E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kokainë brenda panineve, Arrestohet shqiptari

Maskohej si tregtar buke, por në fakt ishte trafikant. Nuk shiste vetëm panine, por edhe drogë të pastër. Policia italiane ka vënë në pranga gjatë ditës së djeshme një biznesmen shqiptar. Lajmi është bërë i ditur nga media italiane, sipas së cilave, Ilia Moçka, emigrant në Itali prej disa vitesh dhe me dokumente të rregullta, është vënë në pranga, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar nga policia i është gjetur një sasi lënde narkotike e llojit kokainë, që e mbante me vete për ta shitur. Arrestimi i tij është bërë dje nga ana e efektivëve të Guardia di Financës. Sipas të dhënave, me shitjen e drogës shqiptari do të fitonte rreth katër mijë euro. Policia njoftoi se i arrestuari është pronari i një prej kamionëve më të njohur të shpërndarjes në Leçe, jo vetëm për fëmijët dhe studentët, por dhe për familjarët dhe kalimtarët, shpeshherë të tërhequr vetëm nga dritat e kamionit. Çdo natë ai ndalonte në sheshin në afërsi të bashkisë dhe ishte gjithmonë i rrethuar nga klientët, të gëzuar se do të shijonin hot-dogët e tij të famshëm. Por oficerët e Guardia di Financës i kishte tërhequr diçka tjetër te shqiptari. Ata kishin filluar të kishin dyshime se ai shpërndante lëndë narkotike duke i fshehur në shitjen e panineve dhe ushqimeve të tjera. Policia kishte marrë informacione në rrugë operative për aktivitetin e dytë të shqiptarit dhe e kishte hetuar. Arrestimi i tij është bërë gjatë ditës së djeshme në rrugën "Republika" të Leçes, kur makina me të cilën po udhëtonte ai (një fuoristradë) është ndaluar gjoja për një kontroll të rastësishëm. Por, në fakt, brenda shumë sendeve që ai kishte në makinë, i është gjetur edhe lënda narkotike, që sipas të dhënave të marra nga policia i shiste për klientët e tij, që kur shkonin dhe merrnin për të ngrënë merrnin gjithashtu edhe dozat e kokainës. Kur shqiptari ka zbrazur xhepat, policia ka gjetur një sasi prej 32.40 gramësh kokainë e pastër, si dhe një sasi prej 13.85 gramësh lëndë përzierës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›