E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha për rritje të bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik

Nga Express më 01 shtator 2011 në ora 19:00

Drejtues nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë kanë kërkuar prej autoriteteve të dy shteteve përshpejtimin e aktiviteteve për ndërtimin e autostradës Shkup-Prishtinë, hapjen e vendkalimeve të reja kufitare, kontroll të përbashkët të hyrje-daljeve të mallrave dhe njerëzve në dy vendet, qasje e përbashkët në fondet e Bashkimit Evropian dhe krijimin e një zone mini-shengen mes Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës.

Këto kërkesa janë shtruar të enjten në Shkup pas një takimi të zhvilluar mes kryetarit të OEK-ut, Safet Gërxhaliu dhe homologut të tij maqedonas, Branko Azeski, ndërkaq mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik janë diskutuar edhe gjatë një takimi mes biznesmenëve nga Kosova dhe Maqedonia.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu u bëri thirrje kompanive nga Maqedonia që Kosovën mos ta shohin vetëm si vend për tregti afatshkurtër, por si një mundësi të mirë për investimet e tyre afatgjata.

“Ajo që duhet të thuhet në këtë takim pas këtij realiteti të ri të krijuar me masat e reciprocitetit me Serbinë është një apel për kompanitë maqedone që të mos mendojnë të jenë prezente në Kosovë vetëm në aspektin afatshkurtër dhe të përfitojnë nga një realitet i ri i krijuar, por ato duhet të kenë një vizion dhe ta eliminojnë fitimin si prioritet dhe të mendojnë që në Kosovë të jenë të pranishëm edhe në aspektin afatgjatë”, theksoi Gërxhaliu.

Nga ana tjetër kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski tha se ka paralajmërime nga Ministria e Ekonomisë për mundësinë e ndërtimit të autostradës dhe modernizimin kufitar, në mënyrë që shkëmbimi tregtar të përmirësohet.

“Ka paralajmërime nga ministri i Ekonomisë se ky këshill do të formohet në pjesën e dytë të shtatorit, ndërsa tema kryesore të tij do të jenë ndërtimi i autostradës Shkup-Prishtinë, ndërtimi dhe modernizimi i kalimit kufitar Jazhincë dhe hapjen e kalimeve të reja të cilat do ta përmirësojnë shkëmbimin tregtar me Kosovën”, ka thënë Azenski.

Pas këtyre takimeve të zhvilluara vizita e delegacionit të Kosovës ka vazhduar në kompaninë private “Europa” e cila prodhon disa lloje të çokollatave në Maqedonisë dhe në shumë shtete të rajonit, ndërsa ka përfaqësinë edhe në Kosovë.

Ndryshe shkëmbimi tregtar midis Maqedonisë dhe Kosovës vetëm për 6 muaj e parë të këtij viti ka shënuar rritje prej 30.6 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas statistikave për 6 muaj Kosova nga Maqedonia ka importuar 243 milionë dollarë, ndërsa ka eksportuar vetëm 18 milionë dollarë. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›