Bypass: Berisha, Gloveri, Milani dhe ndeshja me futbollistët e parlamentit...
Teatri Kombëtar i Parlamentit, ka dhënë shfaqjen e fundit për këtë sezon ose, siç njihet ndryshe, legjislaturë. Pjesa e zgjedhur për të ulur siparin e aktiviteteve interpretohej nga aktorja Jozefina Topalli, që shkëlqeu në monologun ‘un’ ju’ du’.
Kjo do të jetë njëra prej temave që emisioni i përjavshëm Bypass, bazuar në parodinë e lajmeve, do të ketë në qendër të vëmendjes. Redaksia e këtij emisioni ka mbledhur dhe do t’ju rrisjellë edhe njëherë disa prej ngjarjeve e batutave më të forta të prodhuara nga salla e parlamentit, si bie fjala, deputetë që u bien burive, që ndezin qirinj apo që futen në sallë me rrjeta peshkimi…
Bypassi ka intervistuar gjithashtu, edhe një njohës të mirë të gjuhës kuvendore, i cili na ka njohur me fjalët e reja që parlamenti i ka dhuruar gjuëes shqipe në këto katër vjet…
Kjo javë u shoqërua edhe nga një atmosferë sportive. Skuadrat politike shqiptare kanë bërë përgatitjet e fundit për finalen e madhe të 28 qershorit. Java u shoqërua me lëvizje të shumta lojtarësh dhe me kontestime për arbitrin e ndeshjes… Janë zbardhur arsyet përse kryeministri nuk dëshiron që ndeshja e radhës midis skuadrës së tij me fanella blu, me skuadrën e opozitës që mban të veshur fanellat me ngjyrë rozë, të arbitrohet nga gjyqtarja britanike Glover. Shkaku mbetet finalja e Kupës së Parlamentit të zhvilluar në 26 maj të 1996, ndeshje në të cilën formacioni blu fitoi bindshëm dhe dominoi gjatë gjithë kohës ndeshjen, duke shënuar një numër të madh golash në portën e kundërshtarit, i cili e kishte bojkotuar fushën e lojës. Për këtë arsye arbitri i ndeshjes, zonja Glover, kërkoi anullimin dhe përsëritjen e këtij takimi, që siç dihet u fitua nga skuadra rozë… Zëra të afërt me kryeministrin kanë bërë të ditur se një arsye tjetër që ai nuk e do zonjën Glover si arbitër të finales së madhe të 28 qershorit është edhe fakti se ajo është angleze dhe si e tillë, do të lejonte lojën e rëndë me shumë ndërhyrje të parregullta që mund të sillte dëmtimin e ndonjë lojtari kyç të skuadrës blu. Vet kryeministri është shprehur se ai do të preferonte më mirë ndonjë arbitër italian, të cilët janë shumë të vëmendshëm ndaj faulleve të kryera brenda apo jashtë zonës së votimit dhe kërkesën e tij ua ka dërguar edhe europianëve. Nga ana e tyre, edhe këta të fundit i janë përgjigjur se pas ndeshjes së Shkumbinit, arbitrat italianë nuk vijnë më në Shqipëri. Arbitrat italian mund të mos duan të vijnë në Shqipëri, por skuadrat italiane “po”. Një skuadër e madhe si Milani erdhi në Shqipëri për të zhvilluar një ndeshje me kombëtaren shqiptare. Bypassi ka zbuluar se, duke parë entuziazmin e tifozëve, organizatorët kanë premtuar ta sjellin sërish këtë skuadër në korrik… Përfaqësuesit e skuadrës së Milanit në Shqipëri kanë bërë të njohur projektin e tyre më të fundit. Ata kanë planifikuar një ndeshje në muajin korrik midis skuadrës që do të fitojë zgjedhjet e 28 qershorit dhe Milanit. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” dhe të ardhurat e mbledhura prej saj do të shkojnë për t’u ardhur në ndihmë të gjithë fëmijëve në nevojë të Afrikës. Meqënëse numri i tyre është shumë i madh dhe për të mos lënë asnjë fëmijë pa i “ba mir” organizatorët kanë vendosur që çmimi i biletës për të gjithë ata që duan të shohin këtë ndeshje “live” nga stadiumi të shkojë nga 1-2 mijë euro dhe të gjitha biletat do të jenë D2. Ata që do të paguajnë më tepër do të përfitojnë falas një fanellë të Milanit. Ndërsa ata që nuk do kenë mundësi ta shohin nga stadiumi, mund ta ndjekin në një platformë sportive kundrejt një pagese simbolike ekstra. Organizatorët janë duke menduar që përveç ekipit të Milanit të sjellin në Shqipëri edhe skuadra të tjera të njohura si Barcelona, Real Madrit, Mançester United apo Liverpool e Çelsi, të cilat gjithashtu, do të ndeshen me kombëtaren shqiptare. Me paratë e mbledhura nga biletat dhe të drejtat e transmetimit, organizatorët do të zgjidhin përfundimisht nevojat e të gjithë fëmijëve në nevojë, krizën ku është futur ekonomia botërore si dhe problemin e ngrohjes globale. Në Bypassin e radhës do të njiheni gjithashtu dhe me masat e ndërmarra nga qeveria për të larë borxhin e marrë vetëm pak ditë më parë si dhe me mjaft lajme të tjera. Ora, vendi dhe dita e takimit nuk kanë ndryshuar:
E diel, ora 20. 10, “Bypass Show” vjen në ekranin e Vizion Plus.
18 Maj 2009