Tek Elbasani dalin në sipërfaqe problemet financiare
Në prag të transfertës me Butrintin, morali i futbollistëve verdheblu është shumë poshtë, për shkak të pagesave të munguara
Tek Elbasani gjërat nuk po shkojnë si duhet, edhe pse atmosfera duket ndryshe. Te verdheblutë mbizotëron një situatë kaotike, për shkak të problemeve të shumta financiare. Elbasani i këtij sezoni u ndërtua me qëllimin e vetëm për tu kthyer në superligë, por, edhe pse verdheblutë janë në vendin e 5-të dhe shumë afër me pikë me kryesuesit, objektivi duket larg. Futbollistët dhe stafi teknik po përpiqen ta bëjnë detyrën e tyre, por gjërat e tjera nuk po funksionojnë dhe skuadra mund të rrëshkasë nga momenti në moment.
Humbet durimi Grupi i futbollistëve stërvitet pa dëshirë nga dyshja e stafit teknik File-Dosti dhe shkaku ka të bëjë vetëm me financat. Disa nga titullarët shprehen të indinjuar nga kjo situatë, që, sipas tyre,nuk mund të vazhdojë pa fund. Madje, ata pohojnë se po mbushet kupa dhe se me mashtrime nuk vazhdohet. Dhe në fakt të vjen keq, kur i sheh këta futbollistë që shtyjnë javët dhe nuk paguhen për atë që japin në fushë.
Elbasani ka mbi tre muaj pa u paguar dhe kuptohet që ky problem ndikon drejtpërdrejt në rezultate. Por ky nuk është një problem i ri, sepse edhe sezonin e kaluar ka qenë e njëjta situatë. Çeshtja e pagave të padhëna duket se e ka goditur fort skuadrën verdheblu në këtë moment, kur të gjithë prisnin kthesën në transfertë. Grupi është i pamotivuar dhe gjendja mund të shkojë shumë më keq, nëse drejtuesit e klubit nuk ndërhyjnë.
Kërcënimi për largim Ka edhe nga ata futbollistë, të cilët kërcënojnë me largim ende pa mbaruar faza e parë, pasi ndihen të mashtruar nga e gjithë kjo histori. Shumica prej tyre pranojnë nën zë se janë të lodhur dhe të mërzitur tej mase. Pas ndeshjes me Adën, futbollistët morën nga 10 mijë lekë shpërblim për fitoren, por duket se nuk u kanë hyrë në sy. “Duhet të merrnim rrogën, nuk i donim shpërblimet, shprehen disa nga titullarët verdheblu.
Nesër Elbasani do të luajë në Sarandë me Butrintin, ku pritet 3-pikëshi i parë jashtë fushe. Por, duke pasur parasysh situatën, nuk ka shumë besim për këtë gjë. Futbollistët kanë rënë shumë moralisht dhe kuptohet se çfarë mund të bëjnë në fushë. Gjërat mund të shkojnë edhe më keq për Elbasanin, nëse kjo gjendje do të vazhdojë. Kjo do të thotë se disa nga lojtarët titullarët do të largohen për ta vazhduar kampionatin me fanellën e ndonje skuadre tjetër.
3 muaj
kanë pa u paguar futbollistët e Elbasanit, të cilët duken mjaft të lodhur nga kjo situatë absurde
10 mijë
lekë ka marrë çdo futbollist si shpërblim për fitoren me Adën, por kjo shifër as që u ka hyrë në sy atyre
