E vërteta e masakrës së Qafë-Gjashtës

I mbijetuari
Prokuroria lexon dëshminë e Eduart Alisë: Më torturuan. Zan çaushi më shpëtoi
Tortura nga më çnjerëzoret. Cigare të ndezura që i fikeshin në trup, goditje pas koke dhe në pjesë të tjera të trupit me tytat e automatikëve. I lidhur dhe i gjakosur, qëllohej dhe pështyhej nga e gjithë turma. Masakra e Qafë-Gjashtës është një nga ngjarjet më të dhimbshme që ka ndodhur në jug të vendit gjatë vitit të mbrapshtë të trazirave, ‘97. Një punonjës policie humbi jetën i vrarë dhe i djegur, ndërsa një tjetër u torturua mizorisht për dy javë nga të ashtuquajturat Komitete të Shpëtimit Publik në Sarandë. Eduart Alija, në një rrëfim tronditës, ka shpjeguar të vërtetën e masakrës. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lexuar dje dëshminë e të mbijetuarit Alija, i cili ka saktësuar se i vetmi që është kujtuar për të ka qenë Zan çaushi. “Më torturonin gjatë gjithë kohës, por më të vështirat kanë qenë ditët kur më merrnin në pyetje. Madje, donin të më vrisnin edhe ditën kur erdhi Zan çaushi e Luçiano dhe më shpëtuan. Qëlluan kundër furgonit, por plumbi nuk na kapi. Të afërmit e mi morën vesh që shpëtova, erdhën më morën te shtëpia e Zanit”, saktëson Alija, i cili ka qëndruar 14 ditë peng në Sarandë nga banda e armatosur. Ai rrëfen me detaje si e gjetën Sarandën, komisariatin, me kë komunikuan dhe çfarë detyrash morën nga eprorët, si dhe çfarë ndodhi në Qafë-Gjashtë. Dëshmia nis me faktin që jeton në Itali, shkuarja në Sarandë, dhe nga e morën urdhrin e çfarë ndodhi në Qafë-Gjashtë.
Dëshmia
“Quhem Eduard Aliaj dhe jetoj përkohësisht në Itali. Unë e kam mbaruar shkollën e policisë në vitin 1990-1992 dhe kam qenë punonjës i Policisë së Shtetit deri në shtator të vitit 1997. Pasi mbarova shkollën, jam caktuar inspektor i policisë së rendit në Komisariatin e Vlorës. Në mars të vitit 1997 erdhi më takoi shefi i krimeve të komisariatit, Sokol Bizhga. Më tha se kishte marrë detyrë nga ministria që të shkonte në Sarandë për të ringritur komisariatin e policisë atje, i cili kishte dalë jashtë funksionit. Sokoli i tha edhe Gjergji Mehmetit dhe Myzafer Blushit. Jemi nisur të katërt me makinën personale të Myzaferit për në Sarandë, një automjet tip “Benz 2400”, ngjyrë bari. Ishim të armatosur me pistoleta e kallashë. Rrugës kemi bërë një ndalesë të gjithë bashkë në Llogora, pimë kafe dhe morën nja dy kg mish. U nisëm sërish për në Sarandë dhe rruga shkoi pa probleme. Në Sarandë pamë që situata ishte jashtë kontrollit, njerëzit ishin me armë nëpër duar dhe ne nuk pamë asnjë punonjës policie. Shkuam drejt në komisariat dhe pamë se godina ishte e djegur. Nuk takuam asnjë punonjës policie. Pas kësaj, shkuam deri te porti dhe pamë se njerëzit ishin mbi anije dhe të armatosur. Pas kësaj u kthyem prapë për në qendër dhe Sokoli kërkonte një telefon që të lidhej me ministrinë e të raportonte situatën. Gjetëm diku një telefon celular me numër grek dhe Sokoli foli në telefon. Pasi foli, ai na tha se ishte lidhur me zëvendësministrin e Brendshëm Agim Shehu dhe i kishte raportuar për gjendjen në Sarandë, se situata ishte jashtë kontrollit dhe nuk bënim dot gjë, pra që të ringrihej komisariati. Sokoli na tha se ai i kishte thënë që të mundoheshim të bënim ndonjë gjë, të organizonim ndonjë postbllok dhe nëse kjo ishte e pamundur, të ktheheshim në Vlorë. Sokoli na tha se kishte vendosur të ktheheshim. Ai jepte urdhër, se ishte eprori për ne. Ne u nisëm për në Butrint, për të ngrënë drekë. Kemi ndenjur rreth gjysmë ore dhe kemi marrë rrugën e kthimit. Rrugës nga Butrinti për në Sarandë, në një fshat që as më kujtohet, Myzaferi njohu një ushtar që e kishte nga fshati i tij. I foli dhe e morëm në makinën tonë. Në makinën ku isha unë, Myzaferi ishte shoferi. Sokoli në vendin e pasagjerit të parë, unë dhe Gjergji ishim të ulur prapa, Gjergji pas shoferit dhe unë pas