E Diel, 1 Nëntor 2026

Selimaj: Luftëtari del pa lagur nga Kavaja

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Portieri shkodran, Erind Selimaj, thekson se sfida me Besën është një ballafaqim vlerash, por jo vendimtare për kampionatin

Portieri shkodran i Luftëtarit, Erind Selimaj,  deri tani po paraqitet me rezultate shumë të mira. Ai ka pësuar vetëm 3 gola, ndërsa në ndeshjen me Burrelin, kur rezultati ishte 2-0, ai priti një top të ekzekutuar nga pika e dënimit kapital, duke i prerë mundësinë ekipit kundërshtar për të rihyrë në lojë.

Kësisoj, ndikoi esencialisht në fitoren më të kulluar që ka regjistruar ekipi gjirokastrit deri tani. Ndeshja me Besën në Kavajë përbën një sfidë ndër më të fortat  për Luftëtarin në tërësi dhe Selimajn në veçanti,  i cili në 4 ndeshje nuk ka pësuar gol dhe, sikundër kuptohet, dëshiron që ta pasurojë këtë seri. Dhe kjo bëhet duke mos pësuar gol në ndeshjen e së shtunës me Besën.

Selimaj Për ndeshjen e së shtunës dhe gjendjen e ekipit, Selimaj thotë: Kur evitova golin, që mund të realizonte Burreli nëpërmjet Gjokës nga pika e penalltisë, u binda plotësisht se fitorja as që mund të diskutohej. Jo vetëm që loja nuk u rihap, por edhe morali  i ekipit tonë u ngrit më shumë. Ishte një fitore plotësisht e merituar dhe mund të ishte edhe më e thellë, pasi humbëm disa raste të pastra për shënim, gjë që nuk duhet përsëritur me Besën në tarnsfertë.

Me siguri që raste do të krijohen, sepse ekipi ynë ka lojtarë të aftë për të krijuar korridore në mbrojtjet kundërshtare, por edhe për të finalizuar. Ndeshja me Besën them se do të jetë më interesantja nga sa kemi zhvilluar deri tani, pasi janë dy ekipe që luajnë futboll me vlera. Patjetër që vëmendja do të jetë e përqendruar te rezultati, ku për objektivin që kanë dy palët, u duhet 3-pikëshi.

Besa  ka faktorin fushë, por nuk është shkop magjik. Them se në këto përballje çdo rezultat është i mundshëm. Personalisht, në bashkëpunim me gjithë të tjerët dhe veçanërisht me mbrojtësit, shpresoj se do të dalim pa lagur, ndoshta në ndonjë rast do të arrijmë edhe te goli. Gjithsesi, edhe pse ndeshja mund të luhet si finale, nuk është e tillë, sepse pas kësaj ka plot të tjera me sekretet  dhe të papriturat e tyre. Shpresoj që Luftëtari edhe këtë ndeshje do të tregohet luftëtar i vërtetë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›