Kola: Të furnizojmë ekipet me të rinj energjikë
Trajneri Agustin Kola e shikon kampionatin e moshave jo për rivalitet, por si një makinë për prodhim të sa më shumë talenteve
Agustin Kola është nga të paktët ish-futbollistë të kombëtares që punon me moshat. Vjet ai stërviti Tiranën U-17, ndërsa këtë sezon ka kaluar te U-19. Grupi që ai drejton është fidanishtja e ekipit të parë, aty ku trajneri Rubio kërkon elementët më të spikatur për Tiranën e madhe. Ne punojmë për ekipin e parë, për ta furnizuar atë me të rinj. Këtu te ne të rinjtë dhe paratërinjtë shihen si ekipe që duhet të dalin kampionë, por unë dua që të furnizoj ekipin e parë me talente dhe jo të kënaqem me tituj.
Kur kam qenë në Austri, kam parë që shpenzimet për 150 të rinj shkojnë rreth10 milionë euro. Pra, ata kanë detyrë vetëm ta nxjerrin një futbollist deri te ekipi i të rriturve dhe puna e tyre quhet e përfunduar. Kushtet dhe mundësitë janë shumë të mëdha jashtë vendit, ndërsa ne nuk kemi kushte, sepse duhet punë dhe shpenzime. Unë punoj që ti jap ekipit të madh të rinj që mund të luajnë dhe të integrohen sa më mirë me ekipin, qoftë edhe një në vit, sepse kjo është ajo që duhet të bëj unë.
Komunikimi me Rubion Asnjë trajner shqiptar dhe asnjë nga trajnerët e tjerë të huaj ska pasur kaq komunikim me trajnerët e moshave si Rubio. Ai më ka thënë që nga puna juaj shihet dhe puna jonë, pasi ne e furnizojmë Tiranën me të rinj. Tani për tani te Tirana ka shkuar Leventi dhe Hoxhallari. Rubio i pa gjatë stërvitjes dhe në disa ndeshje dhe më tha që vlejnë për në ekip të parë.
E keqja jonë dhe e kampionatit tonë është se ndërrimet janë të pakta. Federata duhet ta kuptojë që ne duam të provojmë sa më shumë lojtarë, sepse ne luajmë për të nxjerrë lojtarë dhe jo për të dalë kampionë. Mund të përmend nga Tirana U-17 e vitit të kaluar Klajdi Memën, që shkoi te Levante në Spanjë. Trajneri i vitit të kaluar nuk e mori, ishte fati i spanjollëve për ta fituar këtë talent. Në Tiranë luhet futboll, pa paragjykuar qytetet e tjera. Durrësi është qyteti që i afrohet kryeqytetit për talnte.
Atje punohet dhe ka infrastrukturë të mjaftueshme. Shikoj që ekipi i të rriturve ka interes, ndaj trajneri i shikon dhe i vlerëson këta të rinj, sepse është profesionist. Mbaj mend që dikur te Tirana ka qenë një trajner që afroi në ekip Ansi Agollin dhe moshatarët e tij, të cilët sot janë nëpër Europë.
Unë dua që të furnizojmë ekipet kryesore me të rinj energjikë dhe me vizion për futbollin. Sa i përket kampionatit të moshave, nuk e shikoj si synim për të dalë medoemos i pari, sepse duhet të fokusohemi vetëm në furnizimin e ekipit të parë. Titujt janë fituar edhe nga skuadra të vogla rrethesh, përfundon Kola.
