Sejdiu: Kosova ka sjellë stabilitet në rajon
Presidenti, fjalim në San Francisko
Pavarësia e Kosovës i ka sjellë paqe dhe stabilitet rajonit, theksoi Presidenti Fatmir Sejdiu në ligjëratën para anëtarëve të "World Affairs Council" në San Francisko. "Gjatë dy viteve si shtet i pavarur dhe sovran, Republika e Kosovës ka shënuar suksese të jashtëzakonshme. Fillimisht janë përgënjeshtruar të gjithë ata që thoshin se pavarësia e Kosovës do ta destabilizojë rajonin. Përkundrazi, pavarësia e Kosovës i ka sjellë paqe dhe stabilitet rajonit, meqenëse të gjitha shtetet tona fqinje, me përjashtim të Serbisë, e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me këto vende", tha Sejdiu. "Por, përveç me fqinjët tanë të parë, Republikën e Malit të Zi, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Maqedonisë, ne kemi marrëdhënie shumë të ngushta edhe me vende të tjera të rajonit, si me Kroacinë, me Slloveninë, me Turqinë, me Bullgarinë, me Hungarinë etj.", shtoi ai. "Pra, pavarësia e Kosovës po dëshmohet si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në Europën Juglindore, kështu që kundërshtuesit e saj përfundimisht duhet të heqin dorë nga pengimi i përpjekjeve tona për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie", theksoi Presidenti kosovar."Serbia investon fuqishëm që atë pjesë ta mbajë sa më larg normalitetit, sepse nëpërmjet saj synon ta destabilizojë tërë Kosovën. Kuptohet, kjo bëhet me qëllimin që pastaj të thuhet: ja, Kosova nuk është në gjendje të funksionojë si shtet demokratik", shtoi Sejdiu.
#