E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roberto Saviano: Gomorra në duart e të padukshmëve

Roberto Saviano sapo ka zbritur në Aeroportin e Fiumiçinos, pas një udhëtimi në Spanjë. Por duhet thënë se shkrimtari së fundmi udhëton thuajse gjatë gjithë kohës me shpresë se kështu mund ta pakësojë disi trysninë që ushtron mbi të krimi italian, i cili e do me çdo kusht të vdekur. Ndërkohë që i mbeten mbresa gjithnjë e më të forta nga pritja që i bëhet kudo jashtë kufijve të Italisë dhe preferon të zgjatet pikërisht te disa lajme që kanë të bëjnë me kontaktet që pati së fundmi me autoritetet qeveritare të shtetit spanjoll. Nuk pranon të konfirmojë, por lë të kuptohet se janë të vërteta fjalët, sipas të cilave ministri i Punëve të Brendshme të Spanjës i ka ofruar postin e konsulentit teknik për problemet e mafies në vendet kufitare me Spanjën. Është një fakt tashmë që Alikante e Andaluzisë është kthyer në një fole mafiozësh e kamorristësh, ndërkohë që kartelet meksikane të kokainës po zëvendësojnë kolumbianët në aleancat me krimin italian. Por Saviano nuk mendon se tek ai mund të gjendet diçka teknike, që mund t‘u vijë në ndihmë autoriteteve: "Nuk do të isha i aftë për një punë të tillë. Profesioni im është të shkruarit". Gjithashtu ai flet në mënyrë të mjegullt për fjalët që ekzistojnë mbi një takim të tijin me shefat e disa departamenteve të policisë spanjolle për këmbim idesh. Ai sqaron thjesht se i ka lënë mbresa vëmendja që tregojnë qeveritë evropiane ndaj rrezikut të infeksionit mafioz.

Saviano, keni dëgjuar për arrestimin e Mikele Bidonjetit?

Arrestimi i një prej përfaqësuesve më të lartë të krahut terrorist i klanit të kazalezëve është lajm shumë i mirë, por në Kazerta nuk komandon ai. Le të themi se është përfaqësuesi më emblematik i asaj përzierje viskoze mes borgjezisë dhe krimit.

Kush komandon në Gomorra?

Komandojnë latitantët dhe me saktësi Mikele Zagaria, i njohur si "kokështrembri" dhe Antonino Iovine, i njohur nga të gjithë si "shkurtabiqi". Personazhe tepër të rrezikshëm për kapacitetin kriminal, por edhe për pushtetin në botën e sipërmarrjes, ashtu si edhe për joshjen që ushtrojnë ndaj shtresave pozitive të borgjezisë. Ndonjë shembull? Vëllai i Zagarisë, i njohur si "Bin Ladeni", ishte mafiozi i parë që bëri përpara në veri të Italisë, siç vërtetojnë një seri hetimesh të hapura mbi disa punime të zhvilluara në Parma. Bëhet fjalë për njerëz të aftë të kryejnë krimet më të tmerrshme, por njëherësh edhe të aftë t‘i "pagëzojnë" sipërmarrjet e tyre me emra si "Stendhal costruzioni" (Ndërtimet Stendal).

Ju keni pasur kontakte të drejtpërdrejta me këta zotërinj?

Me "pëllumbat" e tyre. Në procesin "Spartacus" lëshonin vështrime plot shkëndija nga përtej hekurave. Më buzëqeshën me qesëndi e më pas më thanë: "Na i përshëndet Don Pepinon". E kishin fjalën për Don Pepino Diana, i vrarë nga Kamorra. Ishte një mënyrë për të më thënë se më priste i njëjti fund.

Janë në burg?

Bëhet fjalë për një këmbim të vazhdueshëm, hyjnë e dalin. Problemi është se proceset gjyqësore jo gjithnjë arrijnë t‘i dobësojnë klanet. Ata që ndëshkohen me dënime të larta hyjnë në burg me shumë zhurmë, të tjerët që jetojnë në fshehtësi lihen në harresë: për rezultat e ashtuquajtura shoqëri civile vazhdon të trembet, ose parapëlqen të hiqet se nuk sheh e nuk di asgjë. Edhe jashtë territorit të klaneve: për shembull Iovine ishte nën vëzhgim, ndërsa bënte biznes në Romë, besoj se arrij ta kujtoj mirë, interesohej shumë për një lokal nate të quajtur "Gilda". Më kujtohen gjithashtu shumë mirë ecejaket e Zagarisë për ndërtimin e qendrës tregtare në Marçanize.

Pra Gomorra është ende e gjitha aty?

Le të themi se nuk po arrihet të kuptohet mirë ajo që po ndodh. Situata është fluide dhe tepër e rrezikshme. Nuk është prerë ende filli që lidh rrjetin e bizneseve, edhe pas arrestimit të Xhuzepe Setolës apo Françesko Bidonjetit. Tamam aty janë zbuluar raportet mes borgjezisë produktive dhe kasaphanës mafioze. Kontratat e menaxhuara nga një prej vëllezërve të Setolës në gjithë provincën e Kazertës, ndërthurjet e nëndheshme, siç është roli i dorës së parë të Rikardo Iovine-s, vëllait të Karmines, në menaxhimin e spitalit të Kazertës, i cili gjendet në qendër të hetimit që provokoi arrestimin e bashkëshortes së ish-ministrit Mastela. Ngjarje që në rrugë jo të drejtpërdrejtë shkaktoi rrëzimin e qeverisë "Prodi". Me pak fjalë, jo gjithçka vërehet qartë dhe me kufij të përcaktuar. Dhe nuk vijnë shenja të mira nga lajme si ai që presidenti i provincës, Sandro de Françiskis, ka zgjedhur t‘i dedikohet Byrosë Mjekësore të Lurdesit, apo ai i dorëheqjes së papritur të kryetarit të Bashkisë së Kastelvetrones. Janë simptoma që tregojnë mjaft mirë sa e vështirë është vendosja e ligjit në këto territore.

Dukeni i çuditur tej mase nga bashkëjetesa e natyrshme mes mafies dhe shoqërisë civile.

Pyes veten çfarë mund t‘i lidhë me njëra-tjetrën këto dy botë. Me kë mund të mbahen raporte, me Bidonjetët, që kanë helmuar tokën me tonelata të tëra mbetjesh toksike? Me ata që përdhunojnë dhe vrasin një vajzë, pasi e dobësojnë me injeksione nëpër muskuj, ngaqë nuk pranon të tradhtojë të dashurin, duke vrarë më pas edhe këtë të fundit se nisi ta kërkonte? E, megjithatë, ka edhe njerëz të tjerë, siç është drejtori i një të përditshmeje (e kam fjalën për "Gazzetta di Caserta"), që publikon pa iu dridhur syri letrën e një kamorristi të quajtur "Sandokan", duke e shoqëruar me frazën "e falënderoj për vlerësimin". Pikat e vetme morale të referimit në Kampania duket se kanë mbetur kardinali Sepe në Napoli dhe Imzot Nogaro në Kazerta. Pjesa tjetër është errësirë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›