“Standardi i dyfishtë” i Celibashit
Njatjeta, zonja dele. Ta pashë!
1.Habitesh kur një person me profesionin jurist i cili dikur, në kohën e artë kur raporti në KQZ ishte 5:2 në favor të shumicës së atëhershme, tani është në raportin 4:3 në favor të shumicës së sotme (së djathtës) Më falni. Më duhet të korrigjoj raportin e dytë i cili, në fakt, është 4:0. Do të duhej ndërrimi i mënyrës së foljes, në kushtore, gjithmonë në raportin e dytë. “Do të duhej”! Por kush u bë shkas që gjasme na ikën “vullnetarisht” përfaqësuesit e pakicës? Asnjëri nuk dha një arsye të qenësishme. Por është e njohur, madje sikur gjendet e shkruar në ballin e E. Ramës se ai nuk rron dot pa pasur një ‘atú’ ose një kartë të epërme në lojën e tij të kumarit. Paçka se kjo babëzi hileqare thuajse kurdoherë i është shndërruar në një bumerang.
Për të qenë i qartë me lexuesin e thjeshtë, mbase nuk është e tepërt që të bëj krahasimin e të dy raporteve. 5:2 = 2,5; 4:3 = 1, 3. (Ky raporti i dytë, 4:3, u shndërrua në 4:0 për shkak të ikanakëve “vullnetarë”, me urdhrin e Ramës! Pra, raporti i parë (5:2) ishte, - në zgjedhjet me të majtën në fuqi, - afërsisht dy herë më i madh se i dyti, 4:3, në zgjedhjet e tanishme, pa ndërhyrjen e cituar. Shkurt, kur ishte në fuqi e majta, KQZ thuajse kishte dyfishin e numrit të së djathtës. Dhe bënte sikur ishte e natyrshme që tani, me të djathtën në shumicë, të varte turinjtë që e djathta është 1,3 herë më tepër se e majta! Mjafton të pjesëtohet (5:2) me (4:3) dhe herësi del afërsisht 2. Kështu KQZ kishte anëtarë të majtë thuajse dy herë më tepër se të djathtë, ndërsa më 23 qershor të këtij viti KQZ-ja kishte 1,3 herë anëtarë të djathtë më tepër sesa anëtarë të majtë. Kështu nuk mjaftonte që e djathta e mëparshme ishte nën nivelin e së majtës së tanishme. Por duhej bërë edhe ai truku që KQZ-ja të mbetej me 0 anëtarë të së majtës...
Nëse llogaritjet mund të shmangen, arsyetimi bëhet më i kuptueshëm: Partia në fuqi parashikohet nga Kodi Zgjedhor që të ketë më tepër anëtarë nga partia në opozitë, për shkak të organizimit, policisë së instruktuar për rregull e paanësí, etj. Por disniveli s’duhet të jetë i zhbalancuar, gjë që ka ndodhur, veçanërisht në KZAZ-të. Në komisionin Qendror, raporti 4:3 ishte i kënaqshëm. Shndrimi në 4:0 erdhi nga opoztita, se Rama ka këshilltarë sesi të turbullojë ujërat. Me 4:0 nuk merren disa lloj vendimesh. Bukur qenka – thotë Rama që – si gjithmonë – të vërë kushte! Por nuk ka llogaritur mirë efektin bumerang!
