E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një grupim letrar



- Universiteti i Prishtinës -

Siç njofton bashkëpunëtori ynë Dalip Greca, në Fakultetin e edukimit të Universitetit të Prishtinës është themeluar një grupim i ri letrar.
Orën e parë letrare e hapi Begzad Baliu, i cili, ndër të tjera, përshëndeti kështu: Jam shumë i nderuar që, me kërkesën tuaj, ta hap orën e parë letrare të grupit letrar “Papa Kristo Negovani”, themeluar vetëm pak kohë më parë në Fakultetin tonë. Të nxitur nga një traditë e gjatë letrare e artistike në Universitetin e Prishtinës, si dhe nga dëshira që ajo të ringjallet edhe njëherë, bashkë me disa kolegë të Fakultetit dhe studentë vendosëm që të themelojmë një grup letrar, me qëllim të krijimit të hapësirave të reja për aktivitetet e tyre. Le të shpresojmë se me këtë qerthull krijuesish kemi plotësuar disa nga ëndrrat rinore të studentëve krijues.
Në këtë grup tashmë janë angazhuar mjaft studentë e mësimdhënës, ndërsa pjesë të po këtij qerthulli i konsiderojmë edhe krijuesit jashtë Fakultetit dhe Universitetit, të cilët interesimin tonë e kanë përkrahur jo vetëm me krijimet e tyre që do të lexojnë, por edhe me veprat autoriale që do të shpërndajnë në mesin tonë.
Besoj se synimet largvajtëse i kemi shprehur edhe me pagëzimin e grupimit tonë me emrin e rilindësit dhe atdhetarit të shquar Papa Kristo Negovani. Një emër tjetër zor se do ta nderonte më shumë një institucion, që ka për synim përgatitjen e mësuesit bashkëkohor dhe me
vetëdije historike njëkohësisht. Pagëzimi i grupit letrar me emrin e Negovanit shpresoj të jetë një mesazh i qartë kulturor e atdhetar njëkohësisht. Ai ishte kleriku dhe patrioti që me punën e tij rrezatonte besim e dije, arsim e kulturë, guxim qytetar dhe krenari kombëtare.
Le të jetë ky emër një mesazh nga Universiteti ynë për të gjithë ata që, viteve të fundit, angazhohen shumë për konceptet krahinore në jetën tonë kulturore, që punojnë shumë për tkurrjen e historisë kombëtare, që kufijtë egjuhës shqipe i caktojnë deri në fund të krahinës së stërgjyshit të tyre, që hapësirën etnografike shqiptare ia mbindërtojnë hapësirës së popullit modern shqiptare, që ditën dhe natën rindërtojnë me shumë pasion muret gjuhësore, kulturore dhe madje historike nga njëri dialekt (tosk) te tjetri (gegë) dhe madje tek i ashtuquajturi dialekt i kosovar, dhe nga njëri besim (mysliman), te tjetri (katolik) për t’ia vënë pikën atij ortodoks. Le të bëhet prandaj martiri i gjuhës dhe shkollës shqipe, Papa Kristo Negovani, refuzimi ynë i madh kundër gjithë atyre që në çfarëdo mënyre përmbysin konceptet kombëtare të shkollës, kulturës e historisë kombëtare dhe një thirrje e fuqishme që shkollën nacionale ta ndërtojmë mbi konceptet e rilindësve, të cilët për gjuhën dhe shkollën shqipe punuan e menduan shqiptarisht.

18 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›