E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS-PD bara zohen nga sondazhi i Mjaft

02/06/2005  39 % e të anketuarve besojnë se Partia Demokratike do vijë në pushtet, 33 për qind preferojnë socialistët

Mbi 65 për qind e të intervistuarve do marrin pjesë në zgjedhjet e 3 korrikut

"Mjaft" ka paraqitur dje rezultatet e sondazhit prej 1400 të intervistuarve para zgjedhjeve, duke mos bërë komente rreth tij. Megjithatë, duket se rezultatet japin një sërë të dhënash kontradiktore, pasi në njërën anë, të intervistuarit janë ndarë në mënyrë të barabartë për mbështetjen PD-PS, ndërsa në anën tjetër shumica e të intervistuarve shprehen se PD do të fitojë zgjedhjet. Madje, në një masë të madhe të intervistuarit kërkojnë ndryshimin total të qeverisë. Në këtë kërkesë janë përfshirë dhe 33 për qind e të intervistuarve, që preferojnë të votojnë për PS-në. Në sondazh janë pyetur 1400 persona të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë. Intervistat janë marrë prej 100 të punësuarve të "Mjaft" dhe janë mbikëqyrur prej 20 personave të tjerë.

Partitë

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë marrë pikë të barabarta nga të intervistuarit. Të dy forcat politike kanë marrë nga 34 për qind të votave të të intervistuarve. Ndërsa 10% kanë votuar Lëvizjen Socialiste për Integrim, 2% Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe nga 1% PR, PDS, PDK, PBDNJ e PAA. 7% e të intervistuarve kanë refuzuar të japin përgjigje mbi votën e tyre, ndërsa 6 për qind ende nuk e dinë për kë do të votojnë. Por, pavarësisht, kësaj ndarjeje, "Mjaft" shprehet se 39 për qind e të intervistuarve shprehin besimin se Partia Demokratike do të fitojë zgjedhjet kundrejt 33 për qind, të të cilëve besojnë se votimet i fiton Partia Socialiste. Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë besimin e 8 për qind të të pyeturve, kurse 2 për qind shprehen për Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar. Sipas deklaratës së "Mjaft" kufiri i gabimit të rezultateve të dala nga sondazhi paraprak ruan vlerat +/- 2,6 %.

Pjesëmarrja në votime

Mbi 75% e të anketuarve, besojnë se zgjedhjet e ardhshme do të jenë përgjithësisht të lira e të drejta. Në vazhdim, shumica dërrmuese e të intervistuarve janë të sigurt se vota e tyre do të jetë sekrete dhe se zyrtarët nuk do ta dinë se për cilën parti kanë votuar.

Për më tepër, 60% e qytetarëve shqiptarë i konsiderojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare jashtëzakonisht të rëndësishme dhe 30% e tyre i konsiderojnë ato si mjaftueshëm të rëndësishme. Megjithatë, "Mjaft" bën të ditur se pjesëmarrja në votime do të jetë në një nivel të kënaqshëm. Mbi 65% e të intervistuarve deklarohen të vendosur se do të votojnë, dhe 17% të tjerë mendojnë se mund të votojnë.

Ankesat

Nga anketimi bëhet e ditur se qytetarët shqiptarë duken të ndarë në tre grupime të mëdha për sa i përket ndjeshmërisë së tyre, në lidhje me drejtimin në të cilin po shkojnë gjërat në vend. Ka një dominim të lehtë të qytetarëve, të cilët mendojnë se gjërat po shkojnë në drejtimin e gabuar. 38 për qind e të pyeturve janë të mendimit se gjërat nuk po shkojnë mirë. Ndërsa 32% e të pyeturve thonë se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Këto dy grupe janë të ndjekur prej të intervistuarve, që mendojnë se disa gjëra po zhvillohen në drejtimin e duhur dhe disa gjëra në drejtimin e gabuar. Me këtë qëndrim janë shprehur 28 për qind e të pyeturve.

Gallup

Gjatë prezantimit të sondazhit, kreu i Lëvizjes "Mjaft" prezantoi dhe organizatën Gallup International, pjesëmarrëse në sondazh. "Është një nga organizatat ndërkombëtare me reputacion më të lartë në fushën e anketimit të opinionit publik. Themeluar në 1947 nga Dr. George H. Gallup, Gallup International ofron sot cilësi dhe saktësi në teknikat dhe metodologjinë që përdor. Përfaqësimi i këtij instituti në 100 shtete të ndryshme bën që Gallup International të bashkojë në mënyrë të suksesshme profesionalizmin e partnerëve lokalë me eksperiencën ndërkombëtare 50-vjeçare", tha Veliaj.

