“Kokaina”, Bërballa kërkon lirim me kusht
TIRANE – Arben Bërballa, një nga të dënuarit e dosjes “Kokaina”, kërkon në gjykatë të lërë qelinë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës, ku i dënuari ka depozituar një kërkesë zyrtare duke kërkuar shqyrtimin e saj nga togat e zeza. Sipas burimeve nga gjykata, i dënuari me 13 vjet burg në maj të vitit 2006, kërkon të lirohet nga burgu me kusht. Kërkesa është depozituar pak ditë më parë në Gjykatën e kryeqytetit. Shorti elektronik i gjykatës ka përzgjedhur gjyqtarin Ilir Çeliku, si togën e zezë që do të shqyrtojë këtë kërkesë. Në ditët në vijim pritet të caktohet data kur do të zhvillohet seanca ku do të shqyrtohet kërkesa e Bërballës për “lirim me kusht”. Gjithashtu bëhet e ditur se në datën 12 të këtij muaji, Gjykata e Tiranës do të shqyrtojë një tjetër kërkesë të bërë ditë më parë nga Bërballa, atë të “uljes së dënimit”. Arben Bërballa është arrestuar në vitin 2001, ndërkohë që 5 vjet më pas me një vendim të Gjykatës së Lartë u dënua me 13 vjet burg.