E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, pse nuk ka konsensus në KE?

Autori i Lajmit: red.
Përfaqësuesja e përhershme e Britanisë së Madhe në Këshillin e Evropës, Eleanor Fuller thotë se autoritetet e Kosovës duhet të avokojnë për njohjen e kufijve të Kosovës nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës.
Ajo ka premtuar ndihmën e Londrës zyrtare për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga sa më shumë shtete dhe anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.
Zonja Fuller, në Këshillin e Evropës nuk ka konsensus lidhur me pavarësinë e Kosovës. Më intereson vlerësimi juaj për situatën në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë. Cili është ai?
“Mendoj se Këshilli i Evropës mund të kontribuojë mjaft në Kosovë, prandaj ne e mbështesim fuqishëm punën e Këshillit të Evropës në sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe demokracinë dhe ne dëshirojmë që kjo punë të vazhdojë në Kosovë. Ju përmendët mungesën e konsensusit në Këshillin e Evropës për pavarësinë e Kosovës, por ka një gjë për të cilën ka konsensus mes të gjitha vendeve anëtare e kjo është po citoj "puna me status neutral e Këshillit të Evropës në Kosovë duhet të vazhdojë". Mendoj se nuk ka asnjë vend anëtar që dëshiron të shoh një damkë të zezë në aspektin e të drejtave të njeriut në Kosovë, prandaj Këshilli i Evropës do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në respektimin e të drejtave të njeriut, minoriteteve, sundimin e ligjit dhe demokracinë”.
A do të ndihmojë Britania e Madhe Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe si do ta bëni këtë?
Natyrisht ne dëshirojmë ta shohim Kosovën duke zënë vendin e saj këtu në Strasburg,si anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës sa më shpejt që është e mundur. Ne besojmë se kur Kosova të bëhet anëtare, do të mund të përfshihet në sistemin e të drejtave të njeriut, një sistem shumë të zhvilluar që kemi ne në Këshillin e Evropës. Mendojmë se kjo do të ishte mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne do të vazhdojmë të avokojmë dhe të mbështesim punën që Këshilli i Evropës po bën në Kosovë, për shembull në zhvillimin e strategjisë për të drejtat e njeriut, në ndërtimin e kapaciteteve për sistemin e drejtësisë, në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Mendojmë se të gjitha këto janë jetësore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë”.
Çfarë do t u rekomandonit autoriteteve të Kosovës sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës?
“Mendoj se ende nuk ka kushte për Kosovën që t i bashkohet Këshillit të Evropës menjëherë, prandaj autoritetet duhet të avokojnë për njohjen e kufijve të Kosovës nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës dhe ndërkohë të aplikojnë për anëtarësim. Fakti që autoritetet e Kosovës i marrin shumë seriozisht këshillat dhe udhëzimet e Këshillit të Evropës dhe i zbatojnë rekomandimet tona në praktikë,do të ndihmojë shumë kur të vijë koha për të aplikuar për anëtarësim”.
Si do të ndihmonte Kosovën anëtarësimi në Këshillin e Evropës në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracisë?
“Ne në Këshillin e Evropës kemi një sistem shumë të zhvilluar të ligjeve për të gjitha vendet anëtare. Gjithashtu kemi sistemin e kontrollit për të siguruar se të gjitha vendet anëtare plotësojnë standardet. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për të garantuar respektimin e të drejtave të njeriut dhe natyrisht që të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës kanë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në mënyrë që të mund t i dërgojnë rastet në këtë gjykatë nëse nuk janë të kënaqur me ato në vendet e tyre. Kjo natyrisht është një mënyrë shumë e mirë për të garantuar dhe për të forcuar të drejtat e njeriut në gjithë Evropën”.
Dhe fakti që Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës ia pamundëson asaj që t i çojë rastet në Gjykatën Evropiane dhe të provojë respektimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë?
“Mendoj se gjatë nëntë vjetëve sa Këshilli i Evropës është aktiv në Kosovë, janë gjetur mënyra për të siguruar që qytetarët e Kosovës të mund t i gëzojnë disa të drejta, të cilat do t i gëzonin sikur Kosova të ishte anëtare e Këshillit të Evropës, siç është për shembull mekanizmi i kontrollit të të drejtave të njeriut me Konventën Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe Konventa për Pakicat Kombëtare. Pra, tanimë është i vendosur një sistem, por natyrisht kur Kosova të bëhet anëtare e plotë, do të jetë e përfshirë në tërë sistemin, siç edhe vendet tjera anëtare”.
Sipas jush, kur do të mund të bëhet Kosova anëtare e Këshillit të Evropës, mendoni se kjo mund të ndodhë shpejt?
“Është shumë vështirë të spekulohet për këtë, por në Këshillin e Evropës rregullat janë shumë të qarta për mënyrën e anëtarësimit të një vendi, ato janë të shkruara dhe transparente. Kjo do të ndodhë atëherë kur sa më shumë vende janë të gatshme të mbështesin anëtarësimin e Kosovës. Natyrisht ne e mbështesim këtë dhe ne aktivisht po i nxisim vendet tjera që ta njohin Kosovën në mënyrë që ne të arrijmë te kjo pikë sa më shpejt që është e mundur”.

Ky lajm është publikuar: 10/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›