E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kokteili” i produkteve kozmetike, i demshem ne ditët e nxehta



Shumë gra mbajnë në çantat e tyre një shumëllojshmëri sendesh dhe produktesh të lidhura me kozmetikën. Ndër këto produkte është pothuajse përherë i pranishëm edhe kremi pudër. Por, disa kërkime të bëra kohët e fundit kanë treguar se aplikimi i kremit pudër çdo ditë, sidomos në ditët e nxehta të verës mund të jetë i dëmshëm për lëkurën dhe shëndetin tuaj. Kremi pudër është parashikuar për të përmirësuar pamjen dhe paraqitjen e femrës, por femrat, të cilat përdorin këto produkte harrojnë të mendojnë se po lejojnë që në lëkurën e fytyrës së tyre të hyjnë çdo ditë e më tepër kimikate nga më të ndryshmet.
Problemet
Studimet e bëra tregojnë se disa gra përdorin rreth 20 produkte të ndryshme kozmetike, veçanërisht pudrën, ku pjesa më e madhe e këtyre produkteve përdoren jashtë datës së tyre të skadencës. Besimi dhe siguria te ky “kokteil” produktesh kozmetike, të cilat mendohet se sjellin një shkallë më të lartë bukurie, përmbajnë edhe një mori kimikatesh, të cilat përthithen nga trupi dhe mund të dëmtojnë në mënyrë të pariparueshme lëkurën. Disa ekspertë të shëndetit kanë arritur deri aty sa të shprehen se përdorimi i produkteve kozmetike mund të shoqërohet edhe me efekte anësore, të cilat mund të sjellin probleme të lëkurës, plakje të parakohshme dhe mund të çojnë deri edhe në shfaqje të ndonjë kanceri të lëkurës.
Sytë
Specialistët e syve shprehen se përdorimi i pudrës rreth zonës së syve mund të sjellë infeksion të tyre apo edhe probleme të tjera. Shkak për shfaqjen e problemeve të lëkurës nga përdorja e produkteve kozmetike janë rastet kur lëkura është e yndyrshme. Testosteroni është shkaktari i parë i të pasurit një lëkurë të yndyrshme, ky hormon në fakt është rregulluesi i dhjamit në lëkurë. Në qoftë se gjëndrat e dhjamit janë tepër të ndjeshme kundrejt testosteronit, pashmangshmërisht prodhojnë më shumë yndyrë. Kjo e fundit del nga poret e lëkurës duke lënë disa pjesë të fytyrës të lagura. Nëse poret mbyllen, mund të shfaqen pika të zeza ose puçrra anti-estetike.

Si të veproni në këto raste
Është e këshillueshme që të hiqni dorë nga përdorimi i terapive si sapuni me squfur dhe pecetat fërkuese agresive, më mirë zgjidhni kura të thjeshta. Duhet pasur gjithmonë kujdes edhe me tualetin, duhen evituar produktet me bazë vaji, produktet e përbëra dhe ato tepër të lëngshme sepse këto produkte mbyllin poret. Më efikase janë produktet jo shumë të lëngshme dhe makijazhi i fytyrës në formë pudre. Në fakt në krahasim me lëkurën e thatë, lëkura e yndyrshme e mban më mirë ujin dhe ruan hidratim të mirë. Kjo e bën lëkurën e yndyrshme dhe rezistente kundrejt diellit dhe të ftohtit. Kjo sjell avantazhe, sepse vonon dhe parandalon plakjen, si dhe ndikon që rrudhat të shfaqen në një moshë më të vonë.

Këshillat e ekspertëve
Sipas dermatologëve, pastërtia është hapi i parë për të kuruar lëkurën e yndyrshme. Duhet të zgjidhen produkte delikate në formë xheli ose qumështi. Çdo natë është e këshillueshme të lagni fytyrën me lëngun e një gjysme limoni të tretur ne gjysmë gote uji, sepse ndihmon në zvogëlimin e poreve. Kjo kurë duhet ndjekur çdo javë. Sipas dietologëve dhe endokrinologëve, është e këshillueshme të ndiqni një dietë të rregullt e cila të sjellë testosteronin në nivelin e duhur. Për të arritur këtë, dietologët shprehen se duhet të kufizoni karbohidratet si: buka, makaronat, ëmbëlsirat, yndyrat shtazore etj. Duhet të përdoren vitaminat B6, B2. Vitamina B6 gjendet te vaji i grurit dhe tek banania. Ndërsa vitamina B2 gjendet tek drithërat dhe perimet. E këshillueshme është të pini të paktën 2 litra ujë në ditë.

