Koka e Zeusit rikthehet në Tiranë
Pardje, më (15 maj ’09) koka e Asklepiusit (Zeusit) është dorëzuar nga autoritetet italiane në Ambasadën e RSH-së në Romë, për t’u rikthyer në Shqipëri pas 18 vitesh mungesë. Kujtojmë këtu se koka e hyjit Asklepius u grabit në Muzeun Arkeologjik të Butrintit në vitin 1991. Përpjekjet për gjetjen dhe sjelljen e kësaj skulpture në Atdhe kanë qenë të shumta, por deri më tani pa sukses. Madje edhe dy yjet e kombëtares “kuq e zi” të futbollit, Lorik Cana e Igli Tare u përpoqën të jepnin kontributin e tyre, duke kontaktuar shitësin e saj në një ankand të Londrës dhe duke i ofruar 20 mijë euro. Më tej ngjarjet u komplikuan dhe koka u sekuestrua nga autoritetet italiane pasi duhej që të vërtetohej pronari i saj dhe origjina e vërtetë e veprës së artit. Ndërkaq, siç tregon zv.ministri i Turizmit dhe Kulturës Ekrem Spahia për gazetën, procedurat nga pala italiane janë kryer në kohë rekord për të mundësuar kështu kthimin e Asklepiusit në Butrint. Madje, ai pohon se shteti shqiptar i ka paguar të gjitha detyrimet dhe të hënën do të jepet një ceremoni zyrtare në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, ku koka ndodhet momentalisht, për t’u nisur më tej drejt muzeut në Sarandës. Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë e përfaqësuar nga Ambasadori Llesh Kola, organizoi një ceremoni me të ftuar të shumtë, ku merrnin pjesë drejtuesit e Karabinierisë Italiane të Mbrojtjes së Pasurisë Kulturore, të cilët sollën me ceremoni objektin, si dhe përfaqësuesit e delegacionit zyrtar të MTKRS, Ekrem Spahia dhe Ylli Cerova. Ceremonia u përcoll nga një numër i madh qytetarësh shqiptarë e italianë, artistë, shkrimtarë, piktorë, gazetarë, televizione, ushtarakë e studentë si dhe përfaqësues të Ambasadës të Republikës së Kosovës në Romë. Në fjalët e tyre, pala shqiptare i shprehu mirënjohjen shtetit italian dhe shtetasit Massimo Rossi, i cili dorëzoi objektin që ishte pronë e tij.
18 Maj 2009