E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan dhe Vlorë, zjarre tek ish- kombinati i Drurit dhe magazinat e tregut



Tiranë - Flakët e zjarrit kanë përfshirë ambientet e ish-kombinatit të drurit dhe magazinave të tregut, përkatësisht në Elbasan dhe Vlorë. Burime policore thanë se rreth orë 10:30 flakët e zjarrit kanë përfshirë dy fuçi bitumi në ambientet e brendshme të Kombinatit të Drurit në ish- zonën industriale të qytetit të Elbasanit. Flakët rrezikonin ti afroheshin depozitave të mazutit që ndodheshin aty pranë ndaj dhe banorët aty pranë ishin në panik. Rojet kanë njoftuar menjëherë zjarrfikësit të cilët kanë mundur të lokalizonin shumë shpejt flakët. Rreth orës 11:15 forcat zjarrfikëse kishin izoluar flakët dhe po punonin për shuarjen e plotë të tyre. Mësohet se në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe për të evidentuar dëmin material, ndërsa nuk ka pasur të lënduar. Më dramatike ka qenë situata në Vlorë. Rreth orës 12:30 shpërtheu në magazinat e tregut një zjarri i përmasave të mëdha. Mësohet se në drejtim të Vlorës janë nisur edhe makina zjarrfikëse nga qyteti i Fierit dhe ai i Lushnjes. Sipas policisë, zjarri ka shkaktuar dëme në 11 magazina. Dyshohet se shkak mund të ketë qenë punimi me saldim. Nuk ka të lënduar ndërsa dëmet kapin vlerën e miliona lekëve.

27 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›