Papunësia shqetësimi më i madh

Sipas sondazhit, shqiptarët kërkojnë më shumë mundësi punësimi, duke e vlerësuar si zgjidhjen e problemeve të tyre. 58 për qind e të intervistuarve e kanë parë papunësinë si problemin më shqetësues të tyre dhe të shoqërisë. Problemi i dytë renditet korrupsioni, që rezulton shqetësues prej 45% të të intervistuarve. Në këtë pikë është theksuar problemi në administratë etj. Ndërkohë që Varfëria/Standardet e Ulëta të Jetesës, radhiten si problemi i tretë më shqetësues për shoqërinë shqiptare

Ekonomia po ecën ngadalë

Ndjeshmëria mbi situatën e përgjithshme ekonomike në vend rezulton gjerësisht në një

shkallë negative. Për shumicën e të intervistuarve, situata nuk ka ndryshuar as për mirë e as për keq, krahasuar me 12 muaj më parë. 62 për qind e të intervistuarve mendojnë se rritja ekonomike në vend është shumë e ngadaltë. Duket se ky është shkaku pse shumica e të intervistuarve kërkon ndryshim sa më të madh të qeverisë. 43% e të anketuarve fajësojnë Qeverinë dhe 11% politikën në përgjithësi, si përgjegjës kryesor të rritjes së ngadaltë ekonomike.

Integrimi Evropian me ritme të ulëta

Duke vlerësuar ritmet e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, shumica e të

anketuarve ndajnë mendimin se edhe ky proces po përparon me ritme të ngadalta. Të pyetur mbi shkaqet e këtyre ritmeve, të intervistuarit bëjnë sërish përgjegjës klasën politike dhe klimën politike në përgjithësi, duke përcaktuar Qeverinë si institucionin kryesor përgjegjës. Përafërsisht, gjysma e të intervistuarve e konsiderojnë situatën aktuale politike të tensionuar, ndërkohë që 16% të tjerë e konsiderojnë këtë gjendje kritike.

Besimi ndërkombëtarët, ushtria e media

E rëndësishme për t'u theksuar është së organizatat ndërkombëtare, si Bashkimi Evropian, OSBE dhe NATO, gëzojnë shumë më tepër besim se sa institucionet shqiptare. Ndër institucionet e vendit, Ushtria renditet me më shume besim, ndjekur nga Media. Ndërkohë që Gjykatat dhe Prokuroria renditen të fundit në besimin e publikut.

34% Partia Demokratike

34% Partia Socialiste

10% Lëvizja Socialiste për Integrim

2% Lëvizja për Zhvillim Kombëtar

1% Partia Republikane

1% Demokracia Sociale

1% Partia Demokristiane

1% Bashkimi për të Drejtat e Njeriut

1% Partia Agrare

7% Refuzon

6% Nuk e di/I pavendosur

Pavarësisht nëse do të votoni apo jo, cila parti mendoni se do të fitonte në zgjedhjet

parlamentare që po afrojnë

39% Partia Demokratike

33% Partia Socialiste

8% Lëvizja Socialiste për Integrim

1% Lëvizja për Zhvillim Kombëtar

1% Të tjerë

7% Refuzoj

10% Nuk e di

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, favorizon PS, për të vendosur objekte publiciteti në hapësirat publike të kryeqytetit. “Shtëpia” socialiste e vendosur në qendër të Tiranës pranë piramidës duket se ka thyer rregullat e kryebashkiakut, rregulla të cilat për të tjerët zbatohen me rreptësi. Vetë kreu i bashkisë nuk ka preferuar të shprehet për këto përjashtime. Ndësa disa javë më parë ka qenë një vendim i bashkisë së Tiranës për të hequr nga taracat e pallateve dhe institucioneve reklamat gjigande. I njëjti rregull është shfrytëzuar dhe për posterat e shumtë që kandidatët për deputetë po vendosin nëpër kryeqytet.

Në vitin 2001, 36 për qind ishin për PS, 31 për PD

"Mjaft", në sondazhin e bërë për zgjedhjet e tre qershorit, u ka kërkuar të intervistuarve dhe votën, të cilën ata kanë dhënë në zgjedhjet e vitit 2001 dhe në zgjedhjet e vitit 2003. Sipas të dhënave, nga të intervistuarit është thënë se rreth 31 për qind e tyre kishin votuar pro Partisë Demokratike në vitin 2001, ndërsa 36 për qind ishin pro Partisë Socialiste. Gjithashtu është bërë e ditur se në sondazh janë bërë dhe një sërë pyetjesh të tjera ndërmjetëse, që edhe pse nuk janë paraqitur në raportin e bërë publik kanë konsistuar në qartësimin e intervistës dhe në shmangien e abuzimeve të mundshme. Nga ana tjetër, krerët e "Mjaft" kanë bërë të ditur se marzhi i gabimit në sondash është deri në 2.6 për qind. Kjo si në anën negative ashtu dhe në anën pozitive. Ndrësa pritet që së shpejti "Mjaft" në bashkëpunim me Gallup të nisë dhe një tjetër sondazh me 1400 të intervistuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›