E Martë, 3 Nëntor 2026

Kokona: 35 rezidentët e parë në Durana Tech Park, 1200 punësime e mbi 1 milion euro të ardhura të planifikuara brenda vitit

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Durana Tech Park në Durrës është parku i parë i teknologjisë në Shqipëri, që synon të kthehet në një qendër të fuqishme e me ndikim në ekonomi dhe inovacion, që synon të konkurrojë në rajon dhe më gjerë, duke sjellë përparësi strategjike të zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për Shqipërinë.

Në aktivitetin e certifikimit të rezidentëve të parë te Durana Tech Park, drejtorja e Korporatës Shqiptare të Investimeve, Elira Kokona tha se, “Durana Tech Park, është hapësira ku biznesi kryhet pa burokraci dhe ndërlidhja mes biznesit dhe startup-eve kryhet në të njëjtën platformë”.

“Jemi sot në konkretizimin e këtij investimi të rëndësishëm, pas një viti pune intensive. Sot parku Durana ka rezidencën e tij të parë. 104 kompani, vendase dhe të huaja, universitete dhe institucione arsimore, shprehën interesin për të parën thirrje, që mundëson regjistrimin në më pak se 10 minuta”, tha Kokona.

Ajo bëri të ditur se, “35 aplikantë finalizuan me sukses regjistrimin si rezidentët e parë të këtij parku. Ato janë kompani të huaja nga SHBA, Franca, Estonia, Kosova e Shqipëria”.

“35 rezidentët e parë me një impakt në ekonomi me 1200 punësime mbi 1 milion euro të ardhura të planifikuara për t’u arritur vetëm këtë vit, kjo është realja e parku tonë real”, tha Kokona, teksa vuri në dukje se ata përfaqësojnë katër kategori: 24 prej tyre janë kompani, 6 startup-e, 2 nomadë digjitalë dhe 2 institucione akademike.

Sipas saj, Durana Tech Park do të bëhet epiqendra e rritjes së sipërmarrjeve, zhvillimit teknologjik, ekonomik e rajonit.

Kokona bëri të ditur se, “8 nga rezidentët janë startup-e që në të kaluarën kanë përfituar grante përmes skemave të financuara nga buxheti i shtetit dhe 5 prej tyre falë mbështetjes që kanë marrë, janë rritur dhe zhvilluar si kompani të strukturuara, duke aplikuar në Durana jo si startup-e por si kompani, ndërsa 3 të tjerat kanë aplikuar si startup-e që vijojnë rrugëtimin e tyre”.

Ajo e cilësoi këtë zhvillim si shembullin që mbështetja e shtetit nuk ndalet vetëm me dhënien e granteve në fazat e para, por shtrihet më tej në integrimin e tyre në një sistem të qëndrueshëm për zhvillim afatgjatë.

Sipas asaj, Durana Tech Park është pikërisht një nga instrumentet kryesorë të kësaj mbështetjeje që ofron për bizneset e teknologjisë një mjedis të favorshëm, lehtësi fiskale, infrastrukturë moderne dhe mundësi bashkëpunimi me kompanitë e tjera vendase dhe të huaja.

Por jo vetëm kaq, vijoi ajo, Durana është dhe vendi për internacionalizimin e universiteteve. Krahas dy universiteteve shqiptare janë edhe tre universitete italiane që kanë shprehur interesin dhe janë në procesin e finalizimit të praktikës si një mundësi konkrete.

Kokona theksoi se, në Durana Tech Park 69% e kompanive janë të huaja.

Ajo tha se, në Durana bizneset do të jenë të fokusuara vetëm tek zhvillimi dhe inovacioni pasi Durana do të jetë ndërmjetësi i vetëm midis rezidentëve dhe organeve shtetërore.

/r.e/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›