E Shtunë, 31 Tetor 2026

Respekti ndaj institucioneve, detyrim politik, moral e qytetar



Duke qenë në ditët përmbyllëse të sesionit të parë të këtij viti, natyrshëm ndihemi krenarë për bilancin pozitiv të zhvillimeve tona demokratike, të reformave të kryera dhe të perspektivave që hapen për të ardhmen e vendit. Ky vit ka qenë padyshim mjaft i suksesshëm, sidomos në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe për në BE. Është më se e vërtetë se këto suksese janë arritje të të gjithë shqiptarëve, por gjithsesi, ky vend udhëhiqet nga mazhoranca. Respekti dhe nderimi i institucioneve është një detyrim politik, moral e qytetar ku nuk mund të veçohen drejtuesit politik të mandatuar nga vota e popullit. Kohët e fundit në kampin opozitar e veçanërisht midis disa deputetëve të njohur si nihilistë e kritizerë, janë ngritur tonet me synimin e diskreditimit të qeverisë e punës së saj. Çdo deklarim zyrtar i arritjeve etiketohet pa të keq si gënjeshtër e mashtrim. Sa herë që Kryeministri deklaron se ne jemi qeveri e premtimeve të mbajtura dhe fton qytetarët për t’i rivotuar, siç ishte edhe miratimi i buxhetit shtesë, aq më shumë opozitarët politikë bien në pozitat e mohimit të fakteve, të realitetit, të zhvillimit konsistent. Kështu ndodhi në seancën e kaluar. Duke mos përdorur argumentet, por shpifjet, fyerjet, bile edhe ndaj pjesëtarëve të familjeve, jo të vërtetat, por dhunën cinike verbale, jo dinjitetin e një deputeti, por imoralitetin e një njeriu provokator pa dinjitet. Këto janë akte të qëllimshme, provokuese të përsëritura shumë herë në këto 3 vite, duke shkelur me fodullëk e me paramendim rregulloren e Parlamentit. Respektimi i rregullores për cilindo deputet është detyrë e Kryetares së Kuvendit. Koha ka treguar korrektësinë e saj. Sa herë që kjo rregullore është shkelur nga kushdo, ajo ka kërkuar zbatimin. Pra, edhe për fitoren e marrjes së ftesës së anëtarësimit në NATO, që është në fakt një arritje kombëtare e historike, opozitarët e mohojnë rolin udhëheqës të kësaj qeverie, të kësaj mazhorance dhe të vetë Kryeministrit Berisha. Kryeministri është institucion. Kushdo qoftë ai që mandatohet të jetë Kryeministër i Shqipërisë, nuk mund të mos përmbushë jo vetëm vullnetin e zgjedhësve, por mbi të gjitha detyrimet që rrjedhin nga ligji themelor i shtetit - Kushtetuta e Shqipërisë. Shumëkush, energjinë, vrullin, punën, iniciativën e protagonizmin e Kryeministrit e shohin si protagonizëm negativ, si subjektivizëm voluntarist dhe si uzurpim të pushteteve të organeve të tjera, ata gabohen. Kur një funksion i lartë shtetëror, i konceptuar nga Kushtetuta si post kyç për drejtimin e vendit, bashkohet dhe me njeriun e duhur atëherë pa dyshim suksesi është i garantuar. Ndryshe nga kundërshtarët ndjellakeqas, populli prej vitesh është bindur se ky Kryeministër është dinjitoz, atë që thotë e bën, atë që është vendosur e zbaton, ai është këmbëngulës për zbatimin e ligjit dhe për t’u shkuar gjërave deri në fund. Ndoshta shembulli me kuptimplotë i kësaj konsistence e vullneti politik është vendosmëria e Kryeministrit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Që në shtatorin e vitit 1992 si politikani i parë shqiptar, Berisha, në atë kohë President i vendit, jo vetëm shpalli kredon politike të pranimit të Shqipërisë në NATO, por gjithashtu aplikoi zyrtarisht në selinë qendrore të NATO-s për marrëveshje zyrtare. Pavarësisht frenimit që iu bë procesit me ngjarjet famëkeqe të ‘97-ës, Kryeministri i vendit pas zgjedhjeve të 2005-ës shpalli vendosmërinë e qeverisë, duke deklaruar se ishin të gatshëm të paguanin çdo çmim që do na kërkohej për të anëtarësuar Shqipërinë në NATO. Është e vërtetë se ka pasur një proces të pandërprerë, po të heqim ‘97-ën, por është gjithashtu e vërtetë se pa rritjen e buxhetit të mbrojtjes në masën e 2% të GDP-së, dhe pa thelluar reformat në ekonomi, drejtësi, ushtri dhe pa luftën e krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk do të kishte ftesë në samitin e Bukureshtit. Këto arritje, si dhe një politikë e jashtme dhe e sigurisë konsistente në orientimin euroatlantik, duke shpallur SHBA-në aleate strategjike dhe Evropën simbol të integrimit, janë meritë e gjithë klasës politike, në mënyrë të veçantë të kësaj mazhorance, të kësaj qeverisjeje, të këtij Kryeministri. Kjo më bën të shpreh, se të shash e të shpifësh për Kryeministrin, do të thotë të mohosh qeverisjen, kur pavarësisht nga vota pro e kundër, të gjithë qytetarët e vendit e kanë atë Kryeministrin e tyre. Duke mohuar në vijimësi punët e bëra, dritëshkurtrit mendojnë se pozita do humbë kollaj peshën dhe drejtimin e pushtetit. Nuk është kështu, pasi faktet flasin vetë, sukseset nuk mbulohen, vrulli e entuziazmi për të mbajtur premtimet është evident.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›