E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: “Shqipëria si Norvegjia”

Autori i Lajmit: red.
Kriza e energjisë nuk zgjidhet nëpërmjet privatizimit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, por nëpërmjet mirëmenazhimit të këtij sektori. Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Intregrim dhe ish-kreu i KESH, Dritan Prifti, sqaron se kjo korporatë do të mbetet monopol dhe më pas, prandaj nuk do të jetë zgjidhje privatizimi. Madje, sipas tij, privatizimi i KESH duhet të bëhet vetëm pasi të fuqizohet menazhimi i tij. Ai pohon se edhe falja e kamatëvonesave është në funksion të privatizimit të KESH dhe jo të konsumatorëve. Prifti mendon se zgjidhja më e mirë e krizës është si në rastin e Norvegjisë, ku janë disa furnizues të energjisë që konkurrojnë për t ia dhënë energjinë sa më lirë konsumatorit, ndërkohë që linjat i mban shteti.

1. Zoti Prifti, situata energjetike në vendin tonë vazhdon të jetë problematike, edhe pse rezervat hidrike, ashtu siç keni pohuar dhe ju, janë më të mirat në 10 vitet e fundit. Si e komentoni këtë situatë?

Unë mendoj se kjo Qeveri po e shkatërron KESH-in, sepse do ta shesë atë lirë tek të huajt. Nuk ka asnjë arsye të kemi kufizime të furnizimit me energji elektrike. Po të shohësh rezervën energjetike në kaskadën e Drinit në këtë kohë ajo është më e larta që kemi pasur në 10 vjetët e fundit. Rezerva është 1.3 miliard kv në Fierzë, importi me kontratë është mbi 1 miliard kv/orë. Pra kemi energji të mjaftueshme për 4-5 muaj kufizim pa ndërprerje. Me këtë rezervë futemi në stinën e reshjeve dhe s ka problem më tej. Unë si specialist nuk shoh asnjë arsye për kufizim të energjisë në pikun e periudhës turistike.

2. Kur mendoni se do të përfundojë procesi i privatizimit të KESH?

Unë shpresoj që KESH të mos privatizohet tani, sepse vlera e kësaj ndërmarrjeje po ulet qëllimisht, dhe çmimi i ofruar nga blerësit do të jetë i ulët. Ndërmarrja duhet fuqizuar në menaxhim dhe duhet shitur atëherë kur çmimi i saj do të jetë më i shtrenjti i mundshëm. KESH ka falimentuar si ndërmarrje. Atje borxhi vetëm ndaj firmave shqiptare është mbi 100 milionë euro. Firmat prej 3 vjetësh bëjnë punë për KESH dhe nuk marrin lekët e tyre. Qeveria mendon të mbyllë privatizimin në shtator, me qëllim që të grabisë ç të mundë para zgjedhjeve të 2009-ës, ku humbja e tyre është e sigurt.

3. Cilat janë të metat e Qeverisë në procesin e privatizimit?

Privatizimi i KESH është shumë problematik. Shitet një monopol publik dhe krijohet një monopol privat. Asnjë problem nuk zgjidhet. Kriza nuk eliminohet.

4. Mendoni se menjëherë pas privatizimit do të ndryshojë situata problematike e furnizimit me energji elektrike?

Asnjë përmirësim nuk do të ketë. Nëse sot KESH është monopol shtetëror dhe nesër bëhet monopol privat, kjo ndihmon vetëm ata privatë që do të blejnë këtë kompani. Në koncept monopoli është njëlloj, si shtetëror ashtu dhe privat. Ky monopol dikton çmimet dhe kotrollon shërbimet. Askush nuk e konkurron, askush nuk e nxit të ulë çmimet për konsumatorët dhe të rrisë shërbimet. Të gjithë duan energji elektrike, të gjithë do të shkojnë te KESH dhe do të pranojnë kushtet që do të vendosë ai.
Nëse do ta bëja unë këtë privatizim, do të zgjidhja rrugën e Norvegjisë, ku ka shumë furnizues të energjisë që konkurrojnë për t ia dhënë energjinë sa më lirë konsumatorit. Linjat i mban shteti me një pagesë të barabartë për të gjitha kompanitë e shpërndarjes. Konsumatori zgjedh vetë me telefon se cila kompani duhet ta furnizojë atë. Kjo është konkurrencë që ndihmon konsumatorin. Kështu kompanitë do të konkurronin me çmimet që ofrojnë. Duke qenë përsëri një kompani si KESH pa konkurrentë, ne si konsumatorë nuk fitojmë asgjë.

