E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kohë reflektimi

03/06/2005  Votimi në Gjermani, Itali dhe Francë mund të paralizojë Bashkimin Evropian deri në 2007

Proevropianët, pavarësisht gjithë sa ka ndodhur, vazhdojnë të jenë mazhorancë. Por, tani u duhet të reflektojnë në lidhje me të ardhmen e Bashkimit Evropian

Mbetet të kuptohet se si ka mundësi që një numër i caktuar popujsh evropianë e kanë inat Evropën. Përgjigjet ekzistojnë: frikë nga liberalizmi ekonomik, frikë nga çmontimi i shtetit social, frikë nga zgjerimi, frikë nga humbja e sovranitetit, nga një Evropë, e cila nuk di si t’u përgjigjet krizave dhe që nuk ofron as edhe ngushëllimin e një identiteti të fuqishëm ndërkombëtar

Zgjedhësit holandezë i kanë dhënë goditjen e fundit një Traktati konstitucional, i cili kishte hyrë tashmë në një gjendje agonie pas kundërshtimit të votuesve në Francë. Tashmë, e vetmja gjë pas së cilës mund të kapen qeveritë e vendeve anëtare të BE, në vijim të serisë së ratifikimeve, është që perëndimit të Kartës së Kushtetutës dhe shpresave të tyre i mungon vetëm një gjë: shpallja që Britania e Madhe, dke patur parasysh gjendjet shpirtërore të shprehura nga dy vende partnerë dhe themelues të Bashkimit Evropan, nuk do të votojë, ose të paktën nuk do ta bëjë këtë në kohën që është parashikuar. Me shumë falënderime nga ana e Kryeminsitrit Toni Bler, i cili, veç ndonjë mrekullie, nuk do të kish qenë në gjendje të evitonte një tjetër humbje. Proevropianët, të cilët pavarësisht asaj që duket vazhdojnë të jenë mazhorancë e plotë kundrejt euroskeptikëve, kanë tashmë të paktën dy elementë, mbi të cilët duhet patjetër që të reflektojnë.

I pari, që nuk lejon tronditje të mëdha, është i shkruar në kalendar. I dyti, i cili u përket idealeve dhe emocioneve të projektit integracionist, ka të bëjë me modelin e rinisjes së një Evrope, e cila nuk ka aspak dëshirë që të vdesë nën rrënojat e tempullit të saj kushtetues.

Kalendari, nga ana e tij, komunikon disa gjëra jo edhe aq të pëlqyeshme. Na thotë për shembull që, pas më pak se pesëmbëdhjetë ditësh, një Bashkim Evropian i katandisur si mos më keq duhet të gjejë vullnetin politik për të rënë në ujdi, lidhur me bilancin komunitar, diçka e domosdoshme kjo, për të bërë që Evropa të reagojë dhe shpërndajë ndihma në gjashtë vitet e ardhshëm.

Të ndarë deri dje, vështirë që të njëzetepesë vendet të zbulohen krejt papritur si të bashkuar, pas këtyre zgjedhjeve në Francë dhe Holandë. Dhe rreziku i një paralize vetëvrasëse, rrezikon të fitojë vazhdueshmëri.

Kalendari na thotë gjithashtu se në Gjermani do të ketë zgjedhje në vjeshtën e ardhshme, në Itali do të votohet në pranverën e vitit 2006 dhe në Francë në vitin 2007. Nëse Chirac do të kishte imituar De Gaulle dhe do të kish dhënë dorëheqjen, pritja e një rinisjeje të këtij projekti të madh nuk do të kish rezultuar e tepruar, por kështu siç janë duke shkuar gjërat, është e vështirë të imagjinosh një iniciativë proevropiane përpara se të kalojnë disa vite. Kjo sepse ish boshti franko-gjerman mbetet i pazëvendësueshëm për t’i ridhënë shtytje Bashkimit Evropian dhe sepse, të paktën në Paris, vetëm një kryetar i ri në Pallatin e Elizesë do të kishte kredibilitetin e domosdoshëm për të ecur përpara.

Domethënë, dy vjet. Dhe gabimi më i madh, ai që me të vërtetë do t’i bënte të pandreqshme humbjet referendare të këtyre ditëve, do të ishte që ato të kaloheshin duke fshehur kokën brenda rërës. Domethënë, aludimet me realitetin e pakundërshtueshëm.

Duke marrë si të pakundërshtueshëm faktin që në pritje të kësaj BE nuk do të zhytet më keq akoma, mbetet të kuptohet se si ka mundësi që një numër i caktuar popujsh evropianë – t’i numërosh është e pamundur, për shkak të procedurave të ndryshme të klasifikimit – e kanë inat Evropën. Përgjigjet ekzistojnë: frikë nga liberalizmi ekonomik, frikë nga çmontimi i shtetit social, frikë nga zgjerimi, frikë nga humbja e sovranitetit, frikë nga shkëmbimi i pabarabartë i kompetencave me një Evropë, e cila nuk di si t’u përgjigjet krizave dhe që nuk ofron as edhe ngushëllimin e një identiteti të fuqishëm ndërkombëtar.

Nëse këto janë simptomat e BE-së së sotme, shërimi nuk mund të gjendet në rikthimin drejt një “rruge elitare”, e cila ka udhëhequr deri më sot ndërtimin e Evropës. Përkundrazi, duhet reflektuar dhe diskutuar, që sot, mbi disa çështje të mëdha që mbajnë peng të ardhmen evropiane.