Sokolit. Te malorja pa dalë në Qafë-Gjashtë na ka prerë rrugën një makinë. Prej saj ka dalë një person i armatosur dhe drejtoi armën drejt nesh. Ai mbushi armën dhe kur na u afruan, pyeti: “çfarë jeni ju”? Sokoli i tha: “Jemi të policisë së Vlorës”. Doli nga makina dhe e çarmatosi, i kapi automatikun. Pas kësaj, unë dhe Gjergji dolëm menjëherë nga makina dhe Sokoli me Gjergjin futi personin që na drejtoi armën në makinën tonë. Pas kësaj, Gjergji qëlloi me armë automatike në ajër, për presion. U nisëm sërish. Te karburanti në krah të djathtë të rrugës në Qafë-Gjashtës dalluam disa persona të armatosur, 10-15 veta. Grupi i armatosur po qëllonte për paralajmërim. Unë kam hapur derën e makinës ku ndodhesha dhe kam zënë pozicion duke tentuar të qëlloj edhe unë në ajër për paralajmërim, por automatiku nuk funksionoi. Unë pashë se njëri nga dy personat që ishte në makinë me Sokol Bizhgën, që na prenë rrugën pak më parë, doli nga makina dhe iku në drejtim të grupit, duke bërë shenja me duar. Sokoli dhe Gjergji qëlluan me automatik në ajër për paralajmërim. Sokoli hodhi një granatë dore mësymëse. Në kohën që personi u bashkua me grupin e armatosur, ata qëlluan me më shumë intensitet në drejtimin tonë. Në këtë kohë unë kam dëgjuar Gjergjin që thërriste: “U plagosa, më dërgoni në spital”. Ai ishte brenda në makinë në këtë kohë. Unë në këto momente ndodhesha në makinë e dytë, në krahun e pasagjerit. Pas pak kam parë Sokolin që u largua për nga krahu i majtë i rrugës dhe në këtë kohë edhe unë kam kapërcyer murin në krahun e djathtë dhe jam fshehur te disa pisha. Gjatë gjithë kësaj kohe qëllohej nga të gjitha drejtimet. Kam dëgjuar Gjergjin që vazhdonte të thërriste se ishte plagosur dhe kërkonte ndihmë. Gjithashtu kam parë personat e armatosur të afrohen te makina, ishin rreth 10 persona, dhe kam dëgjuar njërin të thoshte: “Na është hedhur njëri nga muri”. Në këtë kohë kam parë një person nga grupi i armatosur që ka qëlluar me automatik kallashnikov në drejtim të makinës ku ishte Gjergji. Personi që ka qëlluar, ka qenë shumë afër me makinën, dy ose tri metra dhe lëshoi një breshëri të gjatë. Që nga ai moment nuk e dëgjova më Gjergjin të rënkonte. Unë dola nga vendi ku isha fshehur, lashë automatikun në vend dhe u drejtova nga njerëzit e armatosur. Unë u thashë atyre: “Jam polic, jam nga Vranishti i Vlorës, mos godisni”. Unë dola nga vendi ku isha, pasi mendova se po të ikja me vrap, do më qëllonin. Personi që qëlloi me breshëri automatiku në drejtim të makinës ku ishte Gjergji, ishte një djalë rreth të 25-ve, i gjatë rreth 1.70 metra. Ata filluan të më godisnin me qytat e armëve dhe me sendet çfarë u ndodheshin pranë dhe më shanin. Ata më godisnin në kokë dhe në gjithë trupin me grushte, me shkelma, më pështynin. Turma sa vinte dhe bëhej më e madhe, pasi vinin njerëz nga Saranda dhe nga rrethinat. E gjithë kjo zgjati 10-15 minuta. Njëri nga ata persona më hipi në një makinë tip “Benz 2400”, ngjyrë kafe, bashkë me dy persona të armatosur, djem të rinj, për të më ruajtur mua, dhe më çuan në një lokal në Sarandë, ku kishte gazetarë grekë dhe italianë. Fillimisht më çuan në banjë që të lahesha, pasi isha gjithë gjak dhe gazetarët e huaj më kujtohet që ishin duke ngrënë. Më nxorën para tyre dhe ata më filmuan. Ata më pyetën dhe njëri nga djemtë që dinte greqisht më përkthente. Në fakt, shumë prej tyre komunikonin vetë me gazetarët greqisht, nuk pashë njeri të fliste me gazetarët italianë. Unë vetë nuk dija të flisja as greqisht dhe as italisht. Unë u thashë gazetarëve se isha polic nga Vlora dhe kisha ardhur me kolegët në Sarandë me detyrën për ringritjen e Komisariatit të Sarandës. Ndenja rreth 10-15 minuta aty dhe pas kësaj më kthyen përsëri në Qafë-Gjashtë. Ata më nxorën në podium, ishte m’u përballë makinave dhe unë pashë dy makinat tona të djegura që nxirrnin tym dhe maunia para tyre, flake.