Testosteroni rrit nivelin e yndyrës
Adoleshenca dhe menopauza janë dy periudha të rëndësishme në jetën e një femre, në të cilat niveli i testosteronit ngrihet, duke krijuar rritje të nivelit të yndyrës në lëkurë. Prandaj, para përdorimit të ndonjë produkti kurues të gabuar, është mirë të bëni një analizë gjaku për të pasur parasysh gjendjen hormonale. Mjeku mund t’iu këshillojë një kurë me bazë hormonale për të bllokuar rritjen e nivelit të testosteronit. Në qoftë se analiza është e rregullt, ju mjafton të merrni vitamina A dhe të përdorni antibiotik në mënyrë jo të vazhdueshme. Është e këshillueshme të ndiqni një dietë të rregullt, e cila të sjellë testosteronin në nivelin e duhur. Për të arritur këtë, dietologet shprehen se duhet të kufizoni karbohidratet.

Mosha 40 deri në 50-vjeç, momenti kyç
Mes moshës dyzet dhe pesëdhjetë vjeç është momenti i ndryshimit. Kjo është periudha në të cilën rënia strukturore përparon me ritme të shpejta. Lëkura, muskujt dhe lidhjet e kyçeve dorëzohen përpara forcës së gravitetit dhe ulen. Të njëjtën gjë e bëjnë nofullat, vetullat, mollëzat dhe faqet. Pas moshës 50 vjeçare, në mënyrë paradoksale situata stabilizohet. Lloji i plakjes varet edhe nga qëndrueshmëria e lëkurës: ato bien me shpesh, por kanë më pak rrudha, në ndryshim me çfarë ndodh me lëkurat e holla. Ky është dhe momenti, në të cilin fillon dhe plakja e lëkurës. Në disa raste kjo shoqërohet me rrudhat “atinike”, shenja të vogla në nivelin e faqeve, që janë simptomë e humbjes se elasticitetit dhe njollat e errëta në duar dhe dekolte. Prandaj duhet të përdorni kremra ushqyes për lëkura të pjekura, që kryejnë një efekt lifting.

Si ndikon ADN-ja në plakjen e lëkurës
Paraqitjen që sot kemi në moshën 40 dhe 50 vjeç e vendos ADN-ja, koha që kalon, dhe në të njëjtën kohë ndikojnë dhe zgjedhjet tona kozmetike. Flitet shpesh për moshën e vërtetë dhe për moshën biologjike, por edhe fytyra e ka një të tillë. Dhe duket se nuk koinçidon me atë zyrtare. Është çështja e ADN-së, fototipit dhe ekspozimit në diell. Por jo vetëm kaq, edhe struktura e fytyrës dhe emocionet ndikojnë në strukturën dhe në shfaqjen e rrudhave. Dermatologët shpjegojnë se kush i ka mollëzat e larta do të ketë rrudha më pak të thella. Rrudhat shkojnë nga hunda tek cepat e buzëve, por ato rreth syve do të jenë më të dukshme. Fytyrat këndngushte dhe të dobëta i kanë faqet më të theksuara, kjo dhe për arsyen se nuk kanë mbështetje. Por edhe shprehitë më të përdorshme e shënjojnë fytyrën në mënyrë të ndryshme.

Si ndikojnë emocionet e forta
Rrudhat e para janë ato të lidhura me mimikën e buzëqeshjes, që fillojnë nga rrënjët dhe mbërrijnë në cepat e buzës. Janë linja të shprehjes, që i kanë dhe adoleshentet, por që me kalimin e kohës theksohen. Rreth të tridhjetave, lëkura fillon dhe e humbet shkëlqimin, për shkak të trashjes së shtresës indore, reagimi i mbrojtjes nga rrezet ultravioletë. Gjithashtu shfaqet edhe ndonjë kapilar, në veçanti në zonën e hundës dhe tek faqet. Për këtë është i nevojshme një hidratues apo një krem anti-rrudhë me filtra diellore apo një krem me fuqi hidratuese. Gjatë moshës 30 dhe 40-vjeçare linjat e shprehjes, të cilat më parë nuk ishin të dukshme “në gjendje pushimi”, bëhen të përhershme, mbi të gjitha ato rreth syve. Prandaj një jetë normale pa shumë emocione të forta është edhe një tregues për një rrudhje më të vonë.

25 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›