E Diel, 1 Nëntor 2026

UNESCO vlerëson punën për ruajtjen dhe restaurimin e Beratit

Autori i Lajmit: red.
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, e vlerësoi përfshirjen e qytetit të Beratit në listën e trashëgimisë kulturore botërore nga Këshilli i UNESCO-s, një ditë më parë në Kuebek të Kanadasë, si një ditë të gëzuar për kulturën shqiptare. Gjatë një konference për shtyp, Pango tha se “jemi në ditën e gëzuar të përfshirjes së qytetit të Beratit në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Nga 21 anëtarë të Komitetit të UNESCO-s të Trashëgimisë Botërore, votuan pro 21. Ata vlerësuan punën e bërë për ruajtjen dhe restaurimin e qytetit si dhe dosjen e tij". Ministri Pango theksoi se "Berati ka qenë dhe mbetet në fokusin e punës sonë, me 22 banesa karakteristike të restauruara gjatë vitit 2007 dhe me 27 banesa të miratuara për restaurim për vitin 2008”. Ai vlerësoi punën e stafit që u mor me hartimin e dosjes së Beratit, prof. Emin Rizën, drejtorin e Trashëgimisë Kulturore në MTKRS, Olsi Lafe, stafin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, ambasadoren tonë në UNESCO, Tatiana Gjonaj, qytetarët e Beratit, si dhe të gjithë ata, të cilët për një periudhë të gjatë punuan për të arritur në ditën pranimit të Beratit në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Qyteti-muze 2420-vjeçar i Beratit, i ndërtuar në mes maleve dhe kodrave, ngjan si një amfiteatër antik. Mes për mes qytetit kalon lumi Osum, që e ndan Beratin në dy pjesë, që lidhen nëpërmjet urës së vjetër të Goricës.

Ky lajm është publikuar: 10/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›