E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radhët për pasaportaTë shtohet personeline zyrat e aplikimit

TIRANE- Sportelet e gjendjeve civile jo vetëm në kryeqytet, por dhe në disa qytete janë të mbipopulluara nga aplikues të cilët kërkojnë të pajisen me pasaporta biometrike dhe karta identiteti. Fluksi është rritur ndjeshëm sidomos me fillimin e muajit gusht kur një numër i madh emigrantësh kthehen në atdhe me pushime dhe njëkohësisht kërkojnë të pajisen me pasaporta biometrike dhe karta identiteti. Por, në zyrat e aplikimeve kanë hasur në probleme pafund, për shkak të numrit të vogël të punonjëseve që bëjnë aplikimin.

Qytetarët janë të detyruar të zënë radhën që në orët e para të mëngjesit. Në Tiranë urdhri që qytetarët mund të aplikojnë në çdo njësi, edhe pse mund të jenë të regjistruar në një tjetër njësi bashkiake ka sjellë një kaos më të madh.

Kryetarët e minibashkive në Tiranë kanë bërë kërkesë që numri i punonjëseve në këto zyra të shtohet sidomos për muajin gusht. Numri i punonjësve që bënin aplikimet për karta identiteti, gjatë zgjedhjeve ishte 4 -5, sot ka vetëm 1 deri në 2 punonjës.

Kryetarja e njësisë nr.1, Lindita Nikolla ka deklaruar për Gazeta Shqiptare se i është dërguar një shkresë zyrtare për shtim personali në fillim të muajit Ministrisë së Brendshme, nga varen dhe punonjësit e këtyre zyrave, por nga ana e kësaj të fundit nuk është kthyer asnjë përgjigje. Një prej ditëve ku ka pasur dhe më tepër fluks të qytetarëve ka qenë dita e hënë, ku në njësinë bashkiake nr.1, në zyrat e gjendjeve civile aplikuan 120 qytetarë. Në njësinë bashkiake nr.2, ditën e djeshme, në listën që qytetarët e përpilojnë për të respektuar radhën, ishin regjistruar për aplikim emrat e mbi 200 personave.
Në Fier shkruan GSH pajisja me pasaportë biometrike është kthyer në një biznes për disa të rinj të papunë. Ata zënë radhë që në orët e para të mëngjesit dhe më pas i shesin ato (radhët) kundrejt tarifës prej 1000 lekësh.Në qytetin e Fierit, në këtë periudhë fluksi, aplikojnë mesatarisht 250 persona në ditë. Deri një javë më parë është punuar me 5 sportele.

Por sipas zv/ministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni  personeli është i mjaftueshëm për të përballuar fluksin e aplikuesve, citon "Gazeta Shqiptare".
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›