavarësi, por brenga ime ishte se procesi në Gjykatë pashmangshëm do të kishte efekte të vonimit të shumë proceseve që lidheshin me Kosovën, por po ashtu edhe me Serbinë, dhe domosdo do të vononte fillimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona. Po ashtu do t'ju kujtohet edhe deklarata ime e mëtejme lidhur me procesin në GJND, të cilën dëshiroj ta përsëris: ' Dua të ritheksoj përkushtimin tonë ndaj drejtësisë dhe besimin tonë në drejtësi dhe se ne kemi besim të plotë në drejtësinë e GJND-së. Prandaj, kemi besim të plotë se trajtimi dhe vendimi i GJND-së do të jetë i drejtë dhe i paanshëm", ka thënë Hyseni.

“është e qartë se pavarësia e Kosovës nuk ka krijuar asnjë precedent. Kosova është dhe gjithmonë ka qenë rast i veçantë, përkatësisht sui generis”, ka shtuar kreu i diplomacisë kosovare.

Ministri i Jashtëm i Republikës së Serbisë ka pranuar para Këshillit të Sigurimit se opinioni i GJND-sa ka vlerësuar se “shpallja e Deklaratës së Pavarësisë nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”, por një vlerësim i tillë, sipas tij, është teknik dhe nuk ia jep të drejtën Kosovës që të ndahet nga Serbia. Gjatë një replike që ka pasur me ministrin kosovar Skënder Hyseni, Jeremiq ka thënë se deklarimi i pavarësisë nuk nënkupton shtetësinë. “Në rregull, deklarata e pavarësisë nuk e paska shkelur të drejtën ndërkombëtare, por a do t’ua japë kjo shtetin?”, ka thënë Jeremiç gjatë replikës së tij.

Në fjalimin e rregullt që ka mbajtur para Këshillit, ministri serb ka thënë se çështja e opinionit duhet lënë Asamblesë së Përgjithshme.

“Debati në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe propozimrezoluta e Serbisë do të jetë një mundësi e mirë që shtetet anëtare të bashkuara në mënyrë të vendosur të japin një mesazh të qartë, sepse në të kundërtën në skenën botërore do të instalohet një precedent universal për shkëputjet e njëanshme “, ka thënë Jeremiç.

Sipas tij, Serbia do të vazhdojë të përdorë të gjitha mjetet diplomatike që ka në dispozicion për të mbrojtur sovranitetin e vet shtetëror dhe, siç ka thënë ai, “për t'u përballur me përpjekjet që kufijtë e saj të ndryshohen me dhunë”.

“Asnjë komb paqedashës dhe krenar, i përballur me këto kërcënime, qoftë popull afrikan, evropian, aziatik ose amerikan, komb i vogël apo i madh, i pasur apo i varfër, nuk do të vepronte ndryshe”, ka thënë ministri serb, duke përsëritur se Serbia në asnjë rrethanë dhe në asnjë mënyrë “nuk do ta njohë shpalljen e njëanshme të pavarësisë e Kosovës”.

Jeremiç gjatë fjalimit të tij ka sulmuar opinionin e GJND-së që e ka vlerësuar si legjitime shpalljen e pavarësisë, duke e kritikuar atë që Jeremiç e ka quajtur “mënyrë teknike” të qasjes që GJND-ja e ka pasur ndaj pyetjes që e ka ngritur vetë Serbia.

Veç tjerash, sipas tij, Gjykata ka konfirmuar në mënyrë të qartë se Kosova mbetet nën administrimin e OKB-së në bazë të Rezolutës 1244 dhe Kornizës Kushtetuese të UNMIK-ut që,sipas Jeremiqit, do të “thotë se Kosova është territor nën regjimin ndërkombëtar, në bazë të mandatit nga Këshilli i Sigurimit”.
”Gjykata nuk ka pranuar mendimin se shpallja pavarësisë së njëanshme të Kosovës është rast unik, siç pretendon Prishtina”, ka thënë Jeremiç. Sipas tij, Gjykata nuk ia ka dhënë të drejtën Kosovës që të shkëputet nga Serbia, as të drejtën për vetëvendosje shqiptarëve të Kosovës.

“Gjykata vendosi për të shqyrtuar ngushtë gjuhën e shpalljes së njëanshme të pavarësisë", ka thënë Jeremiq, duke shtuar se “një qasje e tillë teknike ka çuar në përfundimin se deklarata vetë nuk e shkel ligjin ndërkombëtar”.

“Kjo, për fat të keq, la vend për keqinterpretime të rrezikshme sipas të cilave Gjykata ka legalizuar shkëputjen e njëanshme e shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë Jeremiç duke shtuar se edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së është pajtuar se duhet t`i lihet Asamblesë së Përgjithshme "për të vendosur se si të vazhdojë në këtë çështje." Ministri serb ka kërkuar që për Kosovën të ketë bisedime dhe të gjendet një zgjidhje e pranueshme nga të gjithë.