Torturat
Mua më lidhën pas një shtylle dhe duart e lidhura gjithashtu pas shtylle. Gjatë gjithë kësaj kohe, përsëri njerëz të armatosur vazhdonin të më godisnin. Aty unë dëgjova që mbajtën fjalim anëtarë të Komitetit të Shpëtimit të Sarandës dhe mësova emrin e kryetarit, quhej Xhevat Koçia. Unë fola para turmës dhe u thashë që jam polic dhe se kisha ardhur me kolegët për të ringritur Komisariatin në Sarandë. Ata shanin dhe më godisnin akoma, madje dëgjova të flisnin me njëri-tjetrin duke pyetur se kush do më vriste. Njëri prej tyre më goditi me tytën e automatikut prapa kokës. Pështyja gjak dhe u ula se nuk qëndroja dot më këmbë nga goditja. Nga kjo goditje unë kam pësuar çarje të thellë prapa kokës. Gjithashtu kam edhe një të çarë në vetullën e majtë prej goditjeve me sende të ndryshme. Rreth orës 22:00 të asaj dite, më çuan në spital. Por, mbaj mend që më kanë lidhur me pranga gjermane nga ato të trashat dhe sqaroj se gjatë gjithë kohës që kam qëndruar në spital, kam qenë i lidhur me pranga dhe më ruanin persona të armatosur me automatik. Të nesërmen, rreth orës 10:00 paradite, më kanë marrë nga spitali me një makinë tip “Aro” të vjetër disa djem me kapuç në kokë. Ata më kanë çuar te sheshi para Bashkisë në Sarandë. Sërish ishte miting dhe kishte shumë njerëz, midis tyre të armatosur, dhe e drejtonte Komiteti i Shpëtimit të Sarandës. Aty më detyruan njerëzit që më mbanin të lidhur që të flisja se gjoja kisha ardhur me mision nga qeveria për të vrarë njerëzit në Sarandë dhe se isha kriminel. Unë u detyrova t’i thosha këto gjëra para turmës nga frika se do më vrisnin. Di që gazetarët e huaj më kanë filmuar. Madje, më detyruan duke më goditur të thosha se kisha në listë njerëzit që isha dërguar për të vrarë, por unë nuk pranova ta thosha këtë gjë në miting. Pas rreth një ore më çuan përsëri në spital, ngaqë isha me plagë dhe i pamundur të qëndroja më këmbë. Më kujtohet që në spital dy ditët e para nuk kam ngrënë gjë, por pija vetëm cigare. Në vazhdim kam pranuar të haja gjërat që më sillte një burrë i vjetër nga Saranda. Në spital ka qenë edhe një i sëmurë, Zapo Lah. Unë kam qëndruar në spital 13-14 ditë, gjithë kohës i lidhur me pranga pas hekurave të krevatit dhe persona të armatosur më ruanin mos largohesha. Gjithashtu, gjatë gjithë kohës kisha frikë se do më vrisnin ose do më helmonin, ndaj i thashë Zahos: “Jam në besën tënde për ushqimin që më sjell”.
Komiteti i Shpëtimit
Pas 4-5 ditësh qëndrimi në spital, më kanë djegur me cigare në trup e gjoks nga ana e majtë, si dhe në krahun e djathtë në pjesën e sipërme. Nuk jam në gjendje të saktësoj emra për të gjithë se cilët ishin nga grupi i personave që më kontrollonin dhe më ruanin. Në disa raste, kur më torturonin, ka qenë i pranishëm edhe Xhevat Koçi, Fuat Karalliu, Maco Golemi, Ristan Lapa dhe Odise Lapa, djemtë e Zahos. Unë mbaj mend që Xhevati thoshte: “Mos qëlloni djema”, por ai tallej, pasi ata vazhdimisht vazhdonin të më godisnin. Dua të theksoj se goditjet më të rënda fizike me qytat e armëve, me grushte e shkelma i kam marrë 4-5 ditët e para dhe sidomos gjatë kohës që më merrnin në pyetje anëtarët e Komitetit të Shpëtimit që përmenda më lart. Ata e bënin këtë me qëllim që të merrnin nga unë sa më shumë informacione për arsyet se përse ne punonjësit e policisë kishim ardhur në Sarandë. Madje, ma mbanin armën në kokë për të më detyruar të tregoja. Kjo edhe sepse ata nuk e besonin kur unë u thosha të vërtetën që ju kam shpjeguar juve. Këto shenja janë të dukshme edhe sot. Unë prisja çdo minutë të më vrisnin dhe kam qenë i shokuar gjithë kohës. Mbaj mend se pas 4-5 ditësh më ka ardhur në spital bashkë me Xhevat Koçinë edhe një person i quajtur Edmond, mbiemrin nuk ia di, por ishte anëtar i Komitetit të Shpëtimit të Vlorës dhe më kujtohet që më tha: “Ne ty o zagar të njihnim, kurse ti ke ardhur për të vrarë”. Unë s’iu përgjigja. Gjatë kohës që kam qëndruar në spital, ata që më mbanin me sillnin gazetarë të huaj që më intervistonin e më pyesnin të njëjtat gjëra që kam thënë edhe më lart.