Në këtë krahasim kemi të bëjmë, pra, vërtet me një standard të dyfishtë. Por në favor të të majtëve, amà. Këtë e di mirë Ilirian Celibashi, që ishte kryetar i KQZ- së, atëherë. Sot ai na flet që KQZ-ja të mos jetë partiake(!). Po ‘atëherë’, a nuk ishte partiake? Po ai vetë si ishte, “i pavarur?” Nën thonjëza, apo si kinse sindikalisti Fiqiri Xibri që, në rol të sindikalistit, duhej të ishte pa parti, ndërsa efektivisht ishte në mendësi dhe në fakt, ultrapartiak, përderisa u emërua nga Rama jo thjesht anëtar i PS-së, por i Asamblesë Kombëtare të PS-së! Ajo yshtja me pare e me bordero, tregon sesa spontane ishin ato rrëmujat e demonstratat “paqësore”, gjer në thyerjen me automjet të portës së kangjellave, kur mbetej ende vetëm dera e drunjtë e kyeministrisë! Qëndrojnë vetëm tri pyetje thelbësore: A mund të ndalej kjo demonstratë në çastin e duhur, kur dihej se u zgjat jashtë çdo harku kohor të arsyeshëm? Pyetja e dytë: Cila palë kishte interes nga përpjesëtimet dramatike që mund të përftoheshin prej kësaj zgjatjeje të tejnatyrshme? Së treti, në supozimin që viktimat i interesonin Edi Ramës, a nuk mund të kishte një ndërhyrje ultimative nga kreu i shtetit? Do të mjaftonte një celular: - “Mbylle, përndryshe do të të ngarkoj me përgjegjësinë e konsekuencave”. Ja përse Rama dha urdhër që të zgjidhej Topi deputet, qoftë me vota të zhvatura! Këtu nuk kemi të bëjmë me supozim. Mohimi është tjetër gjë. Kaq, se nuk është 21 janari tema jonë. Le ta zëmë se nuk e kupton Iliriani se është një vëlla siamez me Xibrin, kur del, tani, në mbrojtje të E. Ramës, që ia shpërbleu përkushtimin partiak me vënien e kandidaturës së Celibashit për deputet të PS-së. Njëri, “i pavarur”, u gradua drejtpërdrejt në Asamble. “I pavaruri” tjetri u bë deputet! – ç’ ndryshim ka? (Le të shpresohet se nuk do t’i telendisë, kur t’i hipin xanxat si ato të tijat, siç veproi, madje në mënyrë poshtëruese, me Alfred Pezën, para një kallaballëku të tërë!). Pyetje: Le të mos na hedhë hi syve si ‘i pavarur’, duke qenë, tashmë, një deputet i PS-së...
2. Iliriani e thyen për herë të dytë “standardin e dyfishtë” kur nuk ka parasysh precedentin, domethënë kush është nismëtari i mëtimeve për hapjen e kutive. Ende u dashka luajtur roli i atij që s’di gjë! Nuk i kujtohet Edi Rama dhe partia e tij që çmendën dynjanë, me bllokim si në asnjë vend të opozitave të botës demokratike, nën sloganin “Të hapen kutitë! të hapen kutitë!”?. Ja që edhe atëherë u hapën kutitë pjesërisht, atje ku deshën , dhe nuk u vunë re ndryshesa! Në rastin e tanishëm, një hapje të tillë e kërkoi edhe njëra prej partive të rëndësishme të majta, ndërsa Celibashi thotë se nuk e kërkoi asnjë e majtë këtë hapje! Si tepër i zellshëm ky “i paanshëm” që na kujton atë dialogun e zonjës dele, me kuçkën dhi! Ta pashë! – i tha e dyta së parës. – Të falënderoj për kujdesin – iu përgjigj e para, por sa qindra herë ta kam parë unë, ty? Ky na paska qenë “standardi i dyfishtë i Celibashit? Ai është në rol, si të gjithë sejmenët e Ramës. Dhe e bën veten si mësié Zhyrdeni i “Borgjezit Bujar” të Molierit, të cilit mësuesi privat i tij i mëson se ç’ është proza: - Ja, ajo që flasim unë e ti!” – i thotë mësuesi privat! Qeshën mjaft në sh. XVII me këto skena. Por, mbase, as Molierit nuk do t’i kishte shkuar ndër mend se ishte aq profetik, sa qyfyre të tilla do të ngjanin edhe në sh. XXI! Vetëm me një ndryshim; se tani “roli i të çuditurit e të pa diturit” luhet djallëzisht!