E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kokaina në verë”, hetim doganave

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Kokaina në verën e çiftit të helmuar në Golem ka shtyrë Prokurorinë të hetojë në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Dyshimet për një trafik të mundshëm të lëndës narkotike nëpërmjet shisheve të verës ka bërë që Prokuroria e Krimeve të Rënda të shtrijë hetimet në pikat e kalimit kufitar. Vetëm dy ditë më parë Mjekësia Ligjore zyrtarizoi se në shishen e verës që ka konsurmuar çifti, që humbi jetën në Golem, gjendeshin 150 gramë lëndë narkotike e llojit kokainë.
Hetimet
Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bënë të ditur se grupi hetimor po mbledh të dhëna dhe informacione nga shërbimet që operojnë në kufi, përfshirë këtu doganat si dhe shërbimet postare. Sipas të njëjtave burimeve, mësohet se hetimet në këtë drejtim mbështeten në dyshimet e ngritura se droga e fshehur në shishe vere mund të ketë hyrë në Shqipëri nga jashtë shtetit përmes pikave të kalimit kufitar. Megjithatë, nuk përjashtohet edhe mundësia e kalimit të saj përmes dërgesave postare si dhe në rrugë ilegale. Burimet bëjnë të ditur se hetimet mbi këtë çështje morën shkas nga ngjarja e ndodhur në janar të këtij viti në një restorant në Golem, Kavajë, kur shtetasi Tomi Rrumbullaku dhe e njohura e tij, Diana Xibraku, konsumuan një shishe vere me përqindje të lartë kokaine, çka shkaktoi edhe vdekjen e menjëhershme të tyre. Ndërkohë që hetimet e deritanishme kanë treguar se viktimat nuk kishin dijeni për përmbajtjen e shishes së verës që kishin konsumuar në restorant. Shishja e verës ishte siguruar në rrethana të paqarta për momentin nga Tomi Rrumbullaku, i cili ishte punësuar pranë shërbimit postar në Tiranë.
Ekspertiza,
Zbardhet sasia e drogës në shishen e verës që konsumuan shtetasit Tomi Rrumbullaku dhe Diana Xibraku në fillimin e këtij viti në një restorant në Golem, çka shkaktoi edhe vdekjen e menjëhershme të tyre. Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda bënë të ditur se ekspertizat e kryera në Laboratorin Shkencor pranë Ministrisë së Brendshme provuan ekzistencën në shishen e verës 0.75 l të një doze prej afro 150 gramë lëndë narkotike e llojit kokainë. Sipas burimit në fjalë, këto analiza u kanë shërbyer hetuesve të marrin në konsideratë pistën për një trafik të mundshëm narkotikësh, duke kërkuar origjinën e shishes së verës, vendin nga ka ardhur, që besohet se është jashtë shtetit dhe destinacionin e saj. Tomi Rrumbullaku dhe Diana Xibraku vdiqën nga helmimi pas një dreke në një restorant në Golem në janar 2008. Viktimat kishin konsumuar edhe një shishe vere, e cila nga ekspertiza rezultoi e droguar.

Ky lajm është publikuar: 10/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›