E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Koha për një rikonfigurim të së djathtës”

22-04-2013 / Gazeta 55

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu në Konventën e 6-të të PR

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu deklaroi dje në Konventën e PR-së, se zgjedhjet e 23 qershorit janë një moment i rëndësishëm vlerësimi, por ato duhet të jenë edhe një moment reflektimi, për të parë se ku jemi në raport me atë që na besuan shqiptarët. “Të reflektojmë me të drejtë vizionin tonë për të rrugëtuar së bashku me shqiptarët drejt Europës. Ne duhet të reflektojmë thellë mbi rrugën tonë 22-vjeçare, të kthejmë jo vetëm thjesht kujtesën tonë te politika, por vlerësimin për të gjithë ata që u bashkuan në emër të lirisë dhe ëndrrës sonë europiane, ata që sfiduan  frikën në emër të lirisë, sfiduan regjimin në emër të demokracisë”, tha kreu i republikanëve.
Mediu tha se në këtë 22 vjet, kanë ndodhur shumë ndryshime të mëdha në ekonomi, në strukturën e shtetit, marrëdhëniet tona ndërkombëtare, në çështjen tonë kombëtare. Ai tha se duhet të reflektojmë në radhë të parë për të kuptuar se si e djathtë duhet të transformohemi në një të djathtë europiane, me ide, vlera konkurrimi dhe organizimi të drejtë.  “Çdo gjë duhet të reflektojë bindjen tonë te liria e individit. Të drejtat dhe liritë themelore janë elementët bazë të politikës sonë, të qeverisjes sonë. Ato nuk pranojnë në asnjë mënyrë uzurpimin e shtetit, arrogancën apo megallomaninëe politikës. Qeveria dhe politika duhet të njohin përfundimisht limitet e veprimit të tyre, në  respektim të të drejtave dhe lirive tona, për të ndërtuar shtetin e së drejtës, tha Mediu.
Kreu i republikanëve u shpreh gjithashtu se “mbi të gjitha duhet reflektuar për një riorganizim politik të së djathtës, si strukturë konkurrimi, ku konkurrimi dhe liria të jenë kriteri bazë i vizionit dhe se ai nuk mund të uzurpohet nga askush”. Mediu tha gjithashtu se duhet reflektuar mbi uzurpimin në dinijtetin e individit. “ Në një shoqëri demokratike, individi nuk është thjesht një numër, një statistikë apo një pjesëmarrës i pavlerë i një grupimi shoqëror. Në demokraci dhe në çdo shoqëri tjetër, ai është një qenie shpirtërore, me thelb dhe vetëdije, i lirë për të zbuluar potencialet e veta, për të ndjekur interesat e tij ligjitime, të orientuara nga një rregull moral”, tha Mediu. Gjatë konventës, republikanët u ngritën në këmbë në shenjë nderimi dhe kujtimi për themeluesin e partisë, Sabri Godo

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›