Syla: Tërbunit i takon kreu, kujdes nga euforia!
Nga ERJON SALIU
Fitorja në shtëpi me Olimpikun dhe hapi fals i rivalëve të Luzit 2008 me Sukthin ka bërë që pukjanët ta shohin veten në krye. Javë pas jave, ekipi i drejtuar nga trajneri Gentian Stojku po konsolidohet dhe po arrin rezultate bindëse. Presidenti i Tërbunit, Petrit Syla, thotë se ekipi i tij e meriton kreun, por futbollistët duhet të ruhen nga euforia. Për “Sportin shqiptar” ai thekson: “Më vjen mirë që Tërbuni nuk po njeh kundërshtarë, madje po mund edhe rivalët, por duhet të shohim vetëm përpara.
Fitorja me Olimpikun erdhi në një ditë të shënuar, sepse në Pukë atë ditë u festua edhe “Sofra pukjane”, një festë tradicionale e qytetit tonë. Kreu na shkon për shtat dhe na takon deri në fund të garës, por futbollistët duhet të kenë kujdes nga euforia. Vetëm ajo është “kundërshtari” ynë momentalisht, sepse duket qartë që të gjithë ekipet janë shumë poshtë nesh nga niveli i lojës dhe përbërja.
Gjithsesi, tashmë duhet të mendojmë për transfertën me Egnatian, sepse është një ndeshje e vështirë, egjithatë do të shkojmë për të fituar. Kemi gabuar një herë, kështu që nuk duhet të ndalemi më.” Presidenti Petrit Syla ka bërë një merkato të fuqishme në verë, duke sjellë në Pukë futbollistë mjaft cilësorë, ndaj dhe ekipi i tij udhëheq tabelën e renditjes aktualisht.