E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI, lufta për bazën

Jashtë përplasjes së fortë politike mes Ramës dhe Berishës, megjithëse ka ngërthyer vëmendjen e gjithë publikut, një tjetër betejë po aq shumë e fortë po zhvillohet mes dy partive dikur aleate: PS dhe LSI. Ajo po ndodh në bazën e këtyre partive, e cila për shkak të origjinës së njëjtë nuk ka një ndarje të qartë. Socialistët kanë një masë shumë më të madhe anëtarësh dhe mbështetësish, 600 mijë shqiptarë votuan për ta, ndërsa LSI ka një numër më të vogël, shumica e të cilëve i janë shkëputur PS-së. Kjo luftë ka nisur vite më parë, kur qindra persona deklaronin publikisht ikjen nga një parti dhe hyrjen te tjetra. Së fundmi, lufta është përqendruar në një pikë. Ky është Qarku i Fierit. Në këtë zonë të dyja forcat politike e ndiejnë veten shumë të forta dhe po luftojnë ndaj njëra-tjetrës për t‘i shkëputur poste mbështetës dhe për t‘i krijuar sa më shumë dëme. Në këtë luftë, socialistët janë të vetëm, ndërsa LSI ka mbështetje qeveritare, e cila vjen nga Dritan Prifti, i vetmi deputet i LSI-së në qark, aktualisht ministër i Ekonomisë. Prifti është duke punuar fort për të rritur shtrirjen dhe numrin e mbështetësve të LSI-së në qark, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa socialistët të cilët kanë ngelur edhe pa një lider apo figurë lokale, po shfaqen në panik. Përplasja po shfaqet publikisht në Lushnjë dhe në Patos. Në këto dy qytete, zgjedhjet lokale u fituan nga kandidatët e koalicionit PS-LSI. Të dy kryebashkiakët u zgjodhën nga LSI dhe u votuan nga anëtarësia e PS-së, e cila është edhe shumica. Por konflikti i fortë politik në qendrën e dy partive u reflektua edhe në bazë. Kryebashkiaku i Lushnjës, Alber Sanxhaku, deklaroi shkëputjen nga LSI-ja dhe kalimin në PS. Vetëm një muaj më parë, të njëjtën gjë bëri edhe kreu i Bashkisë së Patosit, Bardhi Meli. Menjëherë pas fjalimit të kryesocialistit Rama në mitingun që opozita realizoi në Fier, Bardhi Meli, i zgjedhur nga LSI në Patos, deklaroi kalimin në radhët e PS-së. Ajo që po ndodh në Lushnjë dhe në Patos është pikërisht pasojë e këtyre lëvizjeve politike. Në Lushnjë, shumica e djathtë, së bashku me këshilltarët e LSI-së, i imponuan kryebashkiakut Sanxhaku strukturën e re të administratës së bashkisë dhe bënë shkurtimin e mbi 80 vendeve të punës. Menjëherë pas këtij veprimi erdhi reagimi. Socialistët akuzuan se po shkelej autonomia e pushtetit vendor. Për t‘i dhënë sa më shumë zë kësaj proteste, organizuan edhe demonstrime të personave që ngelën të papunë, të cilët nuk duket se e kishin shumë të nevojshme thirrjen politike për ta bërë këtë gjë. Në Patos, PD, LSI dhe PDI, në përgjigje të lëvizjes së socialistëve, kërkuan shkarkimin e kreut bashkiak. Për të parandaluar këtë u përdorën punonjësit e Ndërmarrjes së Gjelbërimit të qytetit, të cilët prej një muaji nuk merrnin dot pagat, sepse Këshilli Bashkiak ende nuk kishte miratuar fondet. Këshilli nuk mblidhej si masë për të parandaluar votimin e një mocioni mosbesimi ndaj kreut të këshillit. Në sallë jo pa qëllim futeshin edhe punonjësit e Gjelbërimit, të cilët ishin të bindur se fajtorët e gjendjes së tyre ishin aktorët e luftës politike që zhvillohej mes PS dhe LSI. Mazhoranca kërkoi disa herë ndihmën e policisë së rendit për të larguar protestuesit, por socialistët, ashtu si edhe në Tiranë, futën në lojë policinë bashkiake që largoi policinë e rendit. Dhe në fund u gjet një zgjidhje pa zgjidhje. Një pjesë e këshilltarëve ikën nga Patosi dhe shkuan në Fier, në ambientet e një hoteli privat, pronë e një drejtuesi të lartë të KESH-it dhe votuan e shkarkuan kreun e këshillit, votuan dhe miratuan edhe pagat e punëtorëve. Pala tjetër ndërkohë pretendon paligjshmëri dhe çështja ka ngelur në dorën e prefektit të Fierit. Kjo është tabloja e asaj që po ndodh në bazën e këtyre dy partive të majta. Pozicionimi në llogore të ndryshme do vijojë të krijojë probleme që lindin nga vazhdimi i rrëzimit i marrëveshjes mes tyre në zgjedhjet e fundit lokale. Ata që do dalin të humbur janë vetëm punonjësit administrativë në këto bashki dhe komuna, të cilët për shkaqet tërësisht politike po përdoren e dhunohen. Ndryshimi i raporteve të forcës pritet të sjellë që shumë persona të humbin vendet e punës, sepse në vendin e tyre do vijnë disa të tjerë militantë. Ndërsa ata që do heqin dorë nga mbështetja për PS-në, për t‘i deklaruar besueshmërinë LSI-së, do qëndrojnë. Ky është edhe thelbi i asaj që po ndodh në bazën e këtyre dy partive, dikur pjesë e një të tëre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›