E Hënë, 2 Nëntor 2026

Moisiu: Politika të mos përfitojë nga fëmijët

02/06/2005  Presidenti Moisiu ka përfituar nga festa e fëmijëve, për t'i kërkuar politikanëve që të mos përfitojnë prej fëmijëve. Gjatë takimit me fëmijë të vendit dhe të diasporës, Presidenti vuri theksin që fëmijët të mos bien pre e manipulimeve dhe e përdorimit të tyre në fushatën elektorale, pasi “fatkeqësisht politika po mendon më shumë për përfitimin e vet sesa për të ardhmen e kombit”. Pasi vuri në dukje se popullsia jonë dallohet për moshën e re të përbërjes së saj, Moisiu tha se duhet të mendojmë seriozisht për të ardhmen e tyre. Ndërsa në takimin me përfaqësues të rinisë shqiptare, Presidenti Moisiu shprehu kënaqësinë e tij për angazhimin e Parlamentit Rinor për të informuar dhe ndihmuar votuesit e parë, ata që sapo kanë mbushur 18 vjeç, të shkojnë në votime. “Vota është ajo e drejtë kushtetuese që i jepet çdo qyetari, për të dhënë mendimin e tij politik dhe rinia duhet të shkojë në votime dhe secili të zgjedhë atë që mendon se do të jetë më e mirë për të ardhmen e vendit. Në politikën shqiptare kërkohet futja e një fryme të re dhe kjo do të vijë nga të rinjtë, sepse ata janë të zhveshur nga mentalitetet e 45 vjetëve në diktaturë; rinia shqiptare ka një potencial të madh, i cili duhet shfrytëzuar për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”, tha Presidenti, duke shprehur besimin e plotë se rinia shqiptare do të ecë përpara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›