Familja si diferencë politike
Në mungesë të një politike të qartë opozitare, opozita e majtë është kapur pas një reagimi ndryshe të Kryeministrit ndaj një provokimi banal të deputetit socialist, Taulant Balla, në sallën e Parlamentit. Në fakt, dialogu, objekt i debatit, ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik jo se në Parlamentin shqiptar nuk ka ndodhur më gjëra të tilla, përkundrazi, por për faktin se për herë të parë politikani Berisha është detyruar të dalë nga niveli intelektual, natyra, kultura dhe edukata e tij, për t’iu përgjigjur me të njëjtën gjuhë një provokimi të vazhdueshëm të opozitës së majtë ndaj familjes së tij. Duhet pranuar fakti se familja e Kryeministrit, në mënyrë të veçantë e bija e tij, është vënë në qendër të akuzave asnjëherë të vërtetuara apo argumentuara, ose më mirë të themi shpifjeve të opozitës që ditën e parë të pushtetit të PD-së. Duket se ky ka qenë një sulm i llogaritur mirë ndaj Kryeministrit, familja e të cilit bën dukshëm diferencë ndaj familjeve të liderëve të opozitës së majtë shqiptare. Natyrisht që ky kontrast publik midis familjeve në fjalë përbën natyrisht edhe një kartë të fortë në pokerin politik e elektoral, që në rastin e zotit Berisha mund të konsiderohet pa dyshim si një “as”. Fakti që me gjithë përpjekjet titanike të opozitës dhe mediave për të akuzuar familjen e Kryeministrit, askush deri tani nuk ka arritur të sjellë qoftë edhe një provë për ta bërë të besueshëm këtë aksion disavjeçar të opozitës shqiptare. Duhet thënë se akuzat ndaj vajzës së Kryeministrit nuk përbëjnë më asnjë interes për opinionin publik, mirëpo për një prind, qoftë ky edhe Kryeministër, durimi ka një kufi. Aq shumë e ka tepruar opozita me përgojimin e familjes së zotit Berisha, saqë ai është i justifikuar në reagimin me këdo që ka marrë përsipër një aksion kaq të pështirë. Mendoj se diferenca qëndron me perceptimet që kanë palët në incident dhe debatit rreth tij për familjen. Ata që nuk arrijnë ta kuptojnë, justifikojnë dhe ta mbështesin Kryeministrin në reagimin e tij kanë pa dyshim një qëndrim të ndryshëm për familjen, dinjitetin dhe nderin. Perceptimi dhe rëndësia e familjes janë thelbësore për rrymat dhe ideologjitë në të gjithë botën. Familja përbën themelin e filozofisë së djathtë politike dhe shenjtëria e saj është shume e rëndësishme për ata që besojnë në këtë filozofi. Vetëm kaq mjafton për të motivuar e justifikuar reagimin e Berishës .
Ajo që ka bërë më shumë përshtypje në debatit rreth incidentit Berisha-Balla është fakti se askush nuk e ka kontestuar deri tani vërtetësinë e kundërpërgjigjes së Kryeministrit, por kapen tek fakti përse ai guxoi të citojë ndoshta jo në mënyre elegante e diplomatike një të vërtetë.
Por në fakt, opozitën nuk e shqetëson e vërteta, por reagimi i Berishës, ndoshta për herë të parë në karrierën e tij politike, me stilin dhe fjalorin e tyre. Sikur këtë gjë ta kishte bërë Nano apo Rama, askush nuk do të kishte reaguar, pasi kjo lloj sjelljeje tek lidershipi i majtë është një normalitet. Dua të sjell në vëmendjen e opinionit publik se askush nga ata që ulërijnë sot kundër Berishës, nuk guxuan të thonë asnjë gjysmë fjale kur Edi Rama fyeu duke e quajtur “prostitutë” përpara kamerave dhe qytetarëve një gazetare të nderuar të “Shijak TV”. Madje, edhe mediat që përgjërohen sot për Taulant Ballën, heshtën sikur ajo të mos ishte kolegia e tyre. Ish-Kryeministri Fatos Nano nuk la gjë pa u thënë në KPD-në e famshme të PS-së, nga fyerjet me libër shtëpie e deri tek gjestet (gishtin në prapanicë ) dhe këta që reagojnë sot ndaj Berishës nuk nxorën zë. Ka me qindra fakte, prova e argumente që theksojnë kontrastin mes sjelljeve politike e shoqërore të së majtës dhe të së djathtës në Shqipëri. Pa dyshim në thelb të këtij ndryshimi janë familja, konceptimi dhe raportet me të, si dhe edukata që vjen prej saj. Mendoj se opinioni i shëndoshë i shoqërisë shqiptare është me Berishën, për sa i përket reagimit të tij ndaj provokimit në Parlament. Nëse ka ndonjë që Berisha duhet t’i kërkojë falje, pa dyshim që ai është elektorati që e ka votuar, edhe për faktin se si familje, karakter e komunikim është shumë larg me kundërshtarët e tij që po tregojnë se nuk janë vetëm politikë, por edhe moralë. Ai duhet të kërkojë falje në mënyrë të veçantë për faktin që lejoi qoftë edhe për pak sekonda të ulte nivelin e tij të komunikimit në nivelin intelektual e moral të Ballës, pavarësisht pamundësisë për të komunikuar me të shumicën e politikanëve opozitarë në mënyrë tjetër .