Si mund të përqafohet kapitalizmi i globalizuar pa tradhtuar një kulturë evropiane, në të cilën liberalizmi i shfrenuar nuk ka vend? Në të vërtetë, Kushtetuta nuk ia hapte dyert liberalizmit, por gjithsesi sinjali u dha. Dhe kërkimi i një rrugë të tretë reformuese mund të jetë përgjigjja më e vlefshme. Ajo që ndodh dhe do të ndodhë në Gjermani, ku po tentohet drejt reformave, vlen për Evropën shumë më tepër sesa JO-ja franko-holandeze.

A mund të bëhet demokratik një institucion elitar dhe teknokrat siç është Evropa? Zgjedhja nuk ekziston, përgjigjja duhet të jetë PO, ose nuk do të ketë më Evropë.

Për ata që ende besojnë në ambicien e një Evrope politike, rruga e drejtë do të jetë ajo e një bashkimi me shpejtësi shumë më të madhe. Me dy ture të ndërvarur, njëri që kujdeset për integrimin dhe tjetri që kërkon të stabilizojë dhe demokratizojë duke u zgjeruar (Turqia, Ukraina, vendet ballkanike).

Rreziqet janë të lartë, instrumentet ligjorë mbetet që të shpiken. Por, sot për sot, alternativa e ndryshimit, është që të zhgënjehen popujt dhe të jetosh në rënien përfundimtare të Evropës.

Zhgënjimi i udhëheqësve të BE

"Ne kemi nevojë të dimë se ku po shkojmë, shpresoj që udhëheqësit do të arrijnë një qëndrim me konsensus. Të qëndrojmë së bashku dhe të vendosim për të ardhmen," tha zoti Barroso. Udhëheqësit e BE-së janë duke ushtruar presion maksimal mbi Britaninë që kjo e fundit të mos mbajë referendum

Në Bruksel, udhëheqësit kryesorë të BE-së, përfshirë Presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, shfaqën zhgënjimin e tyre pas votës së dytë "JO" brenda pak ditësh. Megjithatë, ata theksuan vendosmërinë se ratifikimi i kushtetutës në 14 vende të tjera përfshirë edhe Britaninë e Madhe do të vazhdojë sipas planeve. Në Bruksel zotëron një atmosferë mjaft e nderë.

Udhëheqësi që ka presidencën e radhës së BE-së, Kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, dukej kaq i stresuar sa e kishte të pamundur të pranonte një tjetër votë "Jo". Njerëzit i kishin vënë shpresat e tyre tek Evropa, tha ai, dhe procesi i ratifikimit të Kushtetutës duhet të vazhdonte.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, u përpoq me mund që të mos e pranonte humbjen e dyfishtë prej votuesve holandezë dhe francezë. Ai këmbënguli përsëri se të gjitha vendet duhet ta ratifikonin Kushtetutën, dhe shtoi se Evropa duhet të vazhdonte.

"Ne kemi nevojë të dimë se ku po shkojmë, shpresoj që udhëheqësit do të arrijnë një qëndrim me konsensus. Të qëndrojmë së bashku dhe të vendosim për të ardhmen," tha zoti Barroso. Udhëheqësit e BE-së janë duke ushtruar presion maksimal mbi Britaninë që kjo e fundit të mos mbajë referendum, të paktën të mos vendosë deri në takimin e ardhshëm të udhëheqësve evropianë.

Kryeministri i Luksemburgut dhe zoti Barroso e bënë të qartë se, megjithë krizën politike, ata shpresonin që samiti i BE-së (pas dy javësh) do të zgjidhte të tjera çështje delikate si ajo e buxhetit. Zoti Barrroso nga ana e tij këmbënguli se qëllimet duhen të realizoheshin dhe se evropianët duhet të ishin ambiciozë.

Bashkimi Evropian duket sikur është tërhequr. Udhëheqësit e saj e kanë thënë se nuk ka alternativë tjetër, përveç se një Kushtetutë Evropiane. Duket se nevoja për ta patur një të tillë është e pranishme.

Gerhard Schreder nuk doli para shtypit, ai lëshoi vetëm një deklarate me shkrim, për atë që mendon lidhur me referendumin holandez. Dhe në të thuhet shkurt e prerë, se ai Gerhard Schrederi e pranon me respekt, por me keqardhje shumë të madhe vendimin. Prandaj ai është i bindur se evropianët kanë nevojë për kushtetutën, nëse duan një Evropë demokratike, sociale dhe të forte. Kriza për ratifikimin, tha Kancelari, nuk duhet bërë në asnjë mënyrë krizë e përgjithshme e Evropës. Ngjashëm me të u shpreh edhe ministri i Jashtëm, Joshka Fisher.

"Nuk mendoj se do të realizojmë një tekst më të mirë për kushtetutën, prandaj këtë projektkushtetutë duhet ta ruajme dhe ta mbajmë. Por shumë gjëra flasin për faktin se ne tani po hyjmë në një fazë që do të thotë një rrugë e tërthortë drejt zgjerimit të Bashkimit Evropian. Bota nuk duhet të na presë ne dhe detyrat para së cilave ndodhemi ne evropianët si dhe roli i BE në politikën e jashtme përbëjnë për ne një sfidë të fortë. Prandaj tani duhet të mendohemi thellë."

Disi më kritike shprehet kryetarja e CDU, Angela Merkel, kandidate për kancelar e unionit. "Procesi i ratifikimit duhet të vazhdojë, por thjesht të themi mbyll një sy dhe vazhdo rrugën, kjo nuk duhet të ndodhë pas votës së holandezëve. Ne duhet t´u tregojmë njerëzve se i marrim seriozisht shqetësimet e tyre, se i kuptojmë dhe i çojmë në një rrugë drejt thellimit të Evropës."

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›