Zani çaushi
Pas rreth 13-14 ditësh më ka marrë një person, nuk jam i sigurt nëse ka qenë Odise Lapa dhe më ka nxjerrë mbrapa spitalit. Ai bashkë me një person tjetër më hipi në një makinë tip “Benz”, më lidhën sytë dhe më kanë çuar në një shtëpi të cilën nuk e di se ku ndodhet, por brenda në Sarandë ishte. Në makinë dëgjova të flisnin me njëri-tjetrin se kishte ardhur Zani çaushi të më merrte për në Vlorë. Ishte rreth orës 23:00-24:00 dhe pasi më futën në një dhomë, më zgjidhën sytë. Pashë se ishte edhe një person tjetër, i cili më tha se ishte nga Dibra dhe se ishte inspektor zone në Ksamil. Nuk fola më tepër me të, por ai më tha se nuk e dinte përse e mbanin aty. Aty kam ndenjur rreth tre orë. Unë e njihja Zani çaushin, pasi kisha qenë inspektor zone në një pjesë të lagjes “çole” në Vlorë, ku banonte ai dhe se e kishim shoqëruar më parë në Komisariatin e Vlorës. Më pas, 2-3 djem, nuk jam në gjendje të saktësoj nëse ishin po ata që më çuan në shtëpi, erdhën e më nxorën nga shtëpia dhe më morën me makinë. Njëri prej tyre m’u duk si shoferi i makinës që na iku pasi na preu rrugën në Qafë-Gjashtë. Ai më duket se quhej Armando dhe e kam dëgjuar që thoshte: “çfarë m’u desh mua që u ngatërrova me këta”. Ata më vendosën pas një muri, me sa kam kuptuar diku afër qendrës së qytetit, ku pashë Zani çaushin, një djalë të quajtur Luçiano nga Burreli, shok i Zanit, një person të quajtur Tori nga Vlora që e njihja, Viktor Duka quhet, e ka shtëpinë në Vlorë. Me ta ishte dhe një person i quajtur Bardhi nga Vlora. Ishin rreth 7-8 veta. Aty dëgjova që bëheshin debate të ashpra për mua për të mos më liruar, madje dëgjova dhe zëra që thoshin se donin të më vrisnin. Por, nuk jam në gjendje të saktësoj se kush tha kështu, kurse grupi i Zanit donte të më merrte në Vlorë. Ky debat vazhdoi për 10 minuta me tone të acaruara. Një moment, Tori dhe Luçiano më thanë të hipja në furgon dhe unë hyra brenda. Pas kësaj furgoni u nis dhe mua më hoqën prangat brenda furgonit. Dikush nga djemtë e Sarandës e qëlloi furgonin me automatik, një plumb hyri dhe doli në krahun tjetër dhe u thyen xhamat. Unë udhëtova me furgon, kurse Zani vinte pas me një makine tip “Benz”. Në vendin e parë të furgonit rrinte Luçiano, kurse unë prapa. Jemi nisur rreth orës 02:00 të natës dhe kemi ecur pa ndaluar. Kemi mbërritur rreth orës 05:30 në Vlorë. Ndaluam në lokalin që ishte pranë me shtëpinë e Zanit, pimë një kafe dhe pastaj erdhën djemtë e dajës tim në Vlorë, Niko e Napolon Shehu. Atyre u çuan lajm se isha në shtëpinë e Zanit. Në lokal kam ndenjur vetëm 10 minuta. Pas kësaj unë kam ikur në shtëpinë e kushërinjve, ku u lava dhe u nisa direkt për në fshat. Gjatë gjithë kësaj kohe, sa herë jam përpjekur të kujtoj çfarë më ndodhi, nuk ndjehem mirë, pasi ajo ngjarje ka lënë gjurmë në jetën time. Sa herë më vijnë në mendje ato ngjarje, jam i tronditur dhe i frikësuar.
#