Dinamo në duart e Zotit, edhe Xhaxhi u dorëzua
Midis shumë problemeve, dinamovitët tashmë janë edhe pa trajnerin e tyre Faruk Sejdini. Skuadrën e drejton Artan Mërgjyshi
Stërvitja e Dinamos ka qenë tepër inpenjative dje në ish-kompleksin Dinamo. Blutë, nën drejtim e Artan Mërgjyshit, Ilir Bozhiqit dhe Dritan Mehmetit kanë qenë tepër aktivë për rreth 90 minutat që ka zgjatur trajnimi. Programi i bluve ka përbajtur ushtrime të ndryshme me topin dhe në fund një ndeshje kontrolli me minutazh të shkurtër.
Por krahas dëshirës së mirë, punës së përkushtuar të stafit blu me në krye Mërgjyshin, hallet e Dinamos skanë të sosur. Tashmë, ish-kampionët janë në vështirësi të mëdha, pasi nëndetësia, edhe nëse për një moment del në sipërfaqe, mund të fusë ujë në të gjitha cepat e saj. Blutë tashmë duken në duart e Zotit, pasi vetëm një mrekulli mund ti shpetojë nga rënia në kategorinë inferiore.
Largimi i Sejdinit Pavarësisht se nuk është bërë zyrtare, trajneri Faruk Sejdini mund të quhet edhe i vetëlarguar nga skuadra e Dinamos, pasi ai e ka tepër të vështirë të rikthehet në radhët e bluve, jo vetëm për shkak të problemeve të hasura në kompleks, ku blutë ndërrohen mes shiut, por edhe për shumë peripeci të tjera. Tashmë Xhaxhi është disi i irrituar edhe me skuadrën e tij.
Këta të fundit nuk janë përgjigjur sicc duhet në ndeshjen përballë Kamzës. Duke mos i hequr meritat kundërshtarit, dinamovitët kanë qenë disi të përgjumur në fushë. Ata që e njohin mirë sedrën sportive të Faruk Sejdinit mund ta kenë kuptuar që Xhaxhi nuk rikthehet dhe, nëse një ditë do ta drejtojë sërish Dinamon, e bën vetëm për dashurinë që ka për ngjyrat blu. Gjithsesi, largimi i tij nuk është një ogur i mirë për Dinamon.
Skuadra e Mërgjyshit Tashmë trajneri Artan Mërgjyshi ka marrë në duar fatet e skuadrës së bashku me Ilir Bozhiqin dhe Dritan Mehmetin. Ai ka punuar edhe një sezon më parë pas largimit të argjentinasit Manuel Blanko në janar. Mërgjyshi e shpëtoj Dinamo nga rënia nga kategoria, e dërgoi atë në finalen e Kupës së Shqipërisë, duke e humbur vetëm nga pika e bardhë e penalltisë ndaj Tiranës. Por tashmë që gjërat janë më të vështira edhe trajneri në fjalë ka shumë pengesa në punën e tij.
Kompleksi në vendnumëro Është folur shumë për ndryshimin e kushteve tek blutë, por askush nuk po e vendos ujin në zjarr. Kushtet e bluve janë të njejta: zhvishen në mes të shiut, në makinë, apo edhe në shtëpi, për ata që banojnë pranë kompleksit. Janë premtuar shumë gjëra, por deri tani sështë mbajtur asnjë premtim. Në fillim u tha nga Agjencia e Sporteve se do të vihen në dispozicion dhomat e zhveshjes pas kompleksit, të cilat ishin në rikonstruksion, por më shpejt po mbaron qendra e Tiranës se rregullimi i këtyre ambienteve sportive.
