E Diel, 1 Nëntor 2026

Kohëzgjatja e studimeve

Autori i Lajmit: red.
Kohëzgjatja e programeve të studimit me kohë të plotë
1. Për çdo program studimi me kohë të plotë është përcaktuar si normë një kohëzgjatje në vite, proporcionale me numrin total të krediteve, përcaktuar në kreun IV të këtij udhëzimi, duke patur parasysh që një viti i korrespondojnë 60 kredite.
2. Mbështetur në pikën 1 të këtij kreu, kohëzgjatja normale e programeve të studimit të ciklit të parë me kohë të plotë është tre vite, kohëzgjatja normale e programeve të studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë është edhe dy vite të tjera pas përfundimit të një programi studimi të ciklit të parë, kohëzgjatja normale e programeve të integruara të studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë është së paku pesë vite.

3. Kohëzgjatja normale e programeve të studimit të doktoratës është së paku tre vite të tjera pas përfundimit të një programi studimi të ciklit të dytë apo programi të integruar të studimit të ciklit të dytë.

4. Kohëzgjatja normale e programeve të studimit të specializimeve afatgjata është së paku dy vite të tjera pas përfundimit të një programi studimi të ciklit të dytë apo programi të integruar të studimit të ciklit të dytë.

5. Kohëzgjatja normale e programeve të studimit jouniversitar me kohë të plotë është dy vite.

6. Kohëzgjatja e programeve të ndryshme të studimit të formimit të vazhduar përcaktohet në mënyrë të pavarur nga secili Institucion i Arsimit të Lartë.

7. Kur një program studimi ofrohet me kohë të pjesshme ose në distancë, kohëzgjatja e programit të studimit do të jetë sipas përcaktimeve të bëra në udhëzimin përkatës të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës për organizimin e formave të studimit me kohë të pjesshme dhe në distancë.

8. Kohëzgjatja për programet e studimit të doktoratës do të jetë sipas përcaktimeve të bëra në udhëzimin nr.5, datë 22.1.2008, të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
Ky lajm është publikuar: 28/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›