Pleqtë kapërcejnë rrugën
Stefano BENNI
Na ishin njëherë dy pleq që donin të kapërcenin rrugën, pasi kishin marrë vesh se matanë ishte një kopsht i madh dhe një liqen. Pleqve, që quheshin Aldo e Alberto, do t’u pëlqente shumë të shkonin atje. Ata u munduan ta kapërcenin rrugën, por ora ishte dhjetë e mëngjesit dhe kishte shumë trafik.
- Gjejmë një semafor, - tha Aldo.
- Ide e mirë, - tha Alberto.
Ecën derisa e gjetën një, por për këmbësorët rruga ishte bllokuar dhe makinat kalonin edhe mbi vijat e bardha. Aldo u përpoq të përparonte ca metra, megjithatë u detyrua të tërhiqej mbrapsht nga boritë e nga të sharat e shoferëve. Atëherë tha: “Le të mundohemi të kalojmë në ndonjë çast, kur të gjitha makinat të jenë të ndalura.” Po vargu ishte aq i dendur sa, edhe sikur pleqtë të bëheshin sardele, nuk do të mund të kalonin. Madje, Aldo ngeci te parakolpi i një makine, ndërsa i zoti i saj zbriti gjithë nerva, e kapi për zverku, e hoqi që andej dhe, pa ditur ku ta çonte, e vuri mbi kapakun e motorit të një makine tjetër.
- Oh jo, këtu jo! - ia priti zoti i makinës së dytë dhe e vendosi plakun mbi karrocerinë e një kamionçine.
Kështu, kapje pas kapjesh, për pak Aldo mbërriti në anën tjetër të rrugës. Por shoferi i kamionçinës ndezi sinjalin e djathtë dhe, teksa mallkonte plot turfullima, arriti ta kalonte rrugën e ta lëshonte Aldon pikërisht në anën nga ishin nisur më parë dy pleqtë. Po afronte mbrëmja, kur Aldos i shkrepi një ide tjetër:
- Do të shtrihem në mes të rrugës e do të bëj sikur kam vdekur. Kur makinat të ndalen, ti mos e zgjat, kapërceje rrugën shpejt dhe, pas teje, do të kaloj edhe unë menjëherë.
- Kësaj radhe s’paskemi për të gabuar më, - tha Alberto.
Aldo u shtri. Mirëpo, në çast, ia behu një veturë e zezë që nuk frenoi, por i dha një goditje aq të fortë, sa e shtyu vërtet drejt mesit të rrugës.
- Shpejt, jepi! - thirri Alberto.
Por tjetri s’pati kohë, një motor i madh e fluturoi Aldon në anën e kundërt. Si kërceu kështu nja tri-katër herë, më në fund plaku e gjeti veten përsëri andej nga ishte nisur.
- ǒtë bëjmë? - pyeti.
- Të zëmë ndonjë biçikletë, - tha Alberto.
Kështu, pritën një grimë dhe, sapo kaloi andej një plak me biçikletë, u hodhën mbi shalë (u dilte mjaft të treve, sepse ishin shumë të dobët). Aldo ia nguli llullën në shpinë plakut të tretë, që quhej Alfredo e tha:
- Kthehu majtas, ndryshe i mjeri ti!
- Majtas?! Po mua më duhet të vazhdoj drejt!
- Lëviz, - foli prapë Aldo, - ose ta mbusha barkun me duhan.
Alfredo nuk e kuptoi mirë kërcënimin, megjithatë u tremb dhe u mundua të merrte nga e majta, por ia behu një “Benz” që ua çau biçikletën më dysh. Më pas erdhi policia.
- Si ndodhi?
- Unë jam deputeti De Bala, - tha i zoti i “Benzit”.
- Atëherë, mund të vazhdoni, - tha polici. - Po ju të tjerët, ç’keni për të thënë?
- Ne donim të përshkonim rrugën, - thanë tre pleqtë.
- Pa dëgjo, pa dëgjo! Ah, këta pleqtë e sotëm, gjithmonë të pakujdesshëm, - psherëtiu polici. - Ka shumë trafik, kurse ju jeni pleq të sëmurë.
- Ju lutem, na ndihmoni ta kapërcejmë rrugën, - ngulmoi Aldo.
- Duam të shkojmë te kopshti, - tha Alberto.
- Ndryshe, do të ma mbushin barkun me duhan, - tha Alfredo.
- As nëpër mend mos e çoni, - tha polici, - do t’ju kthej mbrapsht. Nga ç’anë erdhët?
- Andej, - tha Alberto, duke treguar trotuarin që donin të arrinin.
- Atëherë, atje po ju çoj dhe të gjorët ju, po u munduat prapë të kapërceni rrugën, - tha polici.
Kështu, të shoqëruar nga polici, tre pleqtë kaluan matanë dhe arritën te kopshti. Ishte me të vërtetë një liqen i bukur. Ndiheshin aq mirë, sa nuk u kthyen kurrë më.
Përktheu Alban Bobrati
18 Maj 2009