Thaçi: Flasim me Borkon
Kryeministri Hashim Thaçi nuk e ka në plan të ndërpresë bisedimet me Serbisë e as të kërkojë zëvendësimin e Borko Stefanovicit, i cili përfaqëson palën serbë në bisedimet që nisin të premten në Bruksel.
Ai e ka bërë të qartë se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë dialogun dhe nuk do të lëshojë pe në takimin e radhës sa i përket pikave që do të diskutohen, duke filluar nga Vulat Doganore.
“Do të diskutohet për vulat doganore dhe ne do të mbajmë qëndrimin tonë shumë të qartë që Beogradi të akceptojë definitivisht Vulat Doganore të Kosovës, ku shef i doganave do të jetë i ngarkuar nga Doganat e Kosovës, ku shef i Policisë do të jetë i ngarkuar nga Policia e Kosovës. Autoritetin aty do ta ushtrojnë definitivisht në kuptimin legal autoritetet e Kosovës, EULEX’i me garancën e plotë nga NATO-ja”, ka thënë Kryeministri, në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë.
I pyetur se a është i denjë Borko Stefanovici, i cili po hynë ilegalisht në Kosovë, të ulet në një tavolinë me Edita Tahirin, Kryeministri Thaçi ka thënë se “janë disa rregulla sa i përket procesit negociator, jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete, por edhe vendeve tjera që kanë diskutuar mes vete”.
“Mund t`ju them gjithashtu se ende ka shtigje që zyrtarët e Beogradit i shfrytëzojnë për t`u futur ilegalisht në Kosovë, por ata që futen ilegalisht në Kosovë një ditë do të ballafaqohet edhe me autoritete legale kosovare”.
Shefi i Qeverisë e ka përsëritur se prapa strukturave ilegale serbe qëndron fortë pushteti në Beograd dhe ka kërkuar që Serbia të sillet në mënyrë Europiane në raport me Kosovën.
“Ne kemi deklaruar edhe më herët dhe e ri deklarojmë edhe sot për dhunën, djegien e pikave kufitare në veri e mbajmë përgjigjes drejtpërdrejt Beogradin dhe e mbajmë përgjegjës Beogradin edhe për dhunën e treguar ndaj pjesëtarëve të policisë së Kosovës, por tanimë kemi informacione të plota se Beogradi qëndron edhe pas dhunës në vazhdim”, ka shtuar ai.
Kur kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj prej se është formuar “Qeveria Thaçi II”, ajo vazhdon të funksionojë pa zëdhënës.
Përkundër kësaj, Thaçi mendon se gjithçka është në rregull sa i përket transparencës së Qeverisë përballë medieve dhe publikut.
“Transparenca e Qeverisë së Kosovës lirisht mund t`ju them se është më e larta prej të gjitha Qeverive në rajon....Sa i përket me rritjen e transparencës nuk ka munguar dhe edhe Zëvendëskryeministri, edhe ministrat, edhe zëvendësministrat, edhe unë personalisht kemi qenë me ju dhe jemi për t`ju informuar për të gjitha zhvillimet”, ka deklaruar ai.
Megjithëkëtë, në mbledhjen e Qeverisë janë miratuar aprovuar tri projektligje, katër Rregullore të Punës që rregullojnë funksionimin e segmenteve qeveritare.
Aty është miratuar edhe projektligji i kthyer mbrapsht nga Kuvendi, ai për Qendrën Historike të Prizrenit, i paraparë me Pakon e Ahtisaarit.
Shefi i Qeverisë ka thënë se obligimet e marra ndërkombëtare do të realizohen në mënyrë pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës të merr fund.
“Është një përgjegjësi e përbashkët shtetërore që nuk është e drejtuar kundër askujt, por është për përshpejtimin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë dhe pavarësia e mbikëqyrur përmbyllet shpejtë vetëm duke përmbyllur me sukses implementimin e plotë të Dokumentit të Ahtissarit. Tash mund të them lirisht se e kemi përmbyllur rreth 90 për qind suksesshëm këtë dokument”, ka deklaruar ai.