Pagat, rritja nga 1 janari 2009
• Qeveria kërkon që rritja e pagave të gjyqta-rëve sipas kategorive të ndryshme të hyjë në fuqi në vitin 2009. Rritja e pagave të reja për gjyqtarët do të realizohet vetëm në vitin e ardhshëm, nga 1 janari.BLEDAR HOTIKërkesa në emër të qeverisë është paraqitur nga ana e ministrit të Financave, Ridvan Bode. Edhe pse shprehet për rritje të nivelit të pagave të gjyqtarët e niveleve të ndryshme, qeveria shprehet se e ka pamundësi financiare, që rritja e pagave të fillojë pikërisht 15 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Arsyeja e paraqitur në shkresën e Bodes së mbështetur edhe nga Këshilli i Ministrave, lidhet me faktin se mungojnë të dhënat analitike të vjetërsisë në punë të gjyqtarëve. Shkresa e ministrit Bode është paraqitur në Kuvend më datë 14 shkurt dhe mban numrin e protokollit 1401/1, së bashku me riformulimin e neneve teknike 27 dhe 28, që prekin skemën e rritjes së pagave të gjyqtarëve. “Skema e propozuar për pagat në sistemin gjyqësor sjell një përmirësim në shpërblimin e punonjësve të sistemit gjyqësor, pasi vlerëson përvojën në punë dhe karrierën profesionale dhe si e tillë në parim është e pranueshme nga ana e jonë. Nga një vlerësim paraprak i efekteve financiare, pasi mungojnë të dhënat analitike për vjetërsinë në punë, rezulton se efekti është i përballueshëm nga buxheti i shtetit, por meqenëse buxheti i vitit 2008 është miratuar, propozojnë që efektet financiare të shtrihen nga 1 janari i vitit 2009”, thuhet në shkresën e paraqitur nga ministri Bode. Ndërsa një argumentim tjetër që ministria e paraqet është edhe fakti se duhet të ketë edhe rritje pagash për Prokurorinë. “Në parashikimin e kostos është e domosdoshme të llogaritet dhe efekti për sistemin e Prokurorisë, për shkak të lidhjes automatike të sistemit të pagave”, thuhet në letër. Një propozim i tillë është miratuar nga ana e Komisionit parlamentar të Ligjeve, i cili kërkoi mbrëmë në seancë miratimin e skemës, siç e kërkon Ministria e Financave. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, gjatë votimit të draftit mbrëmë në seancë kërkoi që të merret në konsideratë dhe propozimi i Ministrisë së Financave, gjë për të cilën u ra dakord. Gjatë miratimit të projektligjit në Komisionin e Ligjeve, nënkryetari i Kuvendit, Fatos Beja, bëri të ditur se, “fatura financiare paraprake ishte e madhe dhe kishte kërkuar konsultime nga ana e Këshillit të Ministrave, konkretisht Ministrisë së Financave për efektet që mund të shkaktojnë”. “Fatura financiare, e cila do të shkojë në buxhet të shtetit, shkon në rreth 70 milionë lekë të reja”, u shpreh dje Beja. Në sistemin e gjyqësorit janë rreth 260 gjyqtarë, 34% e tyre janë nga Shkolla e Magjistraturës, ndërsa të tjerët janë gjyqtarë me përvojë në profesion”, deklaroi Beja një javë më parë. Shifra e dhënë është paraprake, pasi në radhë të parë duhet të përcaktohet mbi bazën e vjetërsisë së punës që ka çdo gjyqtar i Gjykatës së Shkallës së Parë, së Apelit, si dhe kryetarëve të këtyre dy lloj niveleve të gjykatave. Rritja prek edhe Gjykatat e Krimeve të Rënda dhe të Apelit. Në bazë të propozimit të paraqitur, paga e gjyqtarit të Shkallës së Parë është e barabartë me 50 për qind të pagës së gjyqtarit të Shkallës së Lartë. Pas 5 vjet në detyrë, për çdo vit pune paga shtohet me 2 për qind. Por kjo jo më shumë se deri 25 vjet punë. Rritja e pagave parashikohet edhe për krerët e gjykatave të të gjitha niveleve, duke u rritur me 2 për qind në vit, plus 10 për qind për kushte të veçanta pune. Ndërsa gjyqtarët e Apelit do të kenë një pagë fillestare, që përkon jo më shumë se 70 për qind e pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Rritja për çdo vit do të jetë në masën 2 për qind, kjo pas 15 vjet vjetërsie punë. Kjo ka qenë skema e miratuar me konsensus në Komisionin e Ligjeve, pas insistimit të shumtë nga ana e opozitës, pasi maxhoranca kërkonte të vendoste skemën e shpërblimeve.