E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: PLL pjesë e koalicionit të djathtë, gati negocimi i marrëveshjes me PD

22-04-2013 / Gazeta 55

Këshilli Kombëtar i legalistëve

Këshilli Kombëtar i partisë “Lëvizja e Legalitetit” analizoi punën e deritanishme në prani të Princit Leka II dhe disa nga kandidatët kryesorë për deputet të Legalitetit dhe autorizoi kreun e PLL Ekrem Spahiu të negociojë me PD për koalicion parazgjedhor. Kryetari i PLL Ekrem Spahiu foli për aktualitetin politik, përgatitjet e PLL për zgjedhjet e 23 qershorit 2013 dhe aleancën me PD. Ai evidentoi kontributet dhe punën e frytshme të legalistëve në pushtetin ekzekutiv dhe atë vendor dhe i cilësoi ato si një model që afishon më së miri gatishmërinë, kapacitetet dhe filozofinë qeverisëse dhe drejtuese të kësaj partie. Partia “Lëvizja e Legalitetit” e konsideron të suksesshëm qeverisjen aktuale  dhe veçon si pika kulmore anëtarësimin në NATO, heqjen e regjimit të vizave, investimet ne infrastrukture, liberalizimin e ekonomisë dhe mbrojtjen e saj nga kriza. Zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit, bashkimin kombëtar dhe anëtarësimin ne Bashkimin Evropian, e djathta shqiptare e ka mision dhe projekt në vazhdim. Ky është një projekt i qartë dhe serioz që mund të materializohet me sukses vetëm nga ato forca që përmbysën regjimin komunist dhe i hapën rrugë zhvillimeve demokratike dhe ekonomisë së tregut. Këshilli Kombëtar i PLL vuri në dukje se modeli dhe projekti i maxhorancës së djathtë është më i miri. Përkundrejt këtij modeli, në politikën aktuale shqiptare nuk ka ndonjë model tjetër që të jetë kaq real, i provuar dhe i besueshëm. Në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend, Këshilli Kombëtar i PLL shprehu shqetësim për qëndrimet radikale dhe rolin bllokues të opozitës shqiptare. Ky qëndrim i opozitës lidhet me situatën e mjerueshme në të cilën ajo ndodhet dhe me krizën e saj të identitetit e të moralit. Pas abortit të “Rilindjes” dhe në mungesë të alternativave të tjera, Partia Socialiste dhe aleatët e saj po numërojnë në mënyrë të dëshpëruar mandatet qeverisëse të kësaj maxhorance dhe po presin gojëhapur që pushteti t’u bjerë vetvetiu nga qielli ose ta fitojnë në tavolinë. Realisht ato nuk po i ofrojnë shqiptarëve asgjë të dobishme, veçse frikën dhe pasigurinë e tyre për tu ballafaquar denjësisht në zgjedhje. Partia “Lëvizja e Legalitet” del në zgjedhjet e 23 qershorit me sloganin “TË KTHEJMË TRADITËN”, për Familje të shëndoshë, Qeverisje të mirë  dhe Shqipëri Etnike. Në fund të mbledhjes dhe në përputhje me kompetencën e tij statusore, Këshilli Kombëtar mori vendimin që për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të datës 23 Qershor 2013, Partia “Lëvizja e Legalitetit” të marrë pjesë në koalicionin e djathtë ku edhe bën pjesë si dhe autorizoi kryetarin e PLL Ekrem Spahiu që të negociojë marrëveshjen me PD.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›