5. Pas këtij procesi, pra pas privatizimit, sipas jush, do të ketë konsumatorë që nuk paguajnë energjinë?

Do të ketë konsumatorë plot që nuk paguajnë energjinë, sepse në Shqipëri po rriten me shpejtësi konsumatorët që s kanë lekë të hanë as bukë. Sa të jetë Berisha kryeministër i këtij vendi, shqiptarët do të vazhdojnë të varfërohen.

6. Zoti Prifti, si e konsideroni vendimin e Ministrisë së Ekonimisë, Tregtisë dhe Energjetikës për faljen e kamatëvonesave? Mendoni se kjo mund të jetë bërë dhe për qëllime politike, duke pasur parasysh se më 2009 janë zgjedhjet?

Nuk besoj se qeveria faljen e ka bërë për konsumatorët e varfër. Kjo është bërë për të pastruar bilancin e KESH para privatizimit. Ky veprim nuk më duket i drejtë, sepse penalizohen përsëri ata që kanë paguar gjithmonë dhe favorizohen ata që s kanë paguar kurrë. Në mënyrën si u bë kjo nga Qeveria, nuk besoj se do të ketë ndonjë impakt elektoral në favor të tyre. Njerëzit e kishin ndarë mendjen për të mos e paguar atë faturë. Ata po varfërohen çdo ditë me këtë qeverisje dhe nuk i hyn në sy kjo falje kur ata luftojnë për bukën e përditshme.

7. Sa mund të lehtësojë ky vendim konsumatorët shqiptarë?

Aspak.

8. Keni një shifër se sa janë kamatëvonesat e falura deri tani?

Duhet të jenë rreth 25 miliardë lekë.

9. Sa ndikojnë në ekonominë e vendit problemet e energjisë?

Problemet e energjisë ndikojnë shumë në ekonomi. Ato rrisin kostot e të gjitha mallrave në treg. Ata nxisin papunësinë dhe falimentimet e bizneseve. Ato vrasin imazhin tonë para investitorëve të huaj. Ato nxisin pesimizmin në ekonominë tonë dhe tek e ardhmja. Ato nxisin braktisjen e mëtejshme të vendit nga rinia dhe inteligjenca. Ato godasin shëndetin e popullatës. Ato vrasin shpresën.

10. Gjetja e burimeve të tjera energjetike, do t u jepte një zgjidhje përfundimtare problemeve të furnizimit me energji elektrike?

Shqipëria ka nevojë urgjente për 300 MW prodhim me TEC dhe për rreth 600 MW prodhim shtesë, termik apo ujor. Na duhen kapacitete të reja prodhuese rreth 900 MW, në mënyrë që të eliminojmë krizën e vazhdueshme të paktën për 10 vjet. Në 3 vjet kjo qeveri vetëm ka treguar përralla dhe s ka bërë asgjë të rëndësishme. TEC-i në Vlorë duhet të kishte mbaruar. Duhet të kishin filluar shumë HEC-e të reja. Qeveria ka rreth 100 kërkesa për koncesione të HEC-eve të vogla, por deri tani ka dhënë vetëm 10 leje. Kjo është burokraci kriminale, jo vetëm paaftësi profesionale. Kjo dëmton rëndë investimet dhe iniciativën private.

11. Dhe një pyetje të fundit, si e komentoni deklaratën e Berishës për ngritjen e centraleve bërthamore? Madje, ai ka pohuar se po përgatitet dhe baza ligjore për këtë gjë.

Berishën nuk e marr asnjëherë seriozisht kur flet për energjinë, sepse në 3 vjet nuk ka kuptuar asgjë. Unë po ju them me kompetencë se dhe sikur të ishte çdo gjë gati sot, do të duheshin 10 vjet të bëhej një central bërthamor.
Ky lajm është publikuar: 10/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›