E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana zgjedh Sandërlendin



Lorik Cana bëri zgjedhjen e tij. Ish-kapiteni i Marsejës do të veshë fanellën e Sandërlendit në Premier League. Shuma e transferimit është diku te 6.5 milionë euro. Vetë Cana ka mbetur i kënaqur nga oferta e klubit anglez. Loriku do të ndjekë procedurën klasike: vizita mjekësore dhe më pas nënshkrimi i një kontrate 4-vjeçare, që mund të ndodhë brenda së shtunës. Pas kësaj ai do të bashkohet me ekipin e tij në Holandë, ku Sanderlendi po merr pjesë në një turne në Amsterdam. Loriku, i cili mbush të hënën e ardhshme 26 vjeç, pëlqehet shumë nga trajneri i Sanderlendit, Stiv Brjus.
Karriera
Lorik Cana është thuajse një lojtar i Sanderlendit. Lojtari më i shtrenjtë shqiptar do të luajë në Premier Ligë. Mediat britanike janë marrë imtësisht me biografinë sportive të ish-kapitenit të Marsejës. Jeta e Canës në mediat britanike nis me faktin, se Loriku kishte ikur Kosova në Zvicër për t’i shpëtuar luftës me Serbinë, dhe faktin tjetër se babai i tij, ishte një prej futbollistëve më të famshëm të Ish-Jugosllavisë së viteve 1980.
Cana u bashkua fillimisht Lozana Sports në Zvicër, përpara se të transferohej te Paris Sën Zhermeni në Francë në vitin 2000. Loriku zhvilloi 69 ndeshjes me PSG-në, duke shënuar dy gola. Gjatë kësaj kohe ai tërhoqi vëmendjen e shumë prej klubeve më të mëdha evropiane, midis tyre dhe të Arsenalit, që e ftoi djaloshin për një test kontrolli, por që nuk u realizua për shkak të mosmarrjes së vizës hyrëse në Angli. Arsen Venger është prej një kohë të gjatë admirues i lojës së Canës.
Te Marseja
Lorik Cana u transferua te Marseja në sezonin 2005-2006 dhe deri tani ka bërë 122 paraqitje për klubin, duke shënuar 6 gola. Ai e mori shiritin e kapitenit nga Habib Beje, i cili u transferua te Njukasëll në vitin 2007 dhe e udhëhoqi Marsejën për ta mbyllur sezonin e fundit si nënkampione e Francës, pas Bordosë. Edhe pse Cana lindi në ish-Jugosllavi dhe u rrit në Zvicër, Cana zgjodhi të përfaqësojë Shqipërinë në nivelin ndërkombëtar, duke e shpjeguar këtë se vendimi u mor me zemër sesa me kokë. Cana zotëron pasaportën franceze, zvicerane dhe shqiptare. Cana njihet për kartonët e marrë: në 191 ndeshje në Ligën franceze, Cana është ndëshkuar me 62 kartonë të verdhë dhe 4 kartonë të kuq.
Ndeshja e parë e tij me Kombëtaren shqiptare daton në vitin 2003, kur ai ishte 19 vjeç. Cana numëron për momentin 37 ndeshje dhe një gol me përfaqësuesen shqiptare.

25 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›