E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Fytyra e së keqes"



Duke qëndruar me Sllobodan Millosheviçin në verandën e vilës qeveritare në periferi të Beogradit, vërejta dy persona që po dilnin nga mercedesët dhe në dritën e muzgut po drejtoheshin nga ne. Ndjeva një shkundje që përshkoi trupin tim. Nuk ishte gabim, ishin ata: Ratko Mlladiç, në veshje luftarake dhe trupngjeshur dhe Radovan Karaxhiç, i gjatë, në kostum, me flokët e tij të egra, të bardha, por të qethura mirë.

Këto pamje më janë rikthyer në kujtesë në ditën e arrestimit të Radovan Karaxhiçit.

"Ishte rreth orës 17:00 të datës 13 shtator 1995, kur u shënua kulmi i luftës në Bosnje. Më në fund, pas viteve të përgjigjes së dobët të perëndimit dhe OKB-së për agresionin serb dhe spastrimin etnik të myslimanëve dhe kroatëve në Bosnje, bombardimet e NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, i çuan serbët në defensivë."

Millosheviçi, Mlladiçi dhe Karaxhiçi ishin shkaku kryesor i asaj lufte. Mlladiçi dhe Karaxhiçi, në shtator të '95-ës veç ishin të akuzuar për krime lufte nga Gjykata e Hagës. Por, si udhëheqës të serbëve të Bosnjës, ata ishin takuar me personalitete të rëndësishme perëndimore, përfshirë ish-Presidentin

Xhimi Karter.

Sidoqoftë, strategjia asokohe ishte ndryshuar dhe ekipet negociuese kishin vendosur të margjinalizojnë Karaxhiçin dhe Mlladiçin dhe ndërkohë të detyronin Millosheviçin, si liderin kryesor serb në rajon, që të merrte përgjegjësinë për luftën dhe negociatat që besohej se do t'i jepnin fund. Sidoqoftë, në rast se Millosheviçi do ta kërkonte, atëherë negociuesit do të takonin edhe dy liderët e serbëve të Bosnjes, por vetëm një herë.

"Secilit anëtar të ekipit tonë negociues i kam thënë të vendosë vetë nëse dëshiron të shtrëngojë duart me vrasësit masivë. Unë i urreja këta njerëz për shkak të asaj që kanë bërë. Unë nuk ua dhashë dorën, edhe pse të dy, Karaxhiçi dhe Mlladiçi, e provuan ta bënin një gjë të tillë.

Atë mbrëmje Mlladiçi e jo Karaxhiçi ishte figura kryesore.

"Në fillim Karaxhiç ishte i heshtur, por kur dëgjoi kërkesën tonë për tërheqje nga rrethimi i Sarajevës, shpërtheu. U çua nga tavolina dhe në një anglishte të kënaqshme filloi të fliste rreth 'nënshtrimit' dhe vuajtjeve të popullit të tij. Madje kërcënoi se do të thërriste Presidentin Karter, gjë në të cilën ne u përgjigjëm se mund ta bënte, megjithatë, ne do të intensifikonim bombardimin". Karaxhiçi u qetësua vetëm pasi Millosheviçi i kishte thënë diçka në serbisht.

Dy muaj më vonë lufta në Bosnje mori fund me Marrëveshjen e Dejtonit. NATO-ja kishte autoritetin që të kapte Karaxhiçin dhe Mlladiçin. Arrestimi nuk u bë për 13 vite. Më në fund, njëri nga këta vrasës të frikshëm merr rrugën për Hagë. Është imperativ i kohës që Mlladiçi të shkojë pas tij.

Presidenti serb, Boris Tadiç, meriton lëvdata për arrestimin e Karaxhiçit. Arrestimi i Karaxhiçit nuk është thjesht një shënim historik, por largim nga skena i njeriut që ende minonte paqen dhe progresin në Ballkan.

Gjithashtu, ky arrestim është edhe një përkujtues i vlerave të gjykatave për krime lufte. Në Kartumin e largët, Presidenti i Sudanit, Omar Hasan al Bashir, që është akuzuar javën e kaluar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime, duhet t'i kushtojë vëmendje këtij lajmi.

*Ish-ndihmëssekretar i shtetit i SHBA-së

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›