E Diel, 1 Nëntor 2026

Koha për ndërkombëtarizimin e procesit të akreditimit të universiteteve shqiptare



Deputet i PD-së dhe zv.kryetar i Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik

Edukimi ka shumë kuptime, por më aktuali është dhënia e një kuptimi të asaj që duhet bërë në drejtim të ndërtimit të së ardhmes si për veten ashtu dhe për komunitetin ku bëjmë pjesë. Globalizmi dhe hapja e dyerve vë në rend të ditës një çështje me rëndësi jetike për jetën ekonomike e sociale të kombit shqiptar: Profesionet intelektuale shqiptare dhe vendi i tyre në konkurrencën kombëtare dhe ndërkombëtare. Sistemi universitar kombëtar mbarëshqiptar duhet të përballojë me sukses sfidat për përgatitjen e kuadrove, për vlefshmërisë e diplomave të lëshuara dhe diturive të fituara në lidhje me kërkesat gjithnjë e në rritje të tregut. Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje duhet të fillojmë nga një analizë e thellë e gjendjes së universiteteve publike dhe atyre private me moton se “dëmi që i shkaktojnë piramidat financiare një vendi nuk është asgjë para katastrofës që piramida e edukimit i përgatit një kombi”. Dikur diploma ofronte një pasaportë për të ushtruar profesionin deri në moshën e pensionit: por kjo i përket historisë. Sot dituria duhet vazhdimisht të ripërtërihet bile dhe profesionet duhet të ndryshojnë pasi në të kundërt çdo përpjekje për të përmirësuar standardin e jetesës do të ishte pa vlerë. Ka ardhur koha që të fillojë një proces akreditimi ndërkombëtar i Arsimit të Lartë shqiptar, sepse nuk mund të ketë më prodhim kuadrosh “të mirë vetëm për në Shqipëri”. Marr shkas për të përshëndetur Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, e cila ftoi një delegacion të Këshillit Britanik të Akreditimit (KBA) për të bërë një vlerësim të Institucioneve Private të Arsimit të Lartë në Kosovë (IPAL). Masat që u morën nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës synojnë t’i thonë “Ndal” arsimimit jashtë standardeve evropiane. Ndërsa qeveria e Kryeministrit Berisha do të mbahet mend për ndërtimin e autostradës që do të eliminojë barrierat fizike që kanë ndarë në shekuj dy pjesët e një të tëre të kombit shqiptar, qeveria e Kryeministrit Thaçi do të kujtohet si e para në rajon që guxoi të hapë autostradën për në Zonën evropiane të dijes, duke kërkuar njehsimin e Arsimit të Lartë shqiptar në Kosovë me atë evropian, nëpërmjet akreditimit nga Këshillit Britanik i Akreditimit. Të dyja këto janë nisma komplementare që do të ndikojnë mjaft pozitivisht për të ardhmen evropiane të kombit shqiptar. Në fushën e arsimit iniciativa kosovare mund të quhet iniciativë nga lart–poshtë. Por, për mendimin tim, ka dhe një iniciativë tjetër, ajo nga poshtë–lart, d.m.th. që çdo institucion i Arsimit të Lartë, në bazë të autonomisë që gëzon me ligj, ka të drejtë, por dhe obligim ndaj shoqërisë së cilës i ofron dije, të kërkojë akreditim ndërkombëtar. Çdo universitet shqiptar duhet të krijojë sa më parë Zyrën e Garantimit të Cilësisë dhe të akreditimit të brendshëm, e cila do të ndiqte në mënyrë të vijueshme problemet e cilësisë, duke përgatitur terrenin për një akreditim të shpejtë ndërkombëtar të universitetit të vet. Kur flasim për universitete shqiptare, nuk bëj dallim në se ato janë publike apo private, sepse ajo që ka rëndësi është cilësia e produktit final të tyre të gatshëm për tregun evropian të punës. Me fjalë të tjera universitetet publike apo private nuk duhet të presin vetëm “akreditimin nga lart”, por në radhë të parë të nxisin akreditimin e brendshëm dhe të kërkojnë akreditimin ndërkombëtar të tyre pranë agjencive të specializuara ndërkombëtare. Kujtojmë se objektivi i parë i procesit të Bolonjës është njohja e titujve akademikë dhe kualifikimeve profesionale me qëllim të lëvizjes së lirë të studentëve dhe stafit akademik në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë; me fjalë të tjera t’i lejojë çdo studenti shqiptar të lëvizë lirisht nga një universitet në tjetrin, dhe t'i krijojë mundësinë çdo të diplomuari në Shqipëri që të konkurrojë në mënyrë të barabartë e pa asnjë diskriminim në vende të ndryshme të Evropës për të fituar një vend pune. Nënshtrimi i procedurave të akreditimit, në asnjë mënyrë nuk duhet interpretuar si “gjueti shtrigash” ndaj universiteteve private, të cilat kanë vlerat e tyre në mozaikun e Arsimit të Lartë shqiptar. Eksperienca e fqinjit tonë Italisë tregon se në fusha të tilla si Ekonomia e Jurisprudenca në krye të klasifikimit qëndrojnë universitetet private si Bocconi, “la Catolica di Milano” e “Luiss di Roma”. Problemi i akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë Shqiptar nga Institucione të Specializuara Ndërkombëtare, me iniciativën e Universitetit të Tiranës, ka gjetur përkrahjen e njërës prej Agjencive më Prestigjioze gjermane të Akreditimit, atë të Landit Bavarez. Përfaqësues të kësaj agjencie, në vizitën e fundit që bënë në Komisionin e Edukimit dhe të Mjeteve të Informimit Publik si dhe gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, bënë me dije gatishmërinë për të ndihmuar Arsimin e Lartë shqiptar në këtë drejtim. Sfida për arritjen e cilësisë në Hapësirën e evropiane të arsimit të lartë ka një rëndësi absolute për të gjithë sistemin tonë universitar. Jemi të bindur të gjithë, që krijimi i kësaj hapësire do të kontribuojë në përmirësimin e ofertës formuese dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor, por mbi të gjitha në përshpejtimin e procesit të modernizimit të vendit tonë dhe në fuqizimin e konkurrueshmërisë në rajon e më gjerë. Është evidente që rritja e cilësisë së sistemit tonë arsimor nuk mund të anashkalojë proceset vlerësuese, të cilat kanë për qëllim të nxjerrin në dukje pikat e forta, por dhe ato të dobëta që e karakterizojnë atë. Nga ana tjetër vlerësimi duhet të marrë dhe vlera strategjike, duke synuar që t’i kërkohet qeverisë shqiptare një financim i diferencuar i universiteteve në bazë të rezultateve të arritura në procesin e edukimit dhe kërkimit shkencor. Sfida është me rreze të gjerë veprimi dhe konkretisht: të nxisë politikën e cilësisë dhe të meritës, të favorizojë lidhjen institucionale ndërmjet vlerësimit dhe shpërndarjes së financimeve, të evitojë parcializimet joproduktive, të nxisë strukturat tona të kërkimit shkencor në kuadër kombëtar dhe ndërkombëtar, të përcaktojë fusha dhe sektorë të ekselencës si dhe sektorët e dobët që duhen forcuar. Duhet të jenë në thelb këto objektivat strategjike të vlerësimit të institucioneve të arsimit të lartë. Është koha që universitete shqiptare si ato publike ashtu dhe ato private, me guxim e transparencë të realizojnë marrëveshje dhe projekte për ndërkombëtarizimin e procesit të akreditimit, për të zënë vendin e merituar në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›