E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet, si shans për të korrigjuar gabimet



Kryeministri Berisha i ka dhënë fund debatit për ndryshimet në qeveri me dërgimin e emrave te rinj për dekretim në zyrën e Presidentit Topi. Por, ndërsa debati për emrat ka marrë fund, një debat tjetër është hapur. Tani vëmendja e opinionit publik, por edhe e vetë politikës, është përqendruar në efektet që pritet të shoqërojnë qeverisjen, koalicionin në pushtet dhe krejt zhvillimet politike ky ndryshim. Duket se dy pikat me thelbësore të këtij ndryshimi janë përjashtimi nga qeverisja e demokristianëve të Nard Ndokës dhe ajo që mund të konsiderohet edhe si risi në politikën shqiptare, përfshirja në qeverisje, automatikisht edhe në politikë e bijës së Sabri Godos, liderit historik të PR-së. Por nuk mund të ngelet gjithashtu jashtë vëmendjes largimi i Pollos nga Ministria e Arsimit drejt një posti pothuaj honorifik si ai i zëvendëskryeministrit, një lëvizje që vjen pa dyshim si pasojë e dështimit të këtij të fundit në administrimin e arsimit shqiptar. Në thelb kemi lëvizje në dy ministritë me ndikim të jashtëzakonshëm tek publiku, njëherazi edhe elektorati shqiptar. Largimi i zotit Ndoka nuk pritet të ketë ndonjë pasojë për koalicionin qeverisës, sidomos pas krijimit të grupit parlamentar të qendrës, një grup i deklaruar si mbështetës i qeverisë. Nuk besohet gjithashtu që Berisha të ketë fituar apo humbur ndonjë gjë nga ky zhvillim, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për krye-parlamentaren Topalli, në politikën personale të së cilës largimi i Ndokës mund të konsiderohet një fitore. Por gjithsesi, të përqendrohemi tek thelbi i analizës. Në këtë situatë shtrohet pyetja: A janë të mjaftueshme vetëm ndryshimet e emrave në krye të arsimit dhe shëndetësisë, dy sektorëve më të rëndësishëm, por edhe më problematikë të qeverisjes? Natyrisht që jo. Drejtuesve të rinj të këtyre institucioneve u lind detyrimi të ndryshojnë në koncept, filozofi, por edhe strukturat e ministrive që kanë marrë përsipër të drejtojnë. Mendoj se zoti Beja e ka më të lehtë ndryshimin e gjendjes në ministrinë e tij për shkak të të qenit brenda një partie, programi elektoral dhe vizioni politik me shefin e qeverisë Berisha. I vetmi problem i zotit Beja do të jete “depollarizimi” ose rikthimi në normalitet i strukturës së arsimit publik shqiptar që duhet pranuar se ishte transformuar nga një administratë shtetërore në një strukturë politike të partisë së z. Pollo. Besoj se zoti Beja, një specialist i njohur e me përvojë në politikat e burimeve njerëzore, do ta ketë në qendër të vëmendjes një gjë të tillë. Por ndërsa mund të pretendojmë për zhvillime pozitive në arsim, kemi të gjithë të drejtën të jemi skeptikë me Ministrinë e Shëndetësisë.

Zonja Godo, e mandatuara për ministre, me gjithë CV-në e pasur profesionale, nuk ka mundur të provohet ende si drejtuese politike. Orientimi apo edhe presioni i mundshëm i drejtuesve të partisë që përfaqëson, mund të çojë në politika të gabuara që mund të rrezikojnë politikat shëndetësore të përcaktuara nga programi i qeverisë, gjë që mund të na çojë nga shiu në breshër. Edhe ministri i Shëndetësisë ka pasur si problem kryesor transformimin në strukturë politike të partisë që e drejtonte, PDK-së, normalizimi i së cilës përbën sfidën kryesore të ministres së re. Por nuk përjashtohet mundësia që edhe kjo sfidë të kthehet në bumerang, pasi mund të kemi përsëritjen e të njëjtës dukuri, që kësaj radhe mund të na çojë në një shërbim mjekësor të “republikanizuar”. Mendoj se kjo “mundësi”, jo vetëm teorike, duhet të jetë në vëmendje të Kryeministrit, pasi rëndësia e suksesit të qeverisjes në këtë fushë është jetike për të ardhmen elektorale të Berishës dhe PD-së. Me keqardhje dua të kujtoj se historia afatshkurtër e bashkëqeverisjes me PR-në ka rezultuar fatale për PD-në, mjafton të kujtojmë vetëm Gërdecin e z. Mediu. Sfida e zonjës Godo bëhet edhe më e vështirë po të llogarisim edhe “barrën” politike të riparimit të imazhit të rrënuar publik të PR-së , një obligim ky paralel me detyrën e udhëheqjes së politikave shëndetësore te qeverisë.

Mendoj që këto ndryshime në këtë moment dhe në këtë format, duhet të kenë pasur parasysh edhe efektin elektoral . Në këtë kuadër, raportet e PD-së me koalicionin dhe elektoratin nuk mund të lihen jashtë vëmendjes. Në mos në nivel të parë, në nivel të dytë zoti Berisha ka të gjithë mundësinë t’u mundësojë përfaqësim aleatëve të tij të natyrshëm , duke i paraprirë në një farë mënyre edhe perspektivës së tij politike e elektorale . Duket e pakuptueshme që parti aleate si p.sh PBKD-ja e Artur Roshit është e papërfaqësuar në qeverisje, ndërkohë që kundërshtarë të PD-së në zgjedhjet e fundit si PAA-ja apo edhe PLL-ja janë të përfaqësuara në qeveri. Si përfundim, nuk besoj se mund të ketë moment në dispozicion të PD-së dhe Kryeministrit Berisha për të korrigjuar gabimet e evidentuara në këtë periudhë të vështirë të qeverisjes në koalicion. Janë të gjitha mundësitë që PD-ja t’i rikthehet ushtrimit të plotë të së drejtës për të qeverisur, duke llogaritur në radhe të parë raportet e saj me elektoratin, gjë që deri tani është neglizhuar në favor të interesave të aleatëve të saj. Koha deri në zgjedhjet e ardhme nuk besoj se lejon hapësira për një mundësi të dytë ndryshimesh në qeveri. Kjo situatë çon detyrimisht në një projekt më shumë se ndryshimi i dy emra ministrash, gjithnjë duke pasur parasysh interesat e PD-së dhe atyre që e mandatuan atë tre vjet më parë për të qeverisur Shqipërinë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›