Në replikën që i ka bërë homologut të tij Jeremiç, ministri kosovar Skënder Hyseni ka thënë se përpjekja e Serbisë që të keqinterpretojë opinionin që e ka kërkuar vetë nga GJND-ja është e rrezikshme.
Se opinioni ka hapur rrugën për bisedime është pajtuar edhe shefi i UNMIK-ut, Lamerto Zannier.

Përfaqësuesi i sekretarit të përgjithshëm ka raportuar për zhvillimet në veri të Kosovës gjatë këtij tremujori dhe aktivitetet e UNMIK-ut në këtë periudhë. Shefi i UNMIK-ut në përgjithësi i ka përsëritur qëndrimet e raportit të sekretarit të përgjithshëm duke dhënë edhe detaje rreth zhvillimeve. Sipas shefit të UNMIK-ut, çështjet e pazgjidhura politike dhe zhvillimi i ngadalshëm ekonomik paraqesin probleme për stabilizimin e veriut dhe duhet kërkuar nga të gjitha palët që të angazhohen në zgjidhjen e problemeve përmes dialogut. Duke e vlerësuar si një vendim të rëndësishëm Mendimin e GJDN-së, Zannieri ka thënë se ky mendim nuk e pengon ekzistimin e UNMIK-ut në Kosovë dhe as neutralitetin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës.

Shtetet anëtare kanë thënë se e kanë pranuar opinionin e GJND-së, ndërkaq periudha pas fjalës së gjykatës së botës duhet shfrytëzuar për ndërtimin e marrëdhënieve më të mira mes Kosovës dhe Serbisë.

Britania e Madhe u ka bërë thirrje shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që sa më parë ta bëjnë një gjë të tillë. “Mbretëria e Bashkuar mbështet integritetin territorial të Kosovës dhe mbështet opinionin e GJND-së se shpallja e pavarësisë ishte në harmoni të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Kosova është rast unik dhe nuk është model për rastet e tjera”, ka thënë zëvendësambasadori britanik në OKB, Philip Parham.

Sipas tij, Britania e Madhe e ka të qartë se Kosova nuk mund të kthehet tek negociatat për statusin e as për kufijtë e vet. “E ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është si shtete të pavarura në BE”, ka thënë Parham.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Rosemary di Carlo, ka thënë se opinioni i GJND-së jep shpresë për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova nuk është precedent për rastet e tjera. Kosova është rast unik. Ne u bëjmë thirrje shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë një gjë të tillë. Kosova ka një demokraci shumetnike. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kufijtë e saj janë të pacenueshëm”, ka thënë Di Carlo.
Duke iu referuar raportit të Banit, ambasadorja amerikane ka thënë se sekretari i përgjithshëm ka vërejtur progreset e shënuara në Kosovë, përfshirë konsolidimin e marrëdhënieve ndëretnike. “SHBA-ja dënon të gjitha përpjekjet për minimin e ndërtimit të institucioneve në veri të Kosovës”, ka thënë Di Carlo, duke shtuar se Kosova dhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë opinionin e GJND-së për të ecur përpara.

Edhe zëvendësambasadori i Francës në OKB, Nicolas de Riviere, ka thënë se shteti i tij kërkon nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë një gjë të tillë, ndërkaq Serbia dhe Kosova të fillojnë të bisedojnë për çështje praktike. “Nuk është më koha për spekulime. Opinioni i GJND-së në mënyrë përfundimtare ka dhënë një pikë në këto debate. Tash është koha vetëm që të punohet për perspektivën e dy shteteve”, ka thënë Riviere.

Dy shtetet e tjera të përhershme të KS të OKB-së, Rusia dhe Kina, kanë thënë se me gjithë opinionin e GJND-së vazhdojnë që të mbështesin integritetin territorial të Serbisë, dhe se nuk e kanë ndërmend që të ndryshojnë qëndrimet e tyre karshi shpalljes “së njëanshme të pavarësisë”.

Ambasadorët e disa nga shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, si Brazili, Meksika,
Gaboni dhe Libani, kanë thënë gjatë adresimit në këtë mbledhje se qeveritë përkatëse janë duke e shqyrtuar opinionin e GJND-së dhe implikimet që dalin nga ai.

Edhe ambasadori i Meksikës, Claude Heller, e edhe ambasadorja braziliane, Maria Luiza Ribeiro Viotti , kanë thënë se qeveritë e shteteve të tyre janë duke e shqyrtuar në detaje opinionin e GJND-së, ndërkaq kanë kërkuar bashkëpunim mes Kosovës dhe Serbisë./